Kapiteni i Pashalimanit: Ju rrëfej miqësinë me Raxh Kapurin e “Vagabondi”-t
AFRIM IMAJ
I fali rasti mrekullinë dhe u lumturua si rrallëherë. Një takim i papritur e bëri mik me yllin e kinemasë. Ndau çaste të tëra me Raxh Kapurin e famshëm kur s’e mendonte asnjëherë. Foli nga afër me të, kënduan bashkë e premtuan për shoqëri të sinqertë. E gjitha në pak ditë. Pastaj erdhi ndarja e tmerrshme...Historia e veçantë e Myfit Qordukës, ish-kapitenit të Pashalimanit, e ka zanafillën në kapërcyellin e vitit ‘60. Studenti shqiptar i Akademisë Detare të Bakusë së largët, me kthimin në atdhe ngjalli kureshtjen e të njohurve me mbresat e pashlyera nga takimet me Raxhin e “Vagabondi”-t. Madje, në memorien e djaloshit nga Kurveleshi, përjetimet nga shoqëria me të zunë vend si kujtimet më të bukura nga koha e studimeve jashtë vendit. Se nuk ishte pak asokohe miqësia me Raxhin e madh. I privilegjuar nga ngjarja e pazakontë, Qorduka do t’u kthehej herë pas here emocioneve të rralla nga takimet me të. Madje, ish kapiteni i Pashalimanit, tani 70-vjeçar, kur rrëfen për momentet me Raxh Kapurin e “Vagabondi”-t ruan ngazëllimin e veçantë me të cilin ka përjetuar gati gjysmë shekulli më parë. Në një intervistë për “Panorama”, ish-oficeri i lartë i marinës zbulon rrethanat në të cilat është njohur, çfarë ka biseduar dhe si është miqësuar me idhullin e kinemasë së rinisë së tij...
Zoti Myfit! Në kujtimet nga koha e studimeve në Bashkimin Sovjetik që keni botuar ditët e fundit, veçoni miqësinë me aktorin e famshëm Raxh Kapuri. Si u njohët dhe çfarë kujtoni nga shoqëria me të?
Unë i përkas atij brezi që në rininë tonë jemi dashuruar marrëzisht me Raxh Kapurin, gjeniun e ekranit nga India. Në vitet ‘50-‘60 ai u bë idhulli i miliona spektatorëve në mbarë botën. Aktrimi i rrallë te “Vagabondi” dhe “Zotnia 420”, por sidomos linja melodike e tyre me këngët e papërsëritshme të tij, magjepsnin zemrat e të rinjve dhe e bënin Raxhin të dashur për gjithkënd. Më fali Zoti në këtë periudhë mundësinë për ta takuar e për të biseduar nga afër me të. Mrekullia erdhi rastësisht gjatë kohës kur isha me studime në Bashkimin Sovjetik. Vërtet ishin të pakta ditët në shoqërinë e tij, por të bukura, me mbresa të paharrueshme. Raxhi më lumturoi sidomos kur më dha fjalën se do të vizitonte vendin tonë në kohën më të afërt. Për ters gjërat rrodhën ndryshe dhe fati nuk e deshi ta kishim në Shqipëri...
Çfarë dinit për Raxh Kapurin para se ta takonit në Moskë?
E njihnim si aktor të madh, si mjeshtër të kinemasë. Kuptohet nëpërmjet ekranit. Filmat e tij i kishim parë e riparë disa herë në sallë. Asokohe isha nxënës në shkollën e mesme të Gjirokastrës. Të gjithë e kishim mendjen aty. Raxhi ishte bërë kryefjala e ditës. Kinooperatorët punonin gati 16 orë në ditë. Mbaj mend Qani Ficon, postierin e kinemasë, një mesoburrë me flokë të kuqe, që rendte sa nga një sokak tek tjetri për të vendosur lajmërimet e “Vagabondi”-t. Nga prapa e ndiqnin me dhjetëra fëmijë e të rinj me këngën e filmit në buzë. Zallamahi e madhe bëhej te sporteli i vogël i kinemasë, ku turma bëhej e papërmbajtshme. Njerëzit zinin radhë qysh në mëngjes dhe qëndronin për orë të tëra duke shtyrë njëri-tjetrin si e si të merrnin një biletë. Ndodhte që kacafytjet te sporteli përfundonin në përleshje, madje dhe të përgjakshme. Padurimi krijoi në një farë mënyre tregun e zi të biletave. Kishte raste që një e tillë shitej jashtë sportelit edhe me pesëfishin e çmimit...
Çfarë e bënte të bujshme shfaqjen e “Vagabondi”-t te publiku shqiptar?
