E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet, e denoncoi një vajzë për shfrytëzim prostitucioni



DURRËS - Prej disa muajsh kishte shfrytëzuar një të re si prostitutë, por më në fund ka rënë në pranga. Një 23-vjeçar nga Dibra është arrestuar pasi është denoncuar nga një vajzë, e cila ka deklaruar se është shfrytëzuar nga ai. Policia e Durrësit tha se mbrëmjen e së premtes, agjentët e krimeve kanë bërë ndalimin e Ridjon Alimanit (Imerit), 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gjoricë të Rrethit të Dibrës. Ndalimi i tij është bërë pasi Prokuroria e Durrësit ka nxjerrë një urdhërndalimi pas kallëzimit të bërë nga shtetasja F. M., e cila ka deklaruar se është shfrytëzuar për qëllime prostitucioni nga Ridjon Alimani. Vepra penale në ngarkim të të arrestuarit është “shfrytëzim i prostitucionit në rrethana rënduese”. Policia tha se ka bllokuar automjetin tip “BMW” të 23-vjeçarit, me targë TO 93406G, ngjyrë gri, dy pasaporta shqiptare, të cilat i përkasin Ridjon Alimanit.

Shkrumbohet magazina e ushqimeve, dyshime për një akt të qëllimshëm

LUSHNJE - Një zjarr i rënë mesnatën e mbrëmshme ka shkaktuar djegien e një magazine ushqimore në një kompleks gjedhi në fshatin Çermë të Rrethit të Lushnjës, gjë që dyshohet se mund të jetë një akt i qëllimshëm. Zjarri është diktuar rreth orës 23:00 të mbrëmjes së premte në një pjesë të kësaj magazine të mbushur kryesisht me artikuj ushqimorë. Në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikëse nga qyteti i Lushnjës ndërsa është kërkuar dhe ndihma e shërbimit zjarrfikës të Peqinit. Gjatë gjithë natës e deri në orët e para të paradites së djeshme janë hedhur tonelata uji e shkumë për të evituar djegien totale të magazinës. Sipas përllogaritjeve paraprake, dëmi është tepër i madh dhe arrin në rreth 200 mijë euro. Policia mendon se shkak i këtij zjarri mund të jetë një shkëndijë elektrike ose konkurrenca, por ende nuk ka një deklaratë zyrtare për këtë çështje.

28 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›