E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohen me tritol dy oxhaqet e ish-fabrikës së bakrit

 

RUBIK - Rrëzohen me tritol dy oxhaqe të lartë të ish-fabrikës së pasurimit të bakrit në Rubik. Xhenierët kanë mundur të rrëzojnë dy oxhaqet, pa krijuar probleme për jetën e banorëve përreth ish-fabrikës dhe pa dëmtuar objektet private apo shtëpitë e banimit, që janë ngritur afër fabrikës dekada më parë. Shembja e oxhaqeve lidhet me kryerjen e një investimi të rëndësishëm të Bankës Botërore për eliminimin e mbetjeve toksike në zonën e Rubikut e zonave të tjera, ku nxirrej e përpunohej minerali i bakrit. Specialistë të projektit kanë bërë të ditur se për realizimin e projektit në fjalë janë vënë në dispozicion 4.4 milionë euro. Firma që kishte marrë përsipër realizimin e projektit nuk ka arritur të realizojë shembjen e oxhaqeve me specialistët e saj, por ka kontraktuar me specialistë xhenierë të ushtrisë shqiptare, të cilët pas një shpërthimi me një sasi të konsiderueshme tritoli kanë mundësuar shembjen e oxhaqeve, duke i hapur rrugë realizimit të plotë të projektit. Oxhaqet ishin ndërtuar në vitin 1937, pra 70 vjet më parë, kohë kur Mbreti Zog u kishte besuar disa shoqërive italiane nxjerrjen dhe përpunimin e mineralit të bakrit e kromit me anë të koncesionit. Në këtë zonë punonte firma italiane “Simsa”, e cila është larguar nga vendi ynë në pranverën e vitit 1944. Shpërthimi spektakolar përveç zhurmës së madhe ka krijuar një shtëllungë të madhe tymi. Ndërkohë, ish-metalurgët e Rubikut e kanë pritur me tone kritike shembjen e oxhaqeve, duke thënë se ato tregonin qartë se pikërisht në Rubik janë siguruar miliarda lekë të ardhura nga nxjerrja e floririt dhe së dyti se pas shembjes është krijuar një gropë e konsiderueshme, poshtë të cilës askush nuk mund të thotë ç’mbetje të rrezikshme gjenden.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›