E Diel, 1 Nëntor 2026

Blindohet gjykata, i komunikohet akuza vrasësit të nënës së Lul Cakës



Pret ftohtë dhe pa interes akuzën, gjykata cakton masën “arrest me burg” për Mile Çamin. Rrëmbeu, përdhunoi dhe vrau nënën e të fortit të Beratit

Blindohet Gjykata e Fierit. Mile Çami, i dyshuar si autori i vrasjes së nënës së Lul Cakës, shoqërohet për masë arresti nga burgu ku vuan dënimin. Nën masa të rrepta sigurie, me një seancë me dyer të mbyllura, dje në Gjykatën e Fierit u zhvillua seanca e caktimit të masës së sigurisë për të dyshuarin si autor të vrasjes së nënës së të fortit të Beratit, Lul Caka. I pandehuri Fatmir Emini akuzohet se nëntë vjet më parë ka rrëmbyer, përdhunuar dhe më pas ka vrarë Xhavrije Cakën, nënën e Lulit. Togat e zeza të kësaj gjykate, pasi kanë dëgjuar rrethanat, provat dhe kërkesën e prokurorit të çështjes, si dhe pretendimin e palës mbrojtëse, ka caktuar masën “arrest me burg” për Fatmir Eminin (Mile Çamin). I pandehuri është shoqëruar nga burgu i Rrogozhinës, aty ku vuan dënimin prej disa kohësh, nën masa të rrepta sigurie, dhe nën po të njëjtat masa u zhvillua edhe seanca, e cila vazhdoi me dyer të mbyllura për efekte sigurie. Sipas burimeve nga gjykata, i akuzuari Fatmir Emini mësohet ta ketë pritur me gjakftohtësi këtë komunikim, madje duke mos shprehur aspak interes dhe duke qëndruar shumë ftohtë kundrejt kësaj akuze. Atij i është komunikuar akuza për rrëmbim, përdhunim dhe më pas vrasjen me paramendim të nënës së Lul Cakës, ngjarje kjo e ndodhur në 9 vite më parë. Sipas policisë, kanë qenë vëllezërit Artan dhe Bledar Yzeiri që kanë rrëmbyer 52-vjeçaren, Xhavrije Caka, te porta e pasme e godinës së Drejtorisë së Policisë së Fierit, ku priste të takonte djalin e saj, Lul Caka. Më pas e kanë çuar në pyllin pranë lumit Seman, ku i priste Fatmir Emini. Aty 52-vjeçarja është torturuar, përdhunuar e më pas qëlluar me armë zjarri. Fatmir Emini, i njohur ndryshe si Mile Çami, vuan aktualisht dënimin prej 22 vitesh burg në Rrogozhinë për një tjetër vrasje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›