Laç, eksploziv në derën e shtëpisë
LAÇ - Një sasi eksplozivi e vendosur në derën e apartamentit terrorizon një familje në Laç. Ngjarja ndodhi në lagjen nr.4 të këtij qyteti, kur një gazetashitëse, e afërme e familjes ku ishte vënë eksplozivi gjeti sasinë e lëndës. “Dola nga banesa e kushërirës time rreth orës 05:30 pasi do të ikja për të marrë gazetat dhe për t’i tregtuar në Laç. Sapo hapa derën vura re një qese të cilën e mora. Kur dola jashtë pallatit, pasi ishte errësirë, më kapi dora një fitil. Aty vura re që ishte eksploziv”, u shpreh Trëndelina Shalla. Ajo bëri menjëherë denoncimin në polici, por kjo e fundit ende nuk ka mundur të zbardhë ngjarjen. Policia e Kurbinit bëri të ditur se ka nisur hetimet për këtë ngjarje. Sipas burimeve, dyshohet se eksplozivi mund të jetë vënë gabimisht në derën e shtëpisë ku ajo u gjet. Kjo pasi në banesën ku do të kryhej shpërthimi jeton vetëm një grua me dy fëmijë, ndërsa i shoqi është emigrant. Mësohet se as bashkëshorti i saj nuk ka konflikte me njeri, çka mund të kishte shkaktuar ndonjë tentativë për hakmarrje të mundshme apo kërcënim. r.n