Pranga në aeroportin e Athinës, shqiptarit të kërkuar në Itali
GREQI – Arrestohet në aeroportin e Athinës shqiptari i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 7 vjetësh nga policia italiane. Agjencitë italiane të lajmeve bënë të ditur dje arrestimin e A.M., 30 vjeç, nga policia greke, teksa po përdorte një pasaportë të falsifikuar në aeroportin helen. Ai rezultonte si person në kërkim ndërkombëtar, që prej vitit 2001. Bëhet e ditur se gjatë gjithë kësaj kohe shqiptari kishte jetuar në fshehtësi, duke përdorur dokumente të falsifikuar me identitet të rremë. “Bëmat” e shqiptarit të prangosur në vigjilje të Krishtlindjeve janë regjistruar në vitin 2001 në Itali, vit në të cilin ai ka kryer disa grabitje në vila dhe apartamente në Emilia Romana, Lombardi dhe Veneto. Sipas policisë italiane, A.M., ishte anëtar i një bande kriminale shqiptare të përbërë nga 9 veta dhe i vetmi prej tyre, që ishte në gjendje të lirë. Të gjithë anëtarët e tjerë ishin arrestuar po atë vit nga karabinierët nën operacionin “Taxi driver” (shoferi i taksisë), pasi anëtarët e bandës largoheshin së bashku me sendet e vjedhura, duke përdorur taksitë. Mësohet se ata i kryenin grabitjet gjatë kohës kur pronarët e tyre ishin duke fjetur, por kishte edhe raste kur të zotët e shtëpisë i zgjonin qëllimisht për t’i trembur. Por, ndërsa A.M., përdorte një identitet fals, policia italiane e kishte shpërndarë këtë emër të dytë në organet homologe të vendeve të tjera. ar.ba