E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet dhe dënohet kryepolici i Dropullit që hyri në tokën greke



Luan Kondi

Tiranë – Kishte shkuar për të bërë pazar vetjak në anën tjetër të kufirit, por kolegët e policisë greke e kanë ndaluar. Ngjarja e rrallë ka ndodhur ditën e mërkurë teksa oficeri i Policisë Shqiptare Jorgo Kokoli, me detyrë komandant i Postës së Policisë së Dropullit, njëherazi efektiv i uniformave blu të Gjirokastrës, i cili ka psonisur në frishopin e doganës greke, ka reaguar keq ndaj pyetjes së kolegëve për mënyrën se si kishte hyrë deri atje. Kaq ka mjaftuar që ai të konfliktohej me kolegët, por përfundimi ka qenë fare i pakëndshëm për të, pasi oficeri shqiptar ka përfunduar në pranga.
Arrestimi
Tashmë konflikti me punonjësit e policisë greke në pikën kufitare të Kakavijës i ka kushtuar edhe largimin nga radhët e policisë komandantit të Postës së Policisë së Dropullit, oficerit Jorgo Kokoli. Por kusuret për të nuk mbaruan me kaq, pasi ish-oficeri i policisë pas ndalimit në Janinë doli dy ditë më parë para gjykatës, e cila dha për të 2 vjet liri me kusht dhe 10 mijë euro gjobë. Duke iu referuar njoftimit të policisë së Gjirokastrës, “të mërkurën rreth orës 16:25, Jorgo Kokoli, oficer policie, me detyrë komandant i Postës së Policisë Dropull, të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, kishte shkuar në pikën e kalimit kufitar Kakavijë nga ana e palës greke, në frishopin që ndodhet në territorin e doganës së palës greke, për të blerë sende të ndryshme”. Gjatë kësaj kohe, Kokoli, po sipas policisë, është konfliktuar dhe ka kundërshtuar me dhunë një punonjës policie të policisë greke. Menjëherë kolegët grekë kryen arrestimin dhe shoqërimin e tij për në rajonin e policisë së Janinës për veprën penale të “Kundërshtimit me dhunë të forcave të policisë”.
Masat
Me marrjen e njoftimit nga pala greke, drejtori i Policisë së Qarkut Gjirokastër ka bërë pezullimin e menjëhershëm të oficerit Jorgo Kokoli nga detyra. Aktualisht ndaj oficerit Jorgo Kokoli, të pezulluar nga detyra, kanë nisur procedurat për përjashtimin nga radhët e Policisë së Shtetit, pasi akuzohet se ka shkelur kodin e etikës dhe ka thyer rregulloren e disiplinës. Drejtuesit e Policisë pritej të firmosnin dje largimin përgjithnjë nga radhët e uniformave blu të Jorgo Kokolit, pasi për ta ka edhe një vendim gjykate dhënë dy ditë më parë nga drejtësia e shtetit fqinj për kundërshtim me dhunë të policisë. Nisur nga vendimi i dhënë, atij i duhet të ketë kujdes dhe të mos kryejë asnjë vepër penale sepse është dënuar 2 vjet me kusht, si dhe me 10 mijë euro gjobë, ndërsa do të hetohet në liri.

Ekstradohet nga Greqia, ishte dënuar për kalim klandestinësh me dokumente false

Tiranë - Është ekstraduar dje nga Athina shqiptari Fatmir Kodhelaj, 34 vjeç, nga Fieri. Ekstradimi i 34-vjeçarit, sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, është bërë pasi Gjykata e Gjirokastrës e ka dënuar me 3 vjet burgim dhe 4 milionë lekë gjobë, për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Ky është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi më 13 shkurt 2006, me mjetin e tij me targa greke, ka tentuar për të kaluar në mënyrë të jashtëligjshme në Greqi shtetasen shqiptare L. Z., me pasaportën e bashkëshortes së tij, kundrejt pagesës prej 1700 euro. Kodhelaj është arrestuar në Athinë më 22 prill të këtij viti. Në Aeroportin e Rinasit i arrestuari i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që e kanë dërguar në qeli.

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›