E Diel, 1 Nëntor 2026

Ksera, “sihariq” banorëve të pallatit

 

GJIROKASTER- Prefekti i Gjirokastrës, Spiro Ksera u përcolli dje një sihariq të madh “ngujuesve të urisë” rreth çështjes së përfitimit të së hollave për ndërtimin e apartamenteve. Shoqata e ndërtuesve të Gjirokastrës falë ndikimit të Kserës dhe Bashkisë, do të ndërtojë një pallat në një prej zonave të qytetit. Aty do të strehohen të gjitha familjet e lëna në qiell të hapur, që prej 9 nëntorit kur u shemb pallati ku ata jetonin. Vlerës financiare të akorduar nga qeveria shqiptare prej 42 milionë lekësh të rinj, do t’i shtohet edhe një shumë tjetër e konsiderueshme e ndërtuesve gjirokastritë për të plotësuar kërkesat e banorëve në përfitimin e hapësirave në apartamentet e dikurshme. Ky ishte një lajm, i cili u mirëprit nga banorët, të cilët premtuan se greva nuk do të rinisë më 5 janar siç patën premtuar më parë. Njëkohësisht edhe Bashkia e Gjirokastrës, do të akordojë mjaft shpejt nga 500 mijë lekë çdo familje, të cilat pasi të aprovohen në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak, do t’u shpërndahen. Kjo shumë pritet të shërbejë për blerjen e orendive shtëpiake. Njëkohësisht banorët janë të gatshëm që të padisin pronarët e firmës “Arti” sh.p.k. për dëmshpërblim. Ky hap do të ndërmerret fill pasi Aristotel Haxhia dhe Sotiraq Janora të marrin dënimin e formës së prerë nga gjyqësori për akuzën e ngritur. Po dje, Prefektura shpërndau ndihma financiare dhe materiale për të 22 familjet, që banonin në pallatin e shembur. Prefekti Spiro Ksera organizoi një ceremoni ku merrnin pjesë pothuajse të gjithë kryefamiljarët. Ata falënderuan për herë të parë përfaqësuesin e qeverisë shqiptare në jug të vendit për kontributin e dhënë gjatë ditëve të fundit. Për çdo familje u shpërndanë nga 5 mijë lekë prej kontributit të punonjësve të prefekturës me rastin e Vitit të Ri. Ndërkohë që dhurata të shumta u shpërndanë edhe për fëmijët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›