Mbeturinat e qytetit rikthejnë protestën e banorëve të Komësisë
BURREL - Prej 13 vitesh Bashkia e Burrelit është në konflikt me banorët e fshatit Muzhakë dhe komunën e Komësisë. Sa herë moti ngroh dhe sasia e mbetjeve që firma e pastrimit derdh në afërsi të varrezave të dëshmorëve të rrethit Matit, pak kilometra larg fshatit Muzhakë, banorët e të cilit pretendojnë pronësinë mbi tokën i rikthehen çështjes së pronës së tyre dhe ndotjes së madhe të mjedisit. Hedhja e mbetjeve të qytetit në pronat e këtij fshati ka sjellë zënien e tokës, tymra dhe erë të rëndë jo vetëm për kalimtarët e rrugës Burrel-Komësi, por edhe për banorët e fshatrave përreth dhe repartin ushtarak të Mollëzave. Parcela nr. 604 është pushtuar nga bashkia, ndonëse në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Mat kjo sipërfaqe ku qyteti hedh tonelata plehra në ditë, është e dokumentuar si pemëtore dhe vreshtë, pronë e banorëve të fshatit Muzhakë. Dikur ishte vendosur që grumbullimi i mbeturinave të qytetit të bëhej poshtë rrugës nacionale Burrel-Komësi, duke hapur një rrugë për transportimin e tyre dhe madje duke bërë edhe rrethimin e vendit ku do të hidheshin ato. Mirëpo ky vendim asnjëherë nuk u zbatua dhe të gjitha mbetjet organike e inorganike të qytetit hidhen poshtë rrugës nacionale, pa devijuar asnjë metër poshtë saj. Çdo ditë, mbeturina nga më të ndryshmet, ushqime, plastmasë, letra, gjethe, inerte të ndryshme, kafshë të ngordhura e gjithçka tjetër hidhet në anë të rrugës. Vetëm 500 metra larg qytetit, shumë pranë fshatrave të banuar dhe repartit ushtarak këto mbetje kundërmojnë erë të rëndë dhe janë burim sëmundjesh dhe infeksionesh. “Banorët e Muzhakës, drejtuesit e komunës Komësi, këshilli komunal i janë drejtuar me peticione e letra të shumta Këshillit Bashkiak, prefekturës, Këshillit të Qarkut, ministrit të Mjedisit, Kryeministrit, por në asnjë rast nuk kanë marrë një përgjigje”, thanë banorë të komunës. Herë pas here me iniciativën e drejtuesve të komunës banorët e Muzhakës kanë protestuar dhe kanë kërkuar ndaljen e këtij abuzimi. Banorët e Muzhakës dhe Komësisë thonë se jo vetëm do të protestojnë, por ata nuk do të marrin pjesë në votimet e 28 qershorit. h.p