“Verniku 2” sjell pranga për trafikantët e qenieve njerëzore
Tiranë - Dy persona janë vënë në pranga nën akuzën e “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Në njoftimin për shtyp, policia e Tiranës shkruan: “Përparim Vata, 34 vjeç, nga Kukësi, si dhe Pandeli Goga, 54 vjeç, nga Lushnja, të dy banues në Tiranë, janë vënë në pranga gjatë operacionit “Verniku 2”. Kanë qenë specialistët e Seksionit të Luftës kundër Trafiqeve pranë Krimit të Organizuar në Policinë e Tiranës, që, në vazhdim të operacionit “Verniku” të muajit qershor të këtij viti, në orën 10:00, falë një hetimi disamujor me anë të metodave speciale të hetimit, kanë arrestuar dy personat e mësipërm. Vata dhe Goga janë arrestuar pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka dhënë për ta masën e sigurisë “arrest me burg”. Materialet procedurale në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Trafiku i prostitucionit, babë e bir mbeten sërish në burg pa afat
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi dje kërkesën e palës mbrojtëse për ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për të pandehurit Astrit dhe Nelger Pata, babë e bir, të cilët akuzohen për trafikimin e një vajze shqiptare për qëllime prostitucioni disa vite më parë në Norvegji. Gjatë seancës së djeshme, përfaqësuesit e mbrojtjes kërkuan procedimin e klientëve me masën e sigurisë arrest shtëpie, kërkesë që u hodh poshtë nga trupi gjykues. Me rrëzimin e kërkesës, të pandehurit braktisën sallën e gjyqit, gjë që solli ndërprerjen e procesit. Seanca e radhës u la për javën e ardhshme. Astrit dhe Nelger Pata u arrestuan disa muaj më parë nga Policia e Shtetit, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila i akuzon për mashtrim dhe më pas trafikim për prostitucion të një vajze, ngjarje e ndodhur disa vite më parë në Norvegji. Vajza, që ka bërë kallëzim penal ndaj këtyre personave, aktualisht i është nënshtruar një programi mbrojtjeje në vendin nordik. Ndërkohë, deklarimet e saj janë administruar në dosjen që autoritetet norvegjeze i përcollën Prokurorisë Shqiptare.
Mungojnë avokatët, dështon seanca për bandën e Lushnjes
Tiranë - Ka dështuar dje seanca gjyqësore në ngarkim të të pandehurve të bandës së Lushnjes. Shkak për këtë është bërë mungesa në sallën e Gjykatës së Krimeve të Rënda e përfaqësuesve të mbrojtjes ligjore të dy nga shtatë të pandehurit e procesit, të cilët akuzohen si anëtarë të ish-bandës kriminale të drejtuar nga Aldo Bare. Në këto kushte, Gjykata caktoi të premten e ardhshme ditën për zhvillimin e seancës së radhës. Të pandehur në këtë proces janë Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion (Niko) Cici, Arian Aliko, Jorgo (Agur) Muzaka (Musaku) dhe Rexhep Gina. Këta persona, të akuzuar si pjesë e bandës së Lushnjes, akuzohen për disa vepra penale, ndër to edhe për vrasje të ndodhura disa vite më parë në Lushnje. Në proces gjykimi në këtë gjykatë është edhe Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare, i cili procedohet në mungesë. Bare ndodhet i arrestuar në Turqi, ndërsa autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e tij.
8 Nentor 2008