Kodi dhe “Prokuroria”, PD-PS të hënën në seancë, debat me LSI-në dhe PDK-në
Në seancën parlamentare të ditës së hënë është parashikuar miratimi i dy ligjeve të rëndësishme, pikërisht Kodi Zgjedhor dhe projektligji “Për Prokurorinë”. Të dyja këto drafte janë miratuar në komisionet parlamentare me votat e dy partive të mëdha, Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste. Pritet që gjatë seancës së ditës së hënë këto dy projektligje të kundërshtohen ashpër nga dy partitë e vogla, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane. Që të dyja këto parti janë shprehur kundër Kodit Zgjedhor. Pak kohë më parë deputetët e këtyre partive u ngujuan për gati 10 ditë në sallën e Kuvendit, në shenjë proteste kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Pas kthimit në Kuvend të Kodit nga Presidenti i Republikës, i cili refuzoi dekretimin e tij për shkak të një paqartësie për vendosjen e datës së zgjedhjeve parlamentare, LSI-ka dhe PDK-ja shpresuan që të shqyrtohen dhe propozimet e tyre. Këto parti janë kundër përjashtimit të tyre nga procesi i administrimit të votave dhe kundër listave të mbyllura të kandidatëve të deputetë. Por edhe gjatë shqyrtimit të Kodit Zgjedhor, dy partitë e mëdha nuk i morën në konsideratë propozimet e LSI-së dhe të PDK-së, duke miratuar vetëm një dispozitë kalimtare, nëpërmjet së cilës i japin Presidentit të Republikës një afat prej 7 ditësh për të dekretuar datën e zgjedhjeve, ose në datën 21, ose më 28 qershor të vitit të ardhshëm. Por debate pritet të zhvillohen edhe për projektligjin për Prokurorinë. Vetëm një ditë më parë, pas arritjes së konsensusit midis dy partive të mëdha në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, reagoi kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Ai e cilësoi të turpshëm bashkëpunimin PD-PS. Meta tha se PD-ja e shkëmbeu miratimin e ligjit për Prokurorinë me Kodin Zgjedhor. Seanca e ditës së hënë u jep fund punimeve të Kuvendit për këtë sezon.
28 Dhjetor 2008