Arrestohet burri, keqtrajtoi rëndë gruan 40-vjeçare
Konfliktet brenda familjes kanë sjellë një sherr me përmasa të mëdha në rrethin e Fierit. Një çift bashkëshortësh nga një fshat i komunës, pas një sherri të rëndë mes tyre, i cili degjeneroi në rrahje, ka sjellë plagosjen e rëndë të gruas 40-vjeçare. Sipas burimeve, shtetasi Maks Agolli ka rrahur të shoqen duke e qëlluar atë me mjete të forta dhe trajtuar në mënyrë barbare. Kanë qenë fqinjët e kësaj familjeje, si dhe dy fëmijët e rritur të tyre, që kanë bërë të mundur largimin nga duart e të shoqit të shtetases Yllka Agolli, e cila ka rënë pa ndjenja duke mos reaguar fare. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniformat blu të policisë së Fierit, të cilët kanë shoqëruar për në spitalin rajonal të Fierit të dëmtuarën rëndë, e cila ndodhet ende në gjendje kritike për jetën në spital. Sipas familjarëve, sherri mes çiftit Agolli ka ardhur pas debateve të përditshme, pasi Maksi vinte çdo ditë në gjendje të dehur në shtëpi, dhe për pasojë keqtrajtonte fëmijët dhe vetë gruan 40-vjeçare. Pas kësaj ngjarjeje, është bërë shoqërimi për në ambientet e komisariatit të policisë i autorit të ngjarjes, mbi të cilin rëndon akuza e “plagosjes së rëndë” me dashje ndaj bashkëshortes së tij.