I ngacmoi shoqen, vret 18-vjeçarin
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Për një ngacmim qëllon 18-vjeçarin me thikë në zemër. Vrasja ndodhi në mes të qytetit të Vlorës pasditen e djeshme, pas një sherri mes dy të rinjve. Viktima, Armir Danaj u godit nga një moshatar i tij. Autori, Arsi Dajlani u arrestua rreth mesnatës nga policia. Në momentin e krimit ishin të pranishëm dy shokë të viktimës si dhe një grua, të cilët janë shoqëruar në polici për të hedhur dritë mbi rrethanat e krimit. Sipas burimeve të policisë, rreth orës 16:00 është marrë informacioni për ngjarjen e rëndë. Mendohet se ajo e ka zanafillën pak ditë më parë, kur pretendohet se viktima ka hedhur fjalë ngacmuese ndaj një vajze, e dashura e autorit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për shkak të hetimit. Prej atij momenti, mes dy adoleshentëve, të dy nga Vlora, marrëdhëniet ishin të nderura. Kjo, derisa pasditen e djeshme. Nga shokë të viktimës, maturant në gjimnazin “Ali Demi” mësohet se Armiri po dilte nga kursi i anglishtes në atë orë. Një mesazh në celular nga një vajzë e ka detyruar atë që të dalë në vendin e caktuar për takim, në afërsi të vendit të njohur si “Kryqëzimi Rinia”. Sapo është afruar aty me dy shokët, një makinë i ka ndaluar pranë, prej nga ka zbritur autori 18-vjeçar. Ai i ka thënë pak fjalë dhe pa pritur zgjidhjen gjakftohtë të konfliktit ka nxjerrë një thikë e me të e qëllon moshatarin e tij në kraharor. Një goditje e vetme ishte fatale për jetën e Danajt. Autori u largua me shpejtësi nga vendngjarja me makinë, ndërsa dëshmitarët morën të lënduarin për ta transportuar në urgjencën e spitalit të Vlorës, ku brenda pak çastesh ai ndërroi jetë. Policia e lajmëruar për krimin mbërriti në vend, duke identifikuar menjëherë autorin dhe shpallur atë në kërkim. Mësohet se ai është 18 vjeç dhe nxënës në një shkollë private të qytetit. Sipas të dhënave jozyrtare, në makinë me autorin ka qenë një femër që ka parë skenën, por nuk dihet roli dhe lidhja e saj me personin që qëlloi. Dyshohet se ajo bashkë me dëshmitarët e tjerë, shokë të viktimës janë shoqëruar e marrë në pyetje në polici, por nuk u bënë të ditura thëniet e tyre. Ajo që policia ka zbardhur ishte se mes autorit dhe viktimës kishte pasur dhe më parë një sherr, pikërisht pasi Danaj ishte akuzuar për ngacmim ndaj të dashurës së moshatarit të tij. Tashmë policia po punon që të gjejë dhe personin që sipas dëshmitarëve i çoi mesazh në telefon viktimës në momentet para vrasjes. I pari familjar që e ka mësuar lajmin e rëndë ishte e ëma e Armirit, e cila punonte mami në maternitetin e Vlorës.
Policia arreston në mbrëmje autorin
Grupe të policisë janë shpërndarë dje pas krimit të ndodhur në të gjithë qytetin, duke kontrolluar banesa e verifikuar mjetet që qarkullonin në hyrje e dalje të Vlorës. Policia arriti të kapte autorin, Arsi Dajlanin rreth mesnatës, ndërsa tentonte të fshihej në banesën e një të njohuri të tij, në qytetin e Vlorës.