Arrestohet dëshmitari i 21 janarit

Hysni Peposhi me protestuesin e vrarë, Hekuran Deda
Një prej dëshmitarëve më të fortë të dosjes 21 janari i pranishëm në vrasjen e Hekuran Dedës, u arrestua nga forcat e Policisë së Tiranës mbrëmjen e së premtes.Hysni Peposhi, dëshmitari okular që pa vrasjen e shokut të tij Hekuran Deda, gjatë demonstratës së 21 janarit 2011 e më pas akuzoi publikisht Gardën e Republikës, u arrestua nga policia në periferi të Tiranës. Burimet zyrtare thanë se arrestimi është kryer për shkak se Hysni Peposhi ka fyer e kundërshtuar forcat e policisë. Drejtoria e Policisë së Tiranës tha se 37-vjeçari Hysni Selim Peposhi, banues në Domje, u arrestua sepse në rrugën kryesore të Kamzës ka goditur, kundërshtuar dhe fyer, për shkak të detyrës, një punonjës të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit Nr.5. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se Hysni Peposhi ishte parashikuar në axhendën e mitingut përmbyllës të fushatës elektorale të Partisë Socialiste, që u zhvillua dje në Pallatin e Sportit Asllan Rusi. Ai kishte përgatitur edhe një fjalim, të cilin pritej ta mbante pasditen e djeshme para elektoratit të PS. Megjithatë, pas arrestimit, Peposhit i duhet të kalojë 72 orë në qelinë e Komisariatit Nr.5, në Kamzë. Hysni Selim Peposhi u arrestua në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pasi ishte shoqëruar një natë më parë me akuzën se kishte goditur, fyer dhe kundërshtuar një punonjës policie të Komisariatit Nr.5, për shkak të detyrës. Burime nga Policia shpjegojnë se Peposhi ka qenë në gjendje të dehur në momentin kur është këmbyer me makinën e tij, me një makinë të Patrullës së Përgjithshme, në afërsi të kryqëzimit që lidh Kamzën me Laknasin. Aty ai ka nisur kërcënimet verbale, deri sa ka zbritur nga mjeti, njëkohësisht me policin, e më pas e ka goditur e kundërshtuar gjatë shoqërimit. Ky është varianti i dhënë nga burimet e Policisë.
DESHMITARI
Hysni Peposhi, nga Kukësi dhe banues në Laknas, ka qenë i pranishëm në një nga vrasjet e 21 janarit. Ai duket në imazhet filmime të regjistruara i veshur me xhup portokalli, duke i mbajtur kokën Hekuran Dedës, pas vrasjes. Ai ka tentuar të ndihmojë shokun e tij, pasi ai u qëllua me një plumb dhe u rrëzua në bulevard. Peposhi, në momentin e vrasjes, ndodhej ngjitur me platformën ku ishin të pozicionuara kamerat e televizioneve dhe është fokusuar në momentin kur Hekuran Deda qëllohet me një plumb në kokë dhe rrëzohet nga platforma. Në atë moment, Hysni Peposhi kthehet në një prej dëshmitarëve më të rëndësishëm të ngjarjes, pasi kishte parë të gjithë skenën e vrasjes, sipas tij edhe vendin nga vinin plumbat nga Kryeministria e më pas shokun e tij të gjakosur dhe pa jetë, teksa i thërriste dhe i mbante kokën me duar. Peposhi ishte një prej katër dëshmitarëve okularë të vrasjeve gjatë demonstratës, që u thirr për tu marrë në pyetje nga organi i akuzës, më 26 janar 2011. Dëshmitari ka treguar në Prokurori se, ditën e protestës janë nisur në drejtim të Tiranës rreth orës 09:30 të mëngjesit, ndërsa ka pohuar se pas demonstratës do të riniseshin sërish drejt Greqisë, ku qëndronin e punonin prej disa vitesh. Peposhi, i cili shfaqet duke mbajtur kokën e viktimës Hekuran Deda, ka treguar edhe momentet fatale, kur, sipas tij, së bashku me 36-vjeçarin kanë qenë në një platformë të ngritur nga televizionet disa metra larg portës hyrëse të Kryeministrisë. Mësohet se ai ka pohuar faktin se plumbat kanë ardhur nga Kryeministria. Dëshmitari ka deklaruar se pak momente para ngjarjes, Hekuran Deda ka qenë pranë tij dhe për një moment, ai është kthyer për ti dhënë një cigare njërit prej protestuesve. Pikërisht ky ka qenë edhe momenti i goditjes së plumbit, kur ai ka parë shokun e tij të rrëzohej nga platforma dhe të binte në tokë.
