E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet çifti falsifikator

08/03/2005  Inspektorët e antikrimit ekonomiko-financiar vënë në pranga një çift falsifikatorësh. Riza dhe Sadete Jaho u arrestuan ditën e diel pas një gjurmimi 1-mujor nga agjentët e SAEF-it. Bashkëshortëve iu bllokuan në cilësinë e provës materiale një numër i madh dokumentesh zyratre të rreme.

Prangosja

Riza dhe Sadete Jaho kishin kohë që merreshin me falsifikimin e dokumenteve të ndryshme. Bashkëshortët punonin më së shumti në shtëpinë e tyre, ku dhe mblidheshin klientët që kishin nevojë për ta. Burime nga zyra e antikrimit ekonomik shprehen se, çifti nga Berati kishte vite që punonte me të njëjtën klientelë, e cila pasurohej me kalimin e kohës me të njohurit e tyre. Beratasit nuk nguronin të dilnin dhe pranë ambasadave të huaja për t’u ardhur në ndihmë kundrejt shumave të mëdha parash hallexhinjve që prisnin radhën. Veç kësaj, Jahot kishin "ekskluzivitetin" e falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Ndonëse Rizai, 54-vjeçar, kishte qenë dënuar dhe njëherë më parë nën këtë akuzë, duket se nuk kishte zënë mend. Me të dalë nga qelia ia kishte nisur sërish ushtrimit të aktivitetit antiligjor, duke përfshirë dhe gruan e tij 49-vjeçare. Pas marrjes së sinjalit të parë, agjentët e antikrimit ekonomik kishin afro 1 muaj që gjurmonin lëvizjet e të arrestuarve. E si të mos mjaftonin informacionet, bashkëshortët falsifikatorë u kapën në flagrancë me dokumente të rreme si certifikata, vërtetime, hyrje doganore, vërtetime të njësive bashkiake si dhe pjesë të tamponave që kanë shërbyer për prodhimin e këtyre dokumenteve. Vepra penale e kryer nga ata është parashikuar nga nenet 186, 191 dhe 301 të Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›