Reshje dëbore në vend, rrugë të bllokuara dhe qarkullim me zinxhirë
Reshjet e dëborës, që kanë përfshirë disa qytete të vendit, kanë krijuar problemet e para në qarkullimin e automjeteve. Rrugë të kalueshme me vështirësi dhe të tjera që këshillohet të evitohen. Specialistët e rrugëve kanë nisur hedhjen e kripës e skorjeve në akset problematike, ndërkohë që policia është vënë në patrullim për të pasur nën kontroll situatën. Problematike paraqitet situata në zonat e Gjirokastrës, Kukësit dhe Korçës, ku dëbora ka shtuar vështirësi në lëvizje dhe bllokim të akseve në zonat e thella. Lëvizja e automjeteve kryhet me zinxhirë. Vështirësi ka edhe në Qafë-Plloçë, në Rrethin e Pogradecit, ku automjetet nuk mund të kalojnë pa zinxhirë. Edhe në Gjirokastër nuk kanë munguar reshjet e dëborës. Sipas drejtorit të rrugëve, të gjitha akset nacionale janë të hapura. Në Qafë-Muzinë është duke u hedhur kripë dhe skorje, ndërkohë edhe akset rurale janë të hapura. Probleme raportohen nga Komuna e Zagorisë në Rrethin e Gjirokastrës, ku bora ka arritur 20 cm trashësi dhe në Tetran në Rrethin e Përmetit ku dëbora është rreth 12 cm. Më problematike situata ka qenë në Kukës. Reshjet e dëborës erdhën pas temperaturave mjaft të ulëta dhe ngricës së një dite më parë. Megjithatë, sipas drejtorit rajonal të mirëmbajtjes së rrugëve, Rushit Gashi, të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, ndonëse me zinxhirë. "Gjatë ditës së sotme janë dyfishuar postblloqet, veçanërisht në aksin Morin-Kukës, Qafë Shllak-Kukës-Krumë e Kukës-Shishtavec, ku ka një lëvizje më të madhe automjetesh. Nuk lejohet lëvizja e tyre pa zinxhirë, ndërsa mbi trasenë e rrugës është hedhur kripë e skorje", - pohojnë burime zyrtare të policisë lokale.
27 Dhjetor 2008