Vetëdorëzohet i mituri për plagosjen me thikë
DURRËS - Një mitur nga qyteti i Shijakut u vetëdorëzua në polici, katër muaj pasi ishte shpallur në kërkim për një plagosje të rëndë. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut bënë të ditur se 14-vjeçari me iniciale D.C., lindur e banues ne Shijak, tashmë është arrestuar sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit të Durrësit që më 21 korrikun e kaluar kishte caktuar ndaj tij masën e sigurimit “arrest me burg”. Sipas policisë, i arrestuari dyshohet se katër muaj më parë ka goditur me thikë një qytetar dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Dy ditë më parë, ai është paraqitur vetë në komisariatin e policisë, duke u treguar i gatshëm që të ballafaqohet me akuzat që janë ngritur ndaj tij. I mituri akuzohet për veprën penale të "vrasjes me dashje, të mbetur në tentativë".
I jep fund jetës pas plagosjes me thikë të kushëririt
BERAT - Policia e kishte shpallur në kërkim si autor të plagosjes me thikë të kushëririt, por 24 orë pas kryerjes së krimit ai i ka dhënë fund jetës, duke pirë një substancë helmuese. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Beratit bëjnë të ditur se shtetasi Përparim Selami ka ndërruar jetë mbrëmjen e dy ditëve më parë në Spitalin e Fierit. Ai është gjetur nga të afërmit e tij në banesë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe më pas është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku gjeti vdekjen. Sipas mjekëve, shkak për vdekjen ka qenë konsumi i lëndës helmuese fostoksinë. Kjo ka dalë nga autopsia që i është bërë kufomës, ndërsa policia ka deklaruar se bëhet fjalë për një vetëhelmim. Dy ditë më parë, Përparimi ka qëlluar 15 herë me thikë, duke e lënë të plagosur rëndë kushëririn e tij, Bujar Selami, punonjës në komunën Kutalli. Ai gjendet në spital në rrezik për jetën, ndërsa agresori u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
8 Nentor 2008