Së pari, befasia me të cilën u shfaq. Deri atëherë kinematë tona ishin pushtuar nga filmat luftarakë sovjetikë me gjuhë patetike e heronj të hekurt. Shfaqja e Raxh Kapurit vinte si një film krejt tjetër, me histori sentimentale e personazhe të këndshëm që i kapërcenin kornizat e artit skematik. Ma do mendja se masa e spektatorëve që ndoqi seancat e atyre filmave, të cilët nisnin në orët e para të agimit dhe përfundonin aty nga mesnata, nuk është përsëritur për asnjë shfaqe tjetër së paku në Shqipërinë e asaj kohe...
Pra, Raxhi i “Vagabondi”-t u bë idhulli i brezit tuaj. U kujtohet si arrinit ta njihnit biografinë e tij?
Padyshim që jeta e artistëve të mëdhenj është në kërshërinë e të rinjve. Në rastin e “Vagabondi”-t shpërtheu si një garë për të ditur kush e kush diçka më tepër nga biografia e tij. Ishte diçka spontane, natyrisht. Të gjithë pak a shumë arritëm të mësonim se ishte nga Pakistani, se kishte ardhur në kinema nga shoqëria e djemve të rrugës, se ishte zgjedhur për të bërë vagabondin në film, kur e ushtronte në jetën e përditshme etj. Ishim njohur me biografinë e Nargiz, partneres së tij, vajzës së bukur me kurmin e veçantë dhe zërin e rrallë që këndonte plot pasion me ritme energjike. Dinim emrin e tij - Ranbir Raj Kapoor. Mjaft herë e shihnim të shkruar nëpër mure. Ishte e çuditshme mënyra si i siguronim këto të dhëna. Atëherë nuk bëhej fjalë për internet e revista artistike, por pasioni i moshës bënte të pabesueshmen. Sidoqoftë, për brezin tonë Raxh Kapuri vlerësohej princi i “Hollywood”...
Të vijmë tani tek takimi i parë me Raxh Kapurin...
E kam takuar kur isha me studime në Bashkimin Sovjetik. Për herë të parë jam përballur me të në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku. Ishte një privilegj ky nga shoqëria me këngëtarin Rashid Bejbutov, i cili sa ishte kthyer nga turneu në vendin tonë. Ata të dy ishin miq më herët. Me Rashidin ishim njohur ditët e para që kishim mbërritur aty. Me të rrinim shpesh bashkë, bisedonim për këngët, filmat, traditat, dilnim shëtitje, loznim pingpong, bilardo etj. Madje edhe këndonim rusisht dhe shqip. Nga më të preferuarat për të ishte potpuria “Shkova në Elbasan/ për me ble fustan”, të cilën e këndonte lirshëm shqip. Një ditë na tha se kishte ftuar për vizitë idhullin e tij Raxh Kapuri.
Na shpjegoi se do ta priste në shtëpinë e vet dhe do të organizonin aktivitete bashkë. Kjo na gëzoi pa masë. Së paku do të kishim rast të shikonim nga afër Raxhin e “Vagabondi”-t. Aty për aty i thashë të na krijonte mundësinë ta takonim edhe ne. Me bujarinë e tij na premtoi se do bënte të pamundurën. Dhe në fakt e mbajti fjalën. Qysh ditën kur Raxh Kapuri mbërriti në Baku, Bejbutovi na rezervoi takimin e shumëpritur. Bashkë me shokun tim Kristaq Çipo u gjendëm te shtëpia e tij në kohën e caktuar. Nga padurimi më kujtohet që aty mbërritëm më herët nga sa e kishim lënë. Bejbutovi na priti te dera dhe na ftoi të hynim. E ndoqëm pas dhe u futëm në dhomën ku kishte mysafirin. Përpara syve, i ngritur në këmbë, na zgjati dorën një djalosh i gjatë rreth dy metra me fytyrë të zeshkët. Ishte Raxhi...
Çfarë kujtoni nga takimi i parë me Raxh Kapurin?
Raxhit i kishte folur më parë për ne Bejbutovi. Kjo e bëri bisedën më të lirshme. Fillimisht u prezantuam. I thashë se ishim shqiptarë dhe ndodheshim aty për studime. Me sa dukej nuk i kujtonte gjë emri i Shqipërisë. Preferoi të merrte kapelën time e të pozonte para pasqyrës aty pranë. Na pyeti gjerë e gjatë për vendin, për profesionin e detarit, për filmat tanë. Ia shpjeguam me aq sa mundëm. Pastaj biseda ra tek “Vagabondi” dhe unë nuk rreshta t’i kujtoja bujën që kishte shkaktuar tek ne shfaqja e tij. I thashë se unë dhe shumë nga shokët e mi e kishim parë filmin e tij edhe tre-katër herë në ditë. Ai më shikonte në sy dhe hera-herës vinte buzën në gaz. Një moment nisa të këndoj “Raxh Kapurin”. Ai brofi në këmbë dhe pasi më përqafoi, ma bëri me shenjë duke më kujtuar se tani ishte radha e këngës së tij. Sakaq nisi ngadalë-ngadalë “Shkova në Elbasan/ për me ble fustan”. Me sa duket surprizën e kishte menduar miku ynë i përbashkët Bejbutov, i cili e shoqëronte me zërin e tij të mrekullueshëm. Pastaj u kthyem përsëri te pyetjet për jetën dhe karrierën e tij në kinema...
