“Transplantet”, banorët e Gurrës protestë masive kundër Del Pontes
BURREL - Banorët e Gurrës dhe zonave të tjera të Rrethit të Matit kanë vendosur të protestojnë sot në fshatin Rripë kundër akuzave të ish-kryeprokurores së Hagës, Karla Del Ponte dhe zyrtarëve serbë. Deputeti i zonës, Qemal Minxhozi dhe drejtues të pushtetit lokal kanë bërë thirrje dje, që banorët e Matit të sfidojnë motin e ftohtë dhe të dalin në një protestë paqësore, që mendohet të organizohet afër shtëpisë së Abdulla Katuçit, e cila u përfol se ka shërbyer si klinikë për transplantin e organeve trupore. Në një prononcim për “Panorama”-n, deputeti i Matit Minxhozi, tha se është i sigurt se qindra banorë të fshatrave të Gurrës dhe trevave të tjera të Matit do t’i përgjigjen thirrjes për të protestuar dhe për të hedhur poshtë akuzat e pabaza të del Pontes dhe prokurorëve serbë. Protesta vjen pas artikujve të shumtë të shtypit serb se në fshatin Gurrë të Matit ndodhet një varr masiv dhe aty janë varrosur ushtarë dhe shtetas të Serbisë. “Propaganda e shfrenuar serbe vazhdon të publikojë akuza monstruoze ndaj banorëve të Matit, sidomos komunës Gurrë. Përballë këtyre shpifjeve e trillimeve ne nuk mund të heshtim. Këto shpifje e akuza kanë për bazë deklarimet e ish-prokurores së Hagës, Karla Del Ponte”, tha Minxhozi. Mësohet se parullat kryesore që do të hidhen në këtë tubim, të parin e këtij lloji kundër akuzave të së huajve, janë: “Del Ponte mos shpif për shqiptarët”, “Gurra nuk është Reçak”, “Zoti Berisha mbro dinjitetin e shtetit tënd”, etj. Ndërkohë, oratorë të shumtë do të marrin fjalën për të shprehur mendimet dhe do të hedhin poshtë akuzat e ngritura. I moshuari Abdulla Katuçi u shpreh se nuk kishte lënë institucion pa trokitur për të zbardhur të vërtetën. Kur ai mësoi se banorët e Gurrës dhe zonave përreth do të protestojnë pranë shtëpisë së tij dhe do të hedhin poshtë akuzat e pabaza, sytë iu mbushën me lot. “Tani ndoshta zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar do ta kuptojnë se kanë gabuar rëndë që kanë heshtur”, u shpreh 74-vjeçari. h.p