E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, PS-ja hap zyrat elektorale në Tiranë



Shaban Sulçe
Partia Socialiste hap zyrat e saj elektorale në qytetin e Tiranës. Selia rozë ka avancuar përgatitjet e saj në kuadër të afrimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke hapur zyrat e saj elektorale për kryeqytetin. Këto zyra do të shërbejnë për koordinimin e punës së organizatave dhe anëtarësisë socialiste gjatë përgatitjeve parazgjedhore dhe më pas gjatë fushatës zyrtare elektorale me votuesit respektivë në zona. Në kryeqytet janë hapur përkatësisht nga dy zyra të tillë për çdo njësi bashkiake, ndërkohë që procesi i hapjes së zyrave elektorale pritet të përfundojë në muajin janar, me hapjen e zyrave të tilla në çdo qytet dhe fshat të Shqipërisë. “Prej disa ditësh kemi nisur hapjen e zyrave elektorale për të gjithë Tiranën. Konkretisht janë hapur nga dy zyra të tilla për pjesën më të madhe të njësive bashkiake, ndërkohë që për njësitë bashkiake me shtrirje më të madhe, janë planifikuar hapja e tri zyrave elektorale. Këto zyra do të shërbejnë për të koordinuar veprimet me anëtarësinë e PS-së, me aktivistët e forumit të gruas, FRESH-it, rrjetit të vullnetarëve në prag të fushatës elektorale”, - tha për gazetën “Albania” kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, Besnik Baraj.

Stafet elektorale

Në një nga mbledhjet e fundit të Kryesisë së Partisë Socialiste u caktuan edhe delegatët e Kryesisë, të cilët do të ndjekin nga afër dhe do të jenë përgjegjës për organizimin elektoral në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Për qarkun e Tiranës, i deleguari i kryesisë është caktuar deputeti Shpëtim Idrizi. Ky i fundit duket se do të jetë edhe drejtuesi i stafit elektoral për selinë rozë. Në përbërje të këtij stafi pritet të jetë edhe kreu i Partisë Socialiste për Tiranën, Besnik Baraj, si dhe deputetët aktualë të zgjedhur në 2005-n në kryeqytet, si Ermelinda Meksi dhe Andis Harasani. Në përbërjen të stafit elektoral të PS-së për qarkun e Tiranës pritet të jenë edhe drejtues të FRESH-it, si Megi Ajteresa dhe Ajola Xoxa, drejtori i fondacionit “Qemal Stafa”, Sajmir Tahiri, drejtues të Forumit të Gruas Socialiste, drejtues organizatash të PS-së në këtë qark si dhe drejtues të komisioneve në selinë rozë.

Objektivat
Votuesit e pavendosur do të jenë objektivi i fushatës parazgjedhore për strukturat e organizatat në bazë si dhe Rrjetit të Vullnetarëve të Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2009. Në strategjinë elektorale të selisë rozë gjendet një udhëzim, që u është dhënë strukturave bazë të Partisë Socialiste, të cilave u kërkohet që të përqendrojnë punën e tyre për të bindur sa më shumë votues të pavendosur që vota e tyre të jetë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Fillimi i kësaj faze përkon me përfundimin e procesit të parë, që parashikonte kalimin e strukturave partiake në struktura elektorale. Tashmë organizatat e PS-së në bazë kanë marrë profil elektoral dhe pritet që shumë shpejt të nisin procesin e dytë, i cili është ai i punës në terren me zgjedhësit. Por, në këtë drejtim, një rëndësi shumë e veçantë do t’u kushtohet votuesve të pavendosur, të cilët ende nuk e kanë një vendim të qartë se për cilën forcë politike do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Strukturat socialiste do të zhvillojnë takime derë më derë, do të zhvillohen aktivitete të shumta, do të organizohen tryeza me tematika të aktualitetit, takime me elektoratin etj. Ato do të synojnë që të bindin votuesit e pavendosur për të votuar Partinë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2009.

28 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›