Dosja: Lidhja e Gërdecit me trafikun e fishekëve
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria shqiptare duket se është e qartë për lidhjen mes Gërdecit dhe parregullsive në shitjen e municioneve nga Shqipëria në Afganistan. Në një letërporosi për kërkim provash shtesë, dërguar në SHBA dhe në Bosnje, shpejtohet qartë rrjedha e ngjarjeve dhe ndërmjetësit e kontratave të MEICO-s për Gërdecin dhe shitjen e fishekëve që dërgoheshin në Afganistan. Në të dy rastet, ndërmjetësi është i njëjtë, Heinrich Thomei, personazhi misterioz nga Zvicra dhe një bashkëpunëtor i tij, Adnan Sarajlic nga Bosnje Hercegovina. Më vonë në lojë hyn edhe Mihal Delijorgji, i propozuar nga Ylli Pinari për të bërë ndërmjetësin në shitjen e fishekëve, pas tentativës për të larguar kompaninë qipriote EVDIN, e cila dyfishoi çmimin për palën amerikane. Më poshtë, botohet raporti i Prokurorisë në letërporosinë dërguar autoriteteve në SHBA dhe Bosnje Hercegovinës.
“Prej qershorit të vitit 2007 deri më 15 mars 2008, në zonën e quajtur Gërdec të rrethit Tiranë, zonë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes Shqiptare, është zhvilluar një proces për demontimin e municioneve luftarake, në bazë të një kontrate që ndërmarrja e kësaj ministrie, e quajtur MEICO kishte lidhur me kompaninë amerikane Southern Ammunition Company Inc (SAC Inc), me president shtetasin Patrick C. Henry III, dhe me seli në Loris, South Carolina. Kjo e fundit, nga ana e saj kishte transferuar të drejtën e ushtrimit të këtij aktiviteti shoqërisë shqiptare “Albademil” sh.p.k, e krijuar me kapital të përbashkët midis shtetasit shqiptar Mihal Delijorgji dhe shtetasit amerikan Patrick C.Henry III, i cili në krijimin e kësaj shoqërie, nuk paraqitet si përfaqësues i kompanisë SAC Inc, por si individ. Si rezultat i këtij aktiviteti, në kushtet e një mungese të plotë të rregullave dhe standardeve të sigurisë, për të garantuar këtë proces, më datë 15 mars 2008, në vendin ku realizohej procesi i demontimit të municioneve, kanë ndodhur një seri shpërthimesh të fuqishme, ku si rezultat kanë gjetur vdekjen 26 persona, janë plagosur rëndë 11 persona, janë plagosur lehtë 31 persona dhe 260 persona kanë pësuar dëmtime të natyrës më të lehtë. Gjithashtu në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit, janë dëmtuar 5413 banesa, objekte ndërtimi, orendi dhe pajisje, 32 biznese private dhe 34 ferma bujqësore.
Si ndërmjetës i palëve në këtë biznes, hetimi ka evidentuar shtetasin zviceran Henrich Thomet, i cili është president i shoqërisë EVDIN Ltd me seli në Larnaca, CYPRUS.
Për këtë ngjarje, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë ka regjistruar procedimin penal nr.03, të vitit 2008 dhe ka marrë në cilësinë e të pandehurit shtetasit shqiptarë Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli, Ylli Pinari të akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese në dëm të më shumë se dy personave dhe të rrezikshme për jetën e shumë të tjerëve”. Në ngarkim të shtetasit Ylli Pinari rëndon edhe akuza “shpërdorim detyre”. Përveç të lartëpërmendurve, janë duke u hetuar edhe disa funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes Shqiptare, mes tyre edhe ish-ministri i Mbrojtjes z.Fatmir Mediu, i cili dyshohet se veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës i ka kryer me qëllim realizimin e përfitimeve të padrejta për vete apo persona të tjerë.
Pas ngjarjes së rëndë, të ndodhur në ambientet ku ushtrohej aktiviteti i shoqërisë “Albademil” sh.p.k, për demontim dhe çmilitarizim municionesh, në media janë bërë të njohura publikisht fakte, sipas të cilave ka pasur abuzime me municionet e dërguara nga Shqipëria në Afganistan në funksion të kontratës që ndërmarrja MEICO ka pasur me shoqërinë AEY Inc dhe EVDIN Ltd.
