Plagos me thikë nusen e vëllait
FIER - Plagos me thikë nusen e vëllait për shkak të mosmarrëveshjeve familjare. Adelina Hamzaraj, banuese në lagjen “16 prilli” në Fier përfundoi dje në gjendje të rëndë në spital, pasi e goditi me thikë motra e bashkëshortit të saj. Ngjarja ndodhi kur Dallëndyshe Alushaj kishte shkuar në banesën e kunatës së saj dhe kishte gjetur në shtëpi prindërit e kësaj të fundit. Ata pasi kanë pirë një kafe të shpejtë janë larguar. Por, Alushaj në këtë moment ka nisur konfliktet me 24–vjeçaren, nënë e një fëmije duke e akuzuar se ajo nuk i respektonte njerëzit që vinin në shtëpinë e tyre. Ajo e ka akuzuar nusen e shtëpisë se ajo madje nuk respektonte as prindërit e saj, përderisa nuk i mbajti ata për drekë, por i përcolli vetëm me një kafe. Kaq ka mjaftuar që dy kunatat të degjenerojnë me sharje e fyerje ndaj njëra–tjetrës. Në debat e sipër, Dallëndyshe Alushaj, nënë e dy fëmijëve, ka rrëmbyer një thikë në shtëpinë e saj të vajzërisë dhe filloi të godiste nusen e vëllait. Policia mbërriti në spital pas sinjalizimit të dhënë nga mjekët. Thika e kishte zënë viktimën në brinjën e majtë. Mjekët thanë se gjendja e saj është jashtë rrezikut. Blutë arrestuan autoren 35-vjecaren Dallëndyshe Alushaj, ndërsa morën në pyetje të plagosurën. Sipas burimeve, e arrestuara ka pohuar se prej disa kohësh kishin konflikte mes kunatash. Shkak sipas saj ishte mungesa e respektit të nuses së re karshi të afërmve që shkonin në banesën e prindërve të saj. m.r