Çfarë ishte interesante në rrëfimin e Raxhit për fillesat në fushën e filmit?
Në fakt ne e kishim fiksuar Raxhin si një hajdut xhepash, që në rrugën e kinemasë ishte futur rastësisht. Por nuk kishte qenë kështu. Kur ia shpreha këtë, më dëgjoi dhe duke buzëqeshur filloi të tregojë: Unë filmin e parë e kam luajtur në moshën 6-vjeçare. A kam bërë në fëmijërinë time çapkënllëqe apo vjedhje, nëse mund ta quanim kështu. Patjetër që kam bërë. Kam rrëmbyer p.sh. në vitrina ndonjë panine apo sanduiç, dhe e kam ndarë me miqtë e mi të varfër. Ka ndodhur që kam marrë ndonjë paketë cigare për të ndihmuar shokun që nuk kishte mundësi për ta blerë. Por kjo ka qenë vetëm një pjesës e fëminisë time. Pjesa tjetër është e lidhur me kinemanë, me filmin. Ndërkaq shpjegoi se fillimi i kësaj rruge ka qenë i rastit. “Teksa lozja një ditë në rrugët e Bombeit, tregonte ai, më thanë se më kërkonte një burrë i veshur me kostum e kollare. Kujtova për një moment se ishte i policisë dhe nuk shkova. Ndodhi që ai këmbënguli deri sa u përballëm me njëri-tjetrin. Më tha se ishte regjisor dhe më ftoi për një film. Nuk e di çfarë e kishte sjellë tek mua, por sa pranova, më mori direkt dhe pa asnjë provë më çoi te sheshi i xhirimeve. Aty bëra hajdutin e ‘Vagabondi’-t”. Ndenjëm rreth dy orë atë natë në shoqërinë e tij. Kur u ndamë na kujtoi se do takoheshim përsëri gjatë ditëve në vijim...
U takuat përsëri me të?
Ato ditë ishin intensive për Raxh Kapurin, me takime, biseda e koncerte të shumta. Të rinjtë dhe studentët e shumtë që e ndiqnin nga pas për t’i marrë një autograf apo për të pozuar me të, më kujtonin shokët e mi të Gjirokastrës që rendnin pas postierit Qani me këngën e Raxhit në buzë. Nuk bëhej fjalë të qëndronim gjatë ditës me të. Vetëm kur kthehej te shtëpia e mikut tonë Bejbutov, rrinim bashkë për orë të tëra. Na pyeste për vendin tonë, për njerëzit, për luftërat në rajon. I përgjigjeshim me mënyrën tonë, me atë patetizmin e kohës. Ai qetë-qetë na zbriste nga qielli në tokë. Interesohej për vegjëlinë, për njerëzit papërkrahje, për jetimët, për lirinë e të rinjve, për pakicat e rrënuara. E shikonim në sy dhe hera herës i ktheheshim filmave të tij. Flisnim pastaj për ta. I shpreha një moment dëshirën për të vizituar Shqipërinë. Raxhi sakaq u gjallërua dhe pasi pyeti të zotin e shtëpisë për procedurat, premtoi se do të vinte patjetër. U gëzova shumë. Për një çast mendova gëzimin e të rinjve shqiptarë, duke u përqafuar me idhullin e tyre. Por nuk qenkej e thënë. “Divorci” me Moskën do ta ngrinte përfundimisht ëndrrën në sirtar.
A keni ruajtur fotografi nga çastet kur bisedonit me Raxh Kapurin?
Solla kur u ktheva nga studimet në Bashkimin Sovjetik mjaft albume me fotografi. Padyshim ato me Raxhin ishin kujtimet më të bukura. Kisha me dhjetra të tilla. Qëlloi ajo prishja me Moskën dhe Hrushovin dhe të gjithë ne që kishim qënë aty kaluam në sitën e sigurimit, herë haptazi e herë tinëz. Kjo do të thoshte që duhej të hidhnim matanë gjithçka që mund të dokumentonte një lloj nostalgjie për Rusinë. Ishte kjo fushatë që u bë shkak për ti fshehur fotografitë me Vagabondin. E në këtë siklet, duke i çuar sa nga njëra "bazë" te tjetra një ditë më humbën fare. Nuk kishte më keq. E kam peng të madh që nuk munda ti ruaj...