Në këto kushte, hetimi është orientuar edhe në këtë drejtim, nga ku rezulton se ndërmarrja ushtarake MEICO, më 18 maj 2007 kish hyrë në marrëdhënie kontraktore për shitje municioni luftarak me shoqërinë AEY Inc, president i të cilës ishte Efraim Diveroli, i cili nga ana e tij ka pasur kontratë me Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për blerje fishekësh luftarakë kalibër 7.62 mm për t’i dërguar në Afganistan. Pavarësisht se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë të ndaluar me ligj blerjen dhe tregtimin e armëve dhe municionit ushtarak të prodhimit kinez, shoqëria amerikane AEY Inc me President Efraim Diveroli ka kontraktuar nëpërmjet shoqërisë EVDIN Ltd, me ish-drejtorin e ndërmarrjes shqiptare MEICO, të pandehurin Ylli Pinari dhe ka treguar municione të prodhimit kinez. Për të fshehur origjinën e municioneve që tregtoheshin, z.Diveroli ka rënë dakord me të pandehurin Pinari që ato të ripaketoheshin, e në funksion të kësaj, fillimisht është nënkontraktuar shoqëria “XHOI” sh.p.k me administrator z.Kosta Trebicka e më pas në procesin e paketimit të municioneve është përfshirë drejtori ekzekutiv i shoqërisë “Albademil” sh.p.k, i pandehuri Dritan Minxolli. I përfshirë në këtë proces si palë, rezulton të jetë edhe shoqëria EVDIN Ltd me president shtetasin zviceran Heinrich Thomet dhe me përfaqësues në lidhjen e kontratës, shtetasin nga Bosnje hercergovina, Adnan Sarajlic, me detyrë Marketing Manager pranë kësaj shoqërie me seli në adresën: Thermopylon 1, 6023 Larnaca, CYPRUS. Pagesta sipas partive të municionit që blihej, shoqëria AEY Inc i dërgonte në numrin e llogarisë bankare EVDIN Ltd, e kjo e fundit mbyllte ciklin, duke kaluar një pjesë të tyre që korrespondonin me sasinë e mallit të shitur sipas çmimit real në favor të ndërmarrjes MEICO.
Gjatë fazës së zbatimit të kësaj kontrate, kanë dalë dhe probleme të tjera, pasi presidenti i shoqërisë amerikane AEY Inc, Efraim Diveroli ka mësuar se çmimi me të cilin ai blinte municionet, ishte pothuaj 2 herë më i lartë se ai i përcaktuar në dokumentacionin e ndërmarrjes “MEICO”. Për këtë arsye ai ka ardhur në Shqipëri për të biseduar me drejtuesin e kësaj ndërmarrje, të pandehurin Ylli Pinari. Takimi është zhvilluar në një ambient të fshehtë (në një apartament), ku merrnin pjesë edhe 2 persona të tjerë, njëri prej të cilëve administratori i shoqërisë Albademil sh.p.k i pandehuri Mihal Delijorgji. Në këtë takim, me pretendimin se shoqëria EVDIN Ltd me president Heinrich Thomet, e futu si ndërmjetëse në këtë biznes me kërkesën e të pandehurit Ylli Pinari, dyfishonte padrejtësisht çmimin e shitjes, Presidenti i shoqërisë amerikane AEY Inc z.Diveroli, ka kërkuar nga ai që kontrata të lidhej mes tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me çmimin real me të cilin shteti shqiptar i shiste municionet, duke larguar nga ky biznes shoqërinë EVDIN Ltd me president Heinrich Thomet. Në përgjigje të kësaj kërkese, i pandehuri Ylli Pinari është shprehur dakord në parim për të zhvilluar drejtpërdrejt biznesin mes tyre dhe largimin si ndërmjetës të shoqërisë EVDIN Ltd, me kushtin që “ndërmjetës” të ishte administratori i shoqërisë “Albademil” sh.p.k Mihal Delijorgji dhe dërgesat e parave të bëheshin te ky i fundit. Me argumentin se do t’i duhej kohë për t’u menduar për këtë propozim, z.Diveroli është larguar. Duke marrë shkas nga këto propozime dhe duke i konsideruar si jo të ligjshme, z.Diveroli dhe bashkëpunëtorët e tij kanë kërkuar takim me ish-ministrin e Mbrojtjes Shqiptare, personin nën hetim Fatmir Mediu, për ta vënë atë në dijeni. Në fakt takimi është zhvilluar te Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili u angazhua se për pretendimet e tyre do të vinte në dijeni ministrin dhe shumë shpejt do t’u kthente përgjigje. Nisur nga fakti që nuk iu kthye përgjigje, madje nuk u mor masë ndaj të pandehurit Pinari, presidenti i shoqërisë AEY Inc, është larguar për në SHBA. Në këto kushte para grupit të hetimit kanë dalë të dhëna dhe indicie për të cilat çmohet e nevojshme të zhvillohen hetime në drejtim të ekzistencës së fakteve, mbi të cilat ngrihen dyshime për veprime korruptive nga ana e funksionarëve publikë, subjekteve private, trafikimit të armëve dhe pastrimit të parave.
