LSI mbështet raportin e SHBA
08/03/2005 LSI ka akuzuar Ministrinë e Rendit Publik, pasi puna e dobët e kësaj strukture e ka klasifikuar Shqipërinë si vend kryesor të tranzitimit të drogave, por edhe si kultivues dhe prodhues narkotikësh. Zëdhënësi politik në LSI, Sokol Dervishaj, duke iu referuar raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi Strategjinë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve, ka theksuar se "siguria e luftës kundër drogës rrezikohet nga vetë institucionet, që duhet të luftojnë këto fenomene, ashtu dhe nga zyrtarët e lartë të shtetit". Gjithashtu, Dervishaj thekson se "shteti dhe qeveria kanë pasur një ndihmë të vazhdueshme nga partnerë ndërkombëtarë, por prap trafiku i drogave ka marrë përmasa të rrezikshme. Ai është i lidhur me krimin e organizuar dhe një mori aktivitetesh të tjera të paligjshme, që kanë të bëjnë me kriminalizimin e ekonomisë shqiptare, pastrimin e parave që krijohen nga aktivitete të paligjshme, rritjen e kriminalitetit etj". Ndërkohë që reforma në radhët e bluve për zëdhënsin e LSI-së kanë sjellë reduktimin e strukturave të specializuara të luftës kundër drogës, duke dhënë rezultate kërcënuese për sigurinë e vendit.