“Vagabondi”-n na e hoqi nga kinematë Mao Ce Duni
“Raxh Kapuri u shfaq për herë të parë në kinematë tona në mesin e viteve ‘50 dhe u zhduk në heshtje aty nga fillimi i ‘70-ës. Që atëherë ‘Vagabondi’ i famshëm i harroi ekranet shqiptare dhe u burgos për vite me radhë në arkivat e mykura të kohës. Askush s’u kujtua të shpjegojë arsyet e kësaj sjellje misterioze. Me sa duket vrulli i zhvillimeve politike e sfumoi kërshërinë për persekutimin e Raxh Kapurit. Megjithatë adhuruesit pëshpëritnin nën zë emrin e njeriut që kishte porositur ndalimin e shfaqjes së tij. Urdhërdhënësi, sipas tyre, kishte qenë Mao Ce Duni”. Më tej në rrëfimin e Myfit Qordukës, shqiptarit të miqësuar me “Vagabondi”-n kur ishte në Bashkimin Sovjetik, përmendet konteksti politik që viktimizoi të madhin Raxh Kapuri. “Në fillimet e ‘70-ës, shpjegon ai, u ndez konflikti midis Kinës dhe Indisë për çështjen e Kashmirit. Përballja e “vëllait të madh” të Shqipërisë komuniste do bëhej shkak në një farë mënyre për mbylljen e dyerve të kinemasë për kryeheroin e Indisë”. Po aktori-idhull nuk do fshihej asnjëherë nga kujtesa e brezit të të rinjve të viteve ‘60-‘70. Diku aty nga fillimi i viteve 80, kur ishte bërë zyrtare ndarja përfundimtare me Kinën e Mao Ce Dunit, fansat e shumtë trokitën në arkivin e Kinostujos dhe gjysëm ilegalisht u ritakuan me Raxhin e "Vagabondi"-t. Rrethi i tyre padyshim do të ishte i vogël. Sidoqoftë, përfundimisht do të çmalleshin me të pas shumë kohësh. Qorduka thotë se me ardhjen e demokracisë shumëkush nga bashkëmoshatarët e tij vrapuan për t’i dhënë lirinë “Vagabondi”-t. Ai vetë ka nxituar për të qenë në grupin e parë të atyre që ndoqën shfaqjen e filmit të Raxh Kapurit në verën e vitit ‘93...
“Ju flet Moska”, e papritura e lajmit të spikerit të Stalinit
Një lajm i pazakontë mbërriti një ditë të zakonshme në akademinë e detarisë në Baku. “Ju flet Moska. Të gjithë para radios! Pritet një lajm i rëndësishëm!” Zëri i spikerit të Stalinit ndërpreu për një çast mësimin dhe të gjithë studentë e pedagogë mbetën si të ngrirë. “Situata e papritur, kujton Myfit Qorduka, ish-studenti shqiptar i pranishëm aty, do të thoshte se filloi lufta. Zëri i Leventanit për sovjetët ishte bërë simboli i saj. Ishte spikeri që Hitleri e shkëmbente me tre divizione. Sidoqoftë, makthi zgjati vetëm pak momente”. Shfaqja te radio Moska e spikerit të Stalinit, sipas kapitenit të Pashalimanit, këtë herë nuk kishte të bënte me luftën, por me një sukses të sovjetëve. Leventani njoftoi mbërritjen nga kozmosi të Juri Gagarinit. Qorduka ka një mik në Tiranë që ruan si kujtim diskedën me zërin origjinal të Gagarinit të madh në momentin e nisjes drejt Kozmosit dhe komandat e drejtuesit të operacionit Krillov. "Janë rregjistruar aty, thotë ai thirrjet, komandant dhe përgjigjet çast pas çasti. Dëgjohet i pari Krillovi me numurimin 10,9,8,...0 "Nisemi!" Pastaj reagimi i Gagarinit: "Ju kuptova! Po nisem!" Në mbyllje uturima e turbinave të anijes gjigande që mëngjesin e 12 prillit 61 filloi ngritjen historike..." Kapiteni i Pashalimanit e vlerëson si një relikë të rrallë diskedën me zërin e Gagarinit, të cilën profesor Vasili e posedon qysh atëherë. Ndërkaq, Qorduka shton se shumë detaje nga ky revolucion siç e vlerësonin atëherë sovjetët mbërritjen e parë në kozmos, i ka mësuar nga miku i tij, Sotir Nako, i cili ishte njohur nga afër me astronautin e madh.