Hetimet e kryera hedhin dyshime se të dyja kontratat e lidhura nga ndërmarrja shqiptare “MEICO” me shoqërinë amerikanë AEY dhe SAC Ins, futja si ndërmjetëse e kompanisë EVDIN Ltd apo e shoqërisë “Albademil” është bërë për qëllime korruptive dhe një pjesë e shumës që teorikisht duhet të përfitojë shoqëria EVDIN apo Albademil duhet të jetë transferuar për pastrimin e parave nëpër llogari të tjera që i përkasin shtetasve që janë përfshirë dhe kanë mundësuar këtë proces”.
Minxolli nga burgu: Në Gërdec s‘kishte grup hije
TIRANE - Dritan Minxolli, ish-Drejtori i fabrikës që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit më 15 mars të vitit të kaluar, sulmon mediat nga burgu, duke pretenduar se po abuzohet me publikimin e fakteve dhe dokumenteve nga kjo dosje. Nëpërmjet një letre, dërguar nga qelitë e paraburgimit 313, Minxolli pohon se fabrika e Gërdecit nuk ishte nën ombrellën politike të askujt. “Nisur nga publikimet në median elektronike dhe të shkruar ditët e fundit të një pjese të dëshmive dhe dokumentesh dëshiroj të bëj një prononcim. Konstatoj me keqardhje se nga këto media është marrë përsipër roli i prokurorit e gjykatësit duke aluduar, supozuar, shtjelluar e rrjedhimisht gjykuar këto fakte sipas interesave politike që këto media përfaqësojnë dhe financohen. Duke harruar se dosja sapo ka mbërritur në gjykatë dhe mund ta shkatërrojnë plotësisht atë”, pohon Minxolli, i cili shton gjithashtu se aludohet së fundmi për implikimin të segmenteve të ndryshëm veshur me pushtet politik, të cilët sipas interpretimeve mediatike ushtronin influencën e tyre brenda mureve të fabrikës së Gërdecit nëpërmjet grupeve të punës, të ashtuquajtura “grupe hije”. Duke pretenduar se ky është trillim i mediave, në interpretimet që bëjnë duke rrëmbyer e vjedhur padrejtësisht copëza dokumentesh të dosjes “Gërdeci”, Minxolli shton se dëshiron të deklarojë me përgjegjësinë e tij të plotë se dosja “Gërdeci” fatkeqësisht është bërë kalë beteje dhe pre e një fushate politikë shumë të egër, që sapo ka nisur dhe nuk kursen asgjë. Duke shpjeguar për mënyrën e punësimit në fabrikën e tragjedisë, Minxolli thotë se: “të gjitha grupet e punës në të gjitha proceset janë marrë në punë nga kompania amerikano-shqiptare “Alba Demil” dhe përbëheshin nga njerëz të cilët në interes të nevojave ekonomike të familjeve të tyre bënin një punë, duhet thënë jo të lehtë, për të cilën paguheshin. Theksoj se në këto grupe pune nuk bën përjashtim askush”, përfundon Minxolli. fa.ma