E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS rrëzon afrimin e datës së zgjedhjeve

08/03/2005  Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të votojë kundër amendamenteve të refomatorëve për afrimin e datës së zgjedhjeve ditën e enjte në seancë plenare. Ky qëndrim ka dalë nga mbledhja e djeshme e grupit socialist, të cilët kanë kundërshtuar zhvillimin e zgjedhjeve përpara muajit korrik. Data 3 korrik, sipas socialistëve duke iu referuar Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, është e vetmja datë që respekton dy dokumentet themelorë të vendit. Sipas deputetit Bardhyl Agasi, "amendamenti i paraqitur nga disa nismëtarë për afrimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme është parë si e pamundura nga Grupi parlamentar i PS-së, sepse bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe si e tillë grupi vendosi që ta hedhë poshtë në seancën e ditës së enjte". Ndërkohë, Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, pritet që, pas votimit në seancën plenare të amendamentit për afrimin e datës së zgjedhjeve, të dekretojë datën e zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›