Materniteti: Foshnja s’lindi te ne
DURRES/ OERD ULQINI
Nis të bëhet një rast i vështirë hetimi braktisja e një kufome të sapoardhur në jetë në mes të plehrave të periferisë së Durrësit. Foshnja e hedhur në plehrat e Porto-Romanos, e seksit femër me peshë prej 3.7 kg nuk ka lindur në maternitetin e Durrësit. Hetimet intensive të policisë së qytetit kanë arritur të zbardhin këtë fakt të rëndësishëm, i cili i ka çuar hetuesit drejt pistës se lindja mund të jetë kryer në ilegalitet, në kushte shtëpie. Mendohet se në kushtet e një dëshpërimi të thellë, duke mos pasur mundësi financiare për një ceremoni varrimi, nëna ka ndërmarrë aktin e turpshëm. Nuk përjashtohet mundësia që kjo nënë të ketë ardhur nga ndonjë tjetër qytet, për të hedhur në plehra vogëlushen e vdekur. Sipas policisë ky do të ishte një veprim për të humbur gjurmët. Kjo nënë e paidentifikuar, tashmë është një person i kërkuar nga policia shqiptare, e cila kërkon ta vendosë atë në dispozicion të drejtësisë. Policia bën me dije se “përfundimet e deritanishme nga ana e specialistëve janë se, foshnja ka lindur e gjallë me peshë 3.7 kg”. Duke u bazuar në prova, efektivat blu shtuan se “nga këqyrja që i është bërë regjistrit të lindjeve të maternitetit të Durrësit, rezulton se foshnja nuk ka lindur në këtë maternitet”. Konkluzionet e policisë përputhen edhe me deklaratat e bluzave të bardha të Durrësit. “Në maternitetin e Durrësit gjatë kësaj jave nuk ka lindur asnjë foshnjë e vdekur”, shprehet shefi i repartit Obstetri–Gjinekologjisë, dr. Arben Haxhihyseni. Ndërkohë, përmes një deklarate publike spitali rajonal i Durrësit sqaron, se ka një procedurë të rregullt dhe të plotë ligjore për varrosjen e foshnjave të vdekura në shërbimin e Obstetri-Gjinekologjisë. “Kemi pasur një rast negativ në vitin 2005 në lidhje me gjetjen e një foshnje të vdekur, të hedhur në Porto-Romano. Duke marrë shkas nga ky rast, spitali i Durrësit forcoi kontrollin e kësaj procedure dhe njëkohësisht e organizoi atë në mënyrë të plotë, për të mos lejuar përsëritjen e fenomeneve të tilla në të ardhmen”. Aktualisht, sipas burimeve spitalore, kur ka raste të tilla ka një procedurë të plotë ligjore, si: regjistri i identifikimit të këtyre foshnjave me një fletë përcjellëse nga shërbimi i Obstetri-Gjinekologjisë dhe këto foshnja shkojnë në morgun e spitalit, ku vërtetohet shkaku i vdekjes. “Më pas varrimi bëhet nga spitali i Durrësit, i cili ka një kontratë me shërbimin funeral, ku varrimi bëhet në varrezat e qytetit”, thuhet në deklaratën e spitalit të bërë publike nga zëdhënësja Blegina Kanani.
Denoncon për rrëmbim babanë e fëmijëve
PEQIN – Një nënë e re denoncoi për rrëmbim në policinë e Elbasanit babanë e dy fëmijëve të saj. Sipas policisë, Silvana Tafa, 23 vjeçe nga Peqini akuzon burrin me të cilin ka fëmijët, jo prej një martese ligjore, se ai ia ka marrë ata me dhunë. Në bazë të dëshmisë së saj, çifti ishte takuar mesditën e djeshme në afërsi të stacionit të trenit në Peqin, me qëllim që babai të takohej me dy fëmijët e tij. Por pasi kanë qëndruar për disa çaste, 27-vjeçari Ardian Idrizi, sipas nënës, i ka marrë dy vajzat në krah dhe është larguar pa i dhënë llogari. Ajo është nisur menjëherë drejt komisariatit të policisë së Peqinit për të bërë kallëzimin ndaj Idrizit. Policia ka nisur hetimin për të zbardhur të vërtetën rreth këtij denoncimi. Nga marrja në pyetje e Tafës rezulton, se Idrizi i kishte njohur dy vajzat e tij pas lindjes, ndonëse nuk ishte lidhur në kurorë zyrtarisht me nënën e fëmijëve. a.k