E Hënë, 2 Nëntor 2026

Luftë me armë në mes të Shkodrës, plagoset rëndë kalimtari



SHKODËR – Përplasja me armë mes dy grupeve të armatosura në qytetin e Shkodrës ka përfshirë në konflikt edhe një eskortë të shoqërimit të një banke private, të cilët kanë qëlluar me armë dhe për pasojë ka mbetur i lënduar një kalimtar i rastësishëm. Ngjarja ndodhi dje në mesditë, ndërsa deri në mbrëmje ende nuk ishte arrestuar asnjëri nga autorët. Zëdhënësja e Policisë së Qarkut, Fatbardha Çelepia, i tha mbrëmë “Albania”-s se janë marrë në pyetje dëshmitarët e pranishëm në vendngjarje, ndërsa nuk ka ende asnjë person të arrestuar. Sipas burimeve zyrtare, gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur rëndë shtetasi Hysen Tula, i cili ndodhet nën përkujdesin e mjekëve të Spitalit Rajonal të Shkodrës.
Konflikti
Disa persona kanë zbritur nga një fuoristradë dhe kanë hapur zjarr ndaj një mjeti që po lëvizte në korsinë tjetër të rrugës, në hyrje të qytetit të Shkodrës. Sipas burimeve zyrtare, rreth mesditës së premte, makina me ngjyrë të gjelbër, duke dalë nga Shkodra, sapo ka marrë kthesën prapa pikës së karburantit, ka hyrë në korsinë e rrugës, duke qëlluar mbi një automjet tip benz që lëvizte në korsinë tjetrit. Pas benzit ecte drejt qytetit të Shkodrës edhe makina e një banke që transportonte para për në filialin e saj në qytetin verior. Duke parë plumbat që vinin në drejtim të mjetit të tyre, policët e sigurisë kanë shkëmbyer zjarr mbi personat në fuoristradë. Për pasojë, plumbat kanë plagosur rëndë 52-vjeçarin Hysen Tula, i cili kishte parkuar furgonin e tij pranë dyqanit dhe po shkarkonte mallin. Ai ka marrë plagë të rënda dhe po i nënshtrohet ndërhyrjeve kirurgjikale në Spitalin e Shkodrës. Dy mjetet që mendohet se janë të përfshira në atentat janë larguar dhe akoma nuk dihet se kujt i përkasin. Ndërsa makina që transportonte paratë e bankës ka kryer procedurat përkatëse të dorëzimit të parave dhe më pas është vënë në gatishmëri të policisë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Provat
Ndërsa efektivat e policisë private që shoqëronin makinën e bankës kanë marrë dëmtime të lehta nga ciflat e xhamave të thyer, mbi makinën e bankës policia konstatoi pesë plumba dhe një xham të thyer.
Në vendngjarje kishte një numër të madh gëzhojash , që nuk i përkasin një arme të vetme. Policia ende nuk konfirmon se kush ka qenë objekt i sulmit, ndërsa po punohet për gjetjen e autorëve dhe shkaqet e ngjarjes enigmatike. Policia nuk ka pohuar se përplasja me armë mund të ketë ndodhur për të krijuar terrenin e përshtatshëm që të vidheshin paratë e bankës. Por dyshimet janë hedhur për një përplasje mes grupeve rivale. Kjo ngjarje ka shkaktuar panik në radhët e qytetarëve shkodranë, të cilët e përjetojnë këtë skenë menjëherë pas një tentative vrasjeje të ndodhur në mjediset publike. Para pak javësh ndodhi një vrasje në mes të tregut në qytetin e Shkodrës, ku mbeti i vdekur Hysen Shpuza, ngjarje kjo që u shoqërua me disa përplasje me armë mes dy palëve të përfshira në konflikt.

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›