Shoferi i unazës: Si e plagosi Ilir Paja agjentin e policisë
TIRANE – Rrahman Demiraj, rreth të 60-tave, dëshmoi dje te Krimet e Rënda se si u përfshi edhe ai në “rrëmujën” e krijuar gjatë arrestimit të Ilir Pajës, një vit më parë ku u plagos rëndë një agjent policie. I thirrur në cilësinë e dëshmitarit okular, në gjyqin në ngarkim të Pajës, Demiraj tregoi përpara togave të zeza plagosjen e punonjësit të operacioneve speciale B.H., vepër për të cilën akuzohet Ilir Paja. Sipas dëshmisë, ditën e ngjarjes Demiraj drejtonte një autobus në pjesën e brendshme të Unazës, nga Farmacia 10 në drejtim të Bërrylit. “Ishte ora rreth 11:00 e 6 marsit 2008”, tha Demiraj. “Unë hapa krahun dhe u futa në stacionin e urbanit pranë Farmacisë 10. Hapa dyert e autobusit. Ndërsa pasagjerë po zbrisnin dhe hipnin nga autobusi, dëgjova disa të shtëna. Pasagjerët filluan të bërtasin. Aty pashë një makinë ngjyrë bojëqielli, apo gri që u përplas me autobusin që unë po drejtoja në pjesën e fundit të tij, në krahun e shoferit. Makina erdhi nga korsia tjetër e rrugës duke kaluar mbi trafik-ndarësen. Nga pas atë e ndiqte një person hipur mbi një motor. Pas përplasjes, automjeti devijoi drejtim dha eci indietro me shpejtësi të madhe. Me shpejtësi siç ishte, ai përplasi personin me motor duke e futur poshtë gomave”, tregoi dëshmitari. Sipas tij, një person civil, që i ishte prezantuar si punonjës policie i kishte kërkuar ndihmë për të nxjerrë personin e plagosur nga poshtë makinës së vogël. “E ngritëm makinë dhe nxorëm personin, i cili ishte krejtësisht i gjakosur. Më vonë mësova se ai kishte qenë punonjës policie”. Ngjarja për të cilën akuzohet Ilir Paja ndodhi më 6 mars të vitit të kaluar pranë vendit të quajtur “Farmacia 10” në Tiranë. Paja ishte në kërkimi ndërkombëtar kur ai u pikas nga disa agjentë të operacioneve speciale teksa udhëtonte në kryeqytet me një “Fiat punto”. Sipas prokurorisë, në momentin që agjentët do të bënin ndalimin dhe prangosjen e tij, Paja e ka përplasur njërin prej tyre me automjetin “Fiat”, duke e plagosur rëndë. Paja akuzohet nga Prokuroria për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë, për shkak të cilësive të veçanta”, kundrejt një agjenti policor. ar.ba