E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet djali i Hysni Milloshit

 

Dashamir Biçaku

Djali i kryetarit të Partisë Komuniste Hysni Milloshi, arrestohet nga policia e Tiranës për akuzën e vjedhjes me dhunë. Merkand Milloshi, 25 vjeç, banues në rrugën “Mustafa Matohiti” pranë gjimnazit “Petro Nini”, në Tiranë është arrestuar nga njësia Operacionale dhe e Mbikëqyrjes të policisë së kryeqytetit. Ndaj djalit të politikanit komunist, policia kishte në duar një vendim arresti “burg pa afat” në mungesë të lëshuar nga Gjykata e Tiranës. Ai sipas burimeve të policisë akuzohej nga Prokuroria për vjedhje me dhunë të një gruaje në kryeqytet. Pikërisht për këtë krim, policia e kishte shpallur në kërkim Merkand Milloshin, si autor të dyshuar të krimit që mësohet se ka ndodhur në zonën e ish-bllokut në kryeqytet. Më pas dosja hetimore është përcjellë në organin e akuzës,, ku kanë vazhduar veprimet hetimore. Pas veprimeve të kryera dhe pas vlerësimit të dokumentacionit të dosjes, Prokuroria ka dhënë të drejtë policisë në dyshimet e saj, duke i kërkuar gjykatës vlerësimin e arrestit me burg në mungesë ndaj 25-vjeçarit me banim në rrugën “Mustafa Matohiti” në pallatin nr.4.
Grabitja me dhunë
Krimi për të cilin është akuzuar Merkand Milloshi sipas burimeve të policisë ka ndodhur në mesin e këtij muaji, kur hetuesit e Komisariatit nr.2 kanë marrë denoncimin e një gruaje. Sipas saj në zonën e ish-bllokut në fillim të muajit nëntor të këtij viti, një person e kishte sulmuar, duke i marrë çantën dhe një varëse të kushtueshme. Pas kallëzimit të bërë nga gruaja, blutë e Komisariatit nr.2, kanë nisur kërkimin e të dyshuarit, ndërsa hetimi i është kaluar, zyrës së Vjedhjes me Dhunë dhe Grabitjeve me armë. Specialistët e Komisariatit nr.2 dhe seksioni i grabitjeve kanë zbuluar autorin e vjedhjes, duke cilësuar si të dyshuar djalin e kreut të Partisë Komuniste si dhe ish-poetit Hysni Milloshi, fitues i shumë festivaleve në RTSH. Ai është shpallur në kërkim policor nga blutë me 11 nëntor 2008, ndërsa më tepër se një muaj më pas, me 23 dhjetor ai është shpallur në kërkim me vendim gjykate. Kjo e fundit dha ndaj tij masën e arrestit me burg pa afat më mungesë dhe më pas vendimi i kaloi policisë për ekzekutim.
Arrestimi
Katër ditë pas masës së arrestit të vendosur nga Gjykata, policia ka arrestuar të kërkuarin në rrugën “Sami Frashëri”, ndërsa ai ishte me disa shokë të tij. Efektivat e policisë i kanë vënë prangat Merkand Milloshit, ndërsa ky i fundit mësohet se ka tentuar t’i rezistojë policisë, duke u munduar të mbrohet bashkë me shokët e tij. Gjithsesi, oficerët e Njësisë Operacionale nuk i kanë dhënë mundësi 25-vjeçarit të largohet apo të reagojë ndaj tyre. Në Drejtorinë e Policisë atij i është komunikuar edhe akuza e vjedhjes me dhunë dhe vendimi i arrestit në mungesë i dhënë nga Gjykata e Tiranës pas kërkesës së bërë nga Prokuroria e Rrethit.

Milloshi tentoi t’i shpëtojë arrestimit

TIRANE – Policia tha se për gati dy javë nuk kishte arritur të saktësonte vendndodhjen e saktë të personit të kërkuar me akuzën e grabitjes me dhunë. Ai ishte identifikuar nga provat e mbledhura prej policisë, si dhe nga përshkrimet e dhëna prej gruas së dëmtuar lidhur me grabitësin e saj. Shërbimet e policisë janë vënë më pas në kërkim të 25-vjeçarit, i cili për disa kohë i ka shpëtuar arrestimit. Të njëjtën gjë, i arrestuari ka bërë edhe në momentin kur policia është vënë në dijeni të vendqëndrimit të tij dhe ka mbërritur aty për ta vendosur në pranga. Sipas burimeve nga operacioni i policisë, mësohet se 25-vjeçari ka tentuar t’i shpëtonte arrestimit edhe në këtë rast, por ndërhyrja e agjentëve të policisë së kryeqytetit nuk i ka lënë shumë mundësi veprimi. Dje në orët e mbrëmjes, të dyshuarit i është komunikuar akuza e grabitjes me dhunë, ndërsa po mbahej në qelitë e policisë së Tiranës.               

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›