E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryeministri sulm ministrit të Arsimit, Memushi

08/03/2005  "Nëse doni autonominë, mos u ktheni në ministra të vegjël arsimi, më keq se ai

që kritikoni"

Nano: MASH-it, besoj do të ndryshojë dhe emrin, sepse është bërë si `masha` që nuk i lëshon gjërat që kap"

Kryeministri Fatos Nano, ditën e mësuesve, nuk ka ngurruar të sulmojë me kritika të ashpra ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Luan Memushin, për mungesë të reformave. Gjatë konferencës për Arsimin e Lartë me temë "Procesi i Bolonjës dhe nevoja për ndryshim, për një arsim modern të një shoqërie që po integrohet në BE", kreu i ekzekutivit shqiptar, ka radhitur problemet e shumta që has sistemi arsimor në Shqipëri. Sipas Nanos, "korpusi i përgjithshëm që rregullon veprimtaritë në fushën e arsimit të lartë, korpusi i përgjithshëm i ligjeve, përfshi edhe vendime qeverie, apo akte normative të MASH-it, e cila në procesin e reformimit besoj do të ndryshojë dhe emrin, sepse është bërë si `masha` që nuk i lëshon gjërat që kap". Në këtë takim, vetë ministri Memushi nuk ka marrë pjesë, duke akumuluar për herë të dytë kritikat e kreut të qeverisë. Vetëm disa javë më parë, gjatë analizës vjetore të qeverisë, Memushi është kritikuar më tone më të zbutura nga Kryeministri Nano. Dje kreu i ekzekutivit ka bërë një vlerësim të Kartës së Bolonjës dhe implementimit të saj në sistemin arsimor shqiptar. Por, ai theksoi se "e famshmja MASH ka përgjegjësinë direkte për të siguruar procesin e bashkëpunimit midis shkollave të larta brenda vendit. E shoh si gurin e themelit për modernizimin e arsimit tonë të lartë, por në këtë ndërmarrje s´mund të ecet më as me dilentantizëm, as me enverizëm, as me voluntarizëm, as me lobingje politike, që errësojnë më shumë perspektivën".

Autonomia

Qeveria shqiptare, sipas kreut të saj, po punon për të vendosur baza dhe standarde moderne në meknizimin e procesit të Kartës së Bolonjës, për autonominë e sistemit të lartë shkollor. Edhe në këtë aspekt, Nano i është drejtuar pedagogëve, duke sulmuar sërish Memushin. "Nëse doni autonominë, mos u ktheni në ministra të vegjël arsimi, më keq se ai që kritikoni", tha Nano. Sipas tij, "Qeveria është e vendosur për një spektër të gjerë të autonomisë, pra për atë autonomi administrative, që shkon shkallë-shkallë në Universitete, në Fakultete e deri në Departamente. Do të qe jo vetëm humbje kohe, por edhe shumë e dëmshme dhe abuzive, që autonomia administrative e Universiteteve, në raport me MASH-in, të konceptohej e shoqërohej me centralizim kompetencash, apo me shumëfishimin e modeleve MASH në nivel Rektoratesh në kurriz të Dekanateve dhe të këtyre të fundit në kurriz të Departamenteve".

Reforma

Proceset reformuse në sistemin arsimor në vendin tonë, Kryeministri Nano i shikon në një përafrim të legjislacionit shqiptar me atë të vendeve evropiane. Kërkesa dhe nevoja emergjente për një reformim tërësor të këtij sistemi për kreun e ekzekutivit nuk mund të mbetet në kuadër të një fantazie të bukur. Sipas Kryeministrit, "që reforma të mos mbetet një fantazi e bukur, kërkon një shkallë të lartë konceptimi, organizimi, menaxhimi, përveçse vizion dhe ide progresiste. Për këtë arsye, qeveria do të krijojë një Komitet Kombëtar të Arsimit të Lartë, të përbërë nga personalitetet më të spikatura shkencore të vendit, që të drejtojnë hartimin e politikave dhe strategjitë e zhvillimit të asimit të lartë dhe të sugjerojë masat me të shpejta që duhen marrë, në bazë të interesave madhore integruese të vendit", tha Nano.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›