21 janari, në gjyq edhe 3 demonstrues të dhunshëm
Tirane Pas përballjes me gjykatën të personit që qëlloi me makinë portën e Kryeministrisë gjatë demonstratës së 21 janarit, Prokuroria dërgon në gjyq me akuzën e kundërshtimit të punonjësve të policisë edhe tre pjesëmarrës të tjerë në protestën e opozitës. Ditën e djeshme, Prokuroria ka dërguar në gjykatë dosjet penale në ngarkim të shtetasve Jetmir Prenga, Lefter Miçe dhe Alban Elhasa. Ata akuzohen se kanë qenë të pranishëm në demonstratën e 21 janarit dhe më pas, gjatë veprimeve të policisë kanë kundërshtuar uniformat blu. Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria ka ngritur akuzë ndaj të pandehurit Jetmir Prenga për kryerjen e veprës penale kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit. Ndërkohë, e njëjta akuzë është ngritur edhe për të pandehurin Lefter Miçe. I akuzuari i tretë, Alban Elhasa, është i pandehur në dosjen e ngjarjeve të 21 janarit me akuzën e goditjes për shkak të detyrës. Sipas Prokurorisë, nga imazhet filmike të medias dhe policisë, tre personat janë identifikuar si pjesëmarrës në aktet e dhunës ndaj forcave të rendit, gjatë demonstratës së 21 janarit në Tiranë. Pas arrestimit nga policia në datën 27 janar, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë arrest me burg për shtetasin Jetmir Prenga, i identifikuar si një ndër kundërshtuesit kryesorë të policisë gjatë demonstratës. Ndërkohë, për të pandehurit Lefter Miçe dhe Alban Elhasa, Gjykata e Tiranës caktoi masën detyrim paraqitjeje, disa ditë pas demonstratës së 21 janarit. Ndonëse ata u lanë të lirë, mbi bazën e provave dhe regjistrimeve filmime ata akuzohen para gjykatës se kanë kundërshtuar e goditur efektivat e policisë që ruanin rendin tek Kryeministria. Pak ditë më parë, Prokuroria dërgoi në Gjykatë dosjen penale ndaj Agron Troksit, i cili me makinën e tij qëlloi portën e Kryeministrisë më 21 janar.
Si e shmangu Prokuroria akuzën për grusht shteti
TIRANE Siç mund të shikohet edhe në regjistrat e Gjykatës së Tiranës, por edhe në dosjet e Prokurorisë, të gjithë demonstruesit e 21 janarit, që u akuzuan për akte dhune, janë hetuar veçmas. Në asnjë rast ata nuk janë hetuar nga Prokuroria për kryerjen e veprës penale shkatërrim pronë apo prishje e rëndit e qetësisë publike në bashkëpunim. Ndonëse imazhet filmike të mediave edhe botërore, (Reuters, VOA, Euronews etj) tregonin sesi grupe 3-4 personash digjnin makinat e qëllonin policët, Prokuroria vendosi që të gjithë demonstruesit, ndonëse ishin implikuar bashkërisht në të njëjtën ngjarje të ndodhur në të njëjtën kohë, ti hetojë veçmas. Kjo u bë për faktin se, nëse hetoheshin të gjithë demonstruesit në një dosje, atëherë duhej të ndryshonte edhe akuza ndaj tyre. Sipas procedurës penale, por edhe sipas burimeve të Prokurorisë, nëse hetoheshin dhe akuzoheshin së bashku në një dosje të gjithë demonstruesit e dhunshëm të 21 janarit, atëherë vepra penale që duhej ti referohej atyre ishte grusht shteti apo tentativë për prishje të rendit kushtetues, duke qenë se grupe të organizuara në bashkëpunim mes tyre sulmuan pronën publike e private dhe institucionet.
ETLEVA DELIA