E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimet në Itali, përcaktohet qendra ku duhet të paraqiten 3000 maturantët për të marrë vërtetimin

Drejtori i AVA-s, Alfons Harizaj: “Vërtetimet do t’i tërheqin fillimisht maturantët e vjetër”. Pas marrjes së vërtetimit, maturantët mund të shkojnë në Ambasadën Italiane

Jonida Tashi

Nis shpërndarja e vërtetimit të shkollës së mesme, për të gjithë të rinjtë që kanë aplikuar të vijuar studimet e larta në universitetet italiane. Lajmi bëhet i ditur nga drejtori i Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), Alfons Harizaj. Aktualisht drejtuesit e AVA-s kanë përfunduar përgatitjen e gati 30 mijë vërtetimeve të tilla, të cilat tashmë janë gati për tu tërhequr nga maturantët.
Shpërndarja
Sipas drejtorit të AVA-s, vërtetimet fillimisht do t’i tërheqin maturantët, të cilët e kanë mbaruar shkollën e mesme para këtij viti dhe kanë aplikuar për studimet e larta në Itali. “Ne kemi hartuar një grafik për shpërndarjen e vërtetimeve të shkollës së mesme, për të gjithë ata të rinj shqiptarë që duan të vazhdojnë shkollën e lartë jashtë vendit. Kemi vendosur që fillimisht vërtetimet t’ua shpërndajmë maturantëve që i janë nënshtruar provimeve të Maturës, para këtij viti. Më pas, do të vijohet me maturantët e sivjetshëm”, - sqaron Harizaj. Ndërsa përsa i përket vendit se ku duhet të paraqiten të interesuarit për marrjen e vërtetimit të gjimnazit, kreu i AVA-s pohon se shpërndarja e tyre nuk do të bëhet në shkollat ku të rinjtë kanë mbaruar ose do të mbarojnë gjimnazin, por pranë kësaj agjencie. “Të gjithë të rinjtë që kanë bërë kërkesë për pajisjen me këtë vërtetim, që është një dokument i domosdoshëm për të ndjekur shkollën e lartë në Itali duhet të vijnë në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve për ta marrë atë”, - vijon Alfons Harizaj.
Provimet
Ambasada Italiane është e vetmja nga të gjitha shtetet e tjera që kërkon vërtetimin e kryerjes së shkollës së mesme (certifikatën e Maturës), si dokument kryesor për maturantët që duan të konkurrojnë për në universitetet italiane. Gjithashtu, kusht kryesor për të ndjekur studimet në një nga universitetet italiane është që duhet të kalohen të dyja provimet me zgjedhje, që janë të nevojshme për regjistrimin edhe në universitetet shqiptare.
Kështu, maturantët që duan të ulen gjatë vitit të ardhshëm akademik në fakultetet italiane, nuk do arrijnë të kalojnë me sukses qoftë edhe njërin prej provimeve me zgjedhje të Maturës, humbasin të drejtën për të vijuar studimet e larta jo vetëm në Itali, por edhe në vend. Ndërsa maturantët shqiptarë që do të marrin vlerësim pozitiv në dy provimet me zgjedhje të Maturës, dhe kanë aplikuar në universitetet italiane për degët si: Arkitektura, Mjekësia, Odontoiatria, Veterinaria, Profesionet sanitare, Shkencat e Formimit primar, duhet të përgatiten edhe për një konkurs të fundit për fitore. Për këto degë, autoritetet italiane kanë vendosur që përveç provimit të njohjes së gjuhës italiane dhe kalimit me sukses të katër provimeve të Maturës, të rinjtë shqiptarë duhet të kalojnë disa prova të tjera në lidhje me disiplina të veçanta.

Brenda 12 dhjetorit universitetet italiane do të bëjnë publikimin

Pasi të vlerësohen dhe verifikohen të gjitha kërkesat e të rinjve shqiptarë nga organet e specializuara në Itali, do të vendoset përfundimisht edhe se cili e fiton provën e hyrjes. Provimi i gjuhës italiane është i detyrueshëm jo vetëm për të ndjekur studimet e larta në këtë shtet, por për të marrë edhe konfirmimin për je fitues. Brenda 12 dhjetorit, universitetet do të bëjnë të ditur nëse ka ende vende të lira. Në këtë pikë, ata që kanë mbetur jashtë mund të paraqesin kërkesën për një kurs tjetër diplomimi, ose për të njëjtin kurs, në një universitet tjetër. Të rinjtë e huaj, të cilët jetojnë në Itali dhe dëshirojnë të regjistrohen në universitet, nuk hyjnë në këto kuota, por mund të paraqesin kërkesën e regjistrimit pa limite në numër, duke ndjekur të njëjtat rregulla të cilat aplikojnë italianët.

Dëftesa e Pjekurisë, 10 gushti, afati i fundit për depozitimin në Ambasadë

Përcaktohet afati i dorëzimit të Dëftesës së Pjekurisë, për ndjekjen e studimeve të larta në Itali, pranë Ambasadës Italiane. Kjo e fundit, bën të ditur se aplikantët që duan të ndjekin studimet e larta në një nga universitetet italiane, duhet të dorëzojnë Dëftesën e Pjekurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, jo më vonë se data 10 gusht. Ora 12.00 e kësaj date, është afati i fundit që një aplikant të paraqesë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, certifikatën e Maturës, e cila duhet të dorëzohet e mbyllur në zarf. Për të evituar ndonjë problem në paraqitjen e dokumenteve, gjë që mund rrezikojë edhe të drejtën e tyre për studim jashtë vendit, aplikantët duhet të tregohen shumë korrekt në zbatimin e rregullave që ka vendosur kjo Ambasadë për këtë aplikim.

13 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›