E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Tolerancë zero ndaj fenomenit të anafalbetizimit

08/03/2005  Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha dje në ditën e 7 marsit se motoja e opozitës në rast se fiton zgjedhjet do të jetë toleranca zero ndaj analfabetizmit. Kreu demokrat i bëri këto deklarata gjatë një pritjeje të organizuar me arsimtarë dhe pedagogë me rastin e festës së mësuesit në ambientet e Hotel "Tirana International". "Zero tolerancë ndaj analfabetizmit do të jetë motoja jonë. Unë do të qëndroj në anën tuaj, në përpjekjen e madhe fisnike tuajën për të pajisur çdo nxënës dhe student me praktikën, ekspertizën, njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të përballuar nevojat e tregut, dhe për të përmbushur standardet bashkëkohore", tha Berisha. Lideri demokrat u shpreh se strategjia e PD-së për arsimin parashikon modernizimin e sistemit arsimor, duke premtuar dhe vendosjen e internetit në çdo klasë. "Unë dua të siguroj fëmijët e Shqipërisë se nuk do të qëndroj kurrë si korb vetmitar, por do të përpiqem që së bashku me ta të fluturoj çdo 15 shtator në klasat e tyre moderne, normale, me një numër nxënësish të pranueshëm, të pajisura me kompjuter dhe internet në çdo klasë, në mënyrë që çdo fëmijë shqiptar, duke klikuar aty, të mund të hyjë në hapësirën e pafundme të kibernetikës", tha Berisha. Për sa i përket sistemit universitar, kryetari i PD-së u premtoi pedagogëve dhënien e autonomisë së plotë të universiteteve tona, në përputhje dhe me Kartën e Bolonjës. "Unë do të jem në anën tuaj, të dashur kolegë të universiteteve, për të garantuar autonominë e plotë të universiteteve tona, për të zbatuar me rigorozitet procesin e Bolonjës, për të hapur dyert e universiteteve tona për nxënësit shqiptarë, për të orientuar këta të fundit drejt tregut", tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›