Legalizim për 1500 objekte pa leje pranë puseve të naftës
BERAT - Edhe pse në ligjin “Për Legalizimet” parashikohet që nuk mund të ketë asnjë legalizim të ndërtimeve të kryera në zonat naftëmbajtëse, kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Artur Kurti, pohon për gazetën se të gjitha këto banesa janë përcjellë për legalizim pranë zyrës së ALUIZNI-t. Kurti shprehet se këto objekte duhet të legalizohen, sepse, sipas tij, nuk ishte faji i qytetarëve për zënien e këtyre hapësirave afër zonës naftëmbajtëse, por ka qenë faji i një shteti të tërë të papërgatitur për t'u ofruar atyre zona të lira banimi. Ndërtimet pa leje të shtëpive të banimit në afërsi të puseve të naftës në Kuçovë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një rrezik evident për jetën e banorëve të kësaj zone. Toka mbi të cilën janë ndërtuar këto shtëpi është pronë e shtetit, por askush nuk ka ndërhyrë për të mos lejuar ndërtimin e banesave në këtë zonë. Në afërsi të këtyre puseve janë 1500 ndërtime pa leje, kryesisht shtëpi banimi të ngritura pas viteve ‘90 dhe vetëm disa prej këtyre ndërtimeve janë dyqane apo magazina. Mungesa e një plani urbanistik për qytetin e Kuçovës ka bërë që çdo vit të kryhen ndërtime të pakontrolluara në zonat naftëmbajtëse, ku shtëpitë, në të shumtën e rasteve janë 3-5 metër larg puseve apo impianteve të tjera të naftës duke përbërë një rrezik serioz për banorët e kësaj zone. Rrezikut nga zjarret apo shpërthimet u shtohet edhe ndotja e ajrit. Kryebashkiaku Kurti shprehet se është mjaft e rëndësishme që teknologjia e shfrytëzimit të naftës të përmirësohet, duke grumbulluar edhe gazrat që çlirohen për t’i përdorur si burim alternativ energjie. Kurti pohon se për të minimizuar ndotjen që shkaktohet nga puset e naftës, Bashkia ka hartuar një projekt për kthimin e 5 hektarëve të ish-zonës së Rafinerisë së Naftës në një park të gjelbër. Drejtuesit e Ndërmarrjes së Prodhimit të Naftës në Kuçovë pohojnë për gazetën se këto ndërtime kanë penguar edhe shfrytëzimin e puseve të naftës sepse pjesa më e madhe e vendburimeve ndodhet në qendrat e banuara. Kështu, nga 1772 puse që ka kjo ndërmarrje e prodhimit të naftës, vetëm 962 prej tyre janë në punë dhe pjesa tjetër është inaktive.
28 Dhjetor 2008