Rama, apel Topit të falë të burgosurën 75-vjeçare
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka reaguar ndaj historisë fatkeqe të 75-vjeçares Feride Bako, jeta e së cilës ka pësuar dramë, ku pas vdekjes së të shoqit dhe djalit të saj, është dënuar me 5 vite burgim për kultivim të bimëve narkotike. Rama i ka bërë apel Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të falë 75-vjeçaren Bako, për ti dhënë mundësinë asaj që t’u gjendet pranë dy nipërve jetimë. “E gjithë Shqipëria, madje e gjithë bota shqipfolëse, ka ndjekur përmes ekranit historinë tragjike të Feride Bakos, gruas 75-vjeçare, që mbahet në burg për kultivim bimësh narkotike, pasi ka humbur djalin emigrant, ka humbur të shoqin dhe ka mbetur e vetmja mbështetje për nipërit e saj. Feride Bako është simboli i një drame shoqërore, ku ajo nuk është i vetmi personazh, sepse të tjera gra, gjyshe apo nëna familjesh që jetojnë nën minimumin jetik, gjenden pas hekurave të burgut për një kundërvajtje ligjore të kryer në humnerën e varfërisë e në kulmin një lufte rrëqethëse për mbijetesën e familjes e të fëmijëve të tyre. Shteti, shoqëria, të gjithë ne, duhet t'i kërkojmë dhe gjejmë gjetkë rrënjët e krimit të kultivimit e trafikimit e kultivimit të bimëve narkotike, aty ku ato janë realisht. Këto rrënjë ushqehen nga varfëria, zhvillohen në territore ku s'ka politika sociale e ku s'ka as kontroll dhe pastaj as barazi para ligjit. Dhe, ç'është më e keqja, mbeten të paprera, pikërisht sepse të tjerë janë ata që fitojnë nga kjo tregti, e të tjerë janë ata që kriminalizohen e dënohen deri në absurd, si në rastin e Feride Bakos. I bëj njëkohësisht apel Presidentit të Republikës, që me përgjegjësinë që i jep ligji të falë 75-vjeçaren Feride Bako dhe t'i japë mundësinë të përqafojë nipat e saj në vigjilje të Vitit të Ri”, - tha Rama.
28 Dhjetor 2008