E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: “Qeveria, e kompleksuar nga problemet e rënda në Progres-raportin e KE-së”



Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, e akuzoi qeverinë “Berisha” se u përpoq të shmangte të vërtetën duke mohuar problemet e rënda të shkaktuara nga keqqeverisja, që evidentoheshin në Progres-raportin e Komisionit Europian për Zgjerimin. Leskaj tha se qeveria është e kompleksuar nga këto probleme serioze. “Kur gjithë shqiptarët dhe BE-ja prisnin që qeveria të dilte të shfaqte përgjegjësitë dhe të thoshte se çfarë masash do të merrte për të përmirësuar situatën lidhur me problemet e mëdha që ngre raporti i BE-së për ecurinë e procesit të integrimit, qeveria edhe këtë herë u përpoq të fshehë të vërtetën. Në vend që të reflektonte bëri një lexim selektiv duke dëshmuar mungesë transparence me publikun edhe mungesë serioziteti dhe përgjegjshmërie për një proces kaq të rëndësishëm e jetik për të ardhmen e vendit. Qeveria, e kompleksuar nga problemet e rënda që ngre raporti, në vend që të reflektonte, në vend që të ulej të bënte një analizë serioze, i anashkaloi çështjet kyçe që ngrihen në raport, duke e detyruar BE-në t'u rikthehet edhe njëherë këtyre çështjeve”, - tha Leskaj. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste përshëndeti deklaratën e ambasadorëve të Bashkimit Europian. Leskaj tha se deklarata ngre probleme serioze që lidhen me zbatimin ligjeve, administratën publike, funksionimin e varfër të sistemit të drejtësisë për shkak të problemeve me pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe transparencën. “Korrupsioni, që përshkruhet si një problem veçanërisht serioz dhe krimi i organizuar, që mbetet një problem serioz për integrimin e vendit. Çështja e pastrimit të parave, lufta ndaj së cilës është vetëm në fazën fillestare. Trafiku i qenieve njerëzore. Trafikimi i brendshëm është gjithashtu në rritje. Dhe kushti për zgjedhje të lira e të ndershme. Këto janë gjëra shumë të rënda, për të cilat ne kemi shprehur vazhdimisht shqetësimin tonë”, - tha Leskaj.

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›