E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimi, ndalohet biznesmeni grek pas denoncimit



KORÇË - Një shtetas grek u ndalua të premten nga policia, pasi akuzohet se ka mashtruar partnerin e tij shqiptar në biznes. Burime zyrtare bëjnë të ditur se "Janis Papadhjas, 58 vjeç, banues në Livadhja (Greqi), i ka marrë me anë të mashtrimit 20 tonë qymyr një biznesmeni pogradecar, që ka një firmë shfrytëzimi të mineraleve në qytetin e Korçës". Sipas policisë, Papadhjas nuk kishte kryer likujdimin e parave ndaj biznesmenit pogradecar, identiteti i të cilit nuk bëhet i njohur. Mësohet se biznesmeni pogradecar ka dëshmuar në polici se partneri i tij nga Greqia i detyrohet 6000 euro për marrjen e sasisë së qymyrit. Menjëherë pas denoncimit u bë ndalimi i biznesmenit grek, i cili ushtronte një aktivitet të vogël privat në vendin tonë dhe mallin e transportonte drejt Greqisë.

Ndalohet 21-vjeçari, plagosi rëndë një shtetas

GRAMSH - Një 21-vjeçar u ndalua mesditën e së premtes, pasi ka plagosur me mjete të forta një shtetas për motive ende të pazbardhura nga policia. Burimet zyrtare pohojnë se "Arnal Kotori, 21 vjeç, goditi me mjete të forta M. S., 24 vjeç, nga Cërriku, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit, në gjendje të rëndë për jetën". Mësohet se 21-vjeçari Kotori do të procedohet për veprën penale "plagosje e rëndë me dashje". Sipas burimeve në Spitalin Rajonal të Elbasanit, i lënduari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai pritet të merret në pyetje për të zbardhur rrethanat dhe motivet e konfliktit me 21-vjeçarin. Përplasjet me armë të ftohta në qarkun e Elbasanit janë shtuar ndjeshëm gjatë vitit 2008.

Vetëvaret pas shtëpisë 22-vjeçarja me depresion

SHKODËR - Një 22-vjeçare u gjet e vetëvarur të premten në fshatin Shtoj i Ri të Rrethit të Shkodrës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se "Shkurte Lufi, 22 vjeçe, u gjet e vetëvarur nga familjarët e saj në pjesën e pasme të banesës së saj, në fshatin Shtoj i Ri të Komunës Rrethina, në rrethin e Shkodrës". Mësohet se grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje. Nga të dhënat e para dyshohet se shkak për marrjen e vendimit fatal mund të jetë bërë gjendja depresive. Dy ditë më parë u regjistrua një akt vetëvrasjeje në Librazhd, ku njëri përfundoi me vdekjen e një gruaje 34-vjeçare, ndërsa një nënë e tre fëmijëve shpëtoi falë ndërhyrjes së shpejtë të familjarëve dhe dhënies në kohë të ndihmës mjekësore.

Grabitja me maska e kazinosë, ndalohet autori i tretë

KORÇË - Policia e Korçës ndaloi të premten autorin e tretë të grabitjes me maska në një pikë lojërash fati disa ditë më parë, ku mbetën të plagosur edhe dy persona. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se "Teodor Grazhdani, 21 vjeç, me kombësi maqedonase dhe banues në qytetin e Korçës, u ndalua nga policia si bashkautor i ngjarjes së ndodhur më 27 tetor, në një lokal lojërash fati, te pika e karburantit "Shell". Sipas policisë, në këtë ngjarje u grabitën disa persona që luanin me shuma të konsiderueshme të hollash, ndërsa dy prej tyre mbetën të plagosur, pasi u qëlluan me armë zjarri nga grabitësit e armatosur. Policia e Korçës arriti të identifikonte dhe të arrestonte po ditën e ngjarjes dy prej grabitësve të armatosur dhe të maskuar, ndërsa dje ndaloi 21-vjeçarin Grazhdani, të cilët akuzohen për "vjedhje me armë në bashkëpunim".

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›