E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentuan të vrasin një shtetas, pranga dy vëllezërve Ferra



Dy vëllezër nga fshati Vërri i komunës Mbrostar të Fierit u ndaluan në orët e vona të dy netëve më parë nga policia e këtij qyteti, pasi tentuan të vrasin me armë zjarri të prodhimit artizanal një bashkëfshatarin e tyre për motive të dobëta. Sipas burimeve zyrtare policore, vëllezërit Altin dhe Sandri Ferra, përkatësisht 30 dhe 44 vjeç, u ndaluan nga policia rreth orës 22.30 të dy netëve më parë, pasi akuzohen për veprën penale “vrasje të mbetur në tentativë në bashkëpunim”, si dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake". Po i njëjti burim bëri të ditur se ngjarja ndodhi në fshatin Vërri, në vendin e quajtur “Kthesa e Kallmit”, rreth orës 19.40, kur dy vëllezërit i kanë dalë përpara bashkëfshatarit dhe komshiut të tyre, Gëzim Selimi, duke e qëlluar me armë zjarri të prodhimit artizanal (tip pistoletë). Selimi është dërguar me urgjencë në spitalin e qytetit në gjendje të rëndë për jetën, ndërkohë që autorët janë larguar nga vendngjarja. Sipas burimeve policore, mësohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta.

Malësi e Madhe

E zë korenti teksa lidhte pompën e ujit, humb jetën 18-vjeçari

Një 18-vjeçar nga Malësia e Madhe humbi jetën aksidentalisht në orët e vona të dy netëve më parë, pasi ra në kontakt me energjinë elektrike, teksa ishte duke lidhur një pompë uji në pusin në oborrin e shtëpisë së tij. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Shkodrës, 18-vjeçari Ardian Smajli, lindur e banues në fshatin Çezme të komunës Gruemirë të rrethit të Malësisë së Madhe, humbi jetën në orët e vona të dy netëve më parë, pas kontaktit me energjinë elektrike. Sipas dëshmisë së familjarëve, i riu vdiq teksa po lidhte telat e kontaktit të energjisë elektrike me një pompë uji të vendosur në oborrin e shtëpisë së tij.

Korçë

Favorizimi i emigracionit klandestin, ndalohen dy persona

Dy persona nga Korça u ndaluan dje nga policia kufitare e këtij rrethi, për favorizim të emigracionit klandestin drejt Greqisë për qëllime fitimi. Sipas burimeve zyrtare policore, bëhet e ditur se shtetasit Koço Llazari, 35 vjeç dhe Jani Shabani, 40 vjeç, që të dy nga Korça, u ndaluan nga policia kufitare pasi dyshohen për kryerjen e veprës penale “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”. Mësohet se policia nuk bëri të ditur rrethanat dhe numrin e personave që ka ndihmuar 35-vjeçari Llazari për kalim të paligjshëm të kufirit, ndërsa për 40-vjeçarin Shabani sqaroi se ditët e fundit ka ndihmuar dy shtetase për kalim ilegal në Greqi. Sipas policisë, në datën 3 qershor Shabani i ka dhënë ndihmë shtetaseve A.G., 40 vjeç nga fshati Balldren i Lezhës dhe B.N. nga fshati Kashnjet i Lezhës për të kaluar në Greqi. Nga hetimet e policisë ka rezultuar se dy shtetaset e mësipërme kishin dhënë si parapagim 400 euro dhe më pas do të jepnin edhe 1400 euro të tjera kur të mbërrinin në Kozan të Greqisë. Pas ndalimit të këtyre personave për favorizim të trafikut të qenieve njerëzore për qëllime fitimi, çështja i ka kaluar Prokurorisë së rrethit të Korçës për hetime të mëtejshme.

Tiranë

Aksioni “Oxhaku”, sekuestrohen 70 vula false

Policia e Tiranës sekuestroi dje rreth 70 vula të institucioneve të ndryshme si dhe një sërë dokumentesh zyrtare të falsifikuara në ambientet e një banese në afërsi të Xhamllikut në Tiranë, operacion i kryer në kuadër të një operacioni të koduar “Oxhaku”. Ndërkohë që, falë këtij operacioni është vënë në pranga 55-vjeçari Bashkim Sejdini. Arrestimi i tij u krye pas një hetimi disamujor ku, sipas burimeve zyrtare të policisë, u përdorën të gjitha metodat speciale të hetimit. Policia mundi të sekuestronte vula të institucioneve të ndryshme si të bashkisë, doganave, hipotekave, vula komunash, vula shkollash, vula policie. Po ashtu, shtetasit Bashkim Sejdini iu gjendën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe një sasi prej 11 leje për drejtim automjetesh të falsifikuara e të paplotësuara.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›