E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Në qëndrimin e dyfishtë të Ramës me ligjin për Prokurorinë fshihet pazari me Kodin Zgjedhor



Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetari i KDK-së, Edmond Haxhinasto, sekretari për Marrëdhëniet me Publikun Luan Rama, nga anëtari i Kryesisë, prof. Edmond Panariti dhe drejtues të tjerë të LSI-së së degës Kavajë, zhvilluan dje një bashkëbisedim me banorët e fshatit Kryevidh të Kavajës. Ky takim kishte si qëllim njohjen me situatën infrastrukturore dhe problemet që ka sot kjo zonë, si dhe për të shkëmbyer mendime rreth problemeve të ndryshme, me të cilat përballet sektori i bujqësisë në Shqipëri dhe ai i turizmit në plazhin e Spillesë. Duke i përshëndetur të pranishmit për interesimin e madh të treguar për këtë takim, kryetari i LSI-së Meta theksoi domosdoshmërinë e investimeve nga ana e qeverisë në dy sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend, që është sektori i bujqësisë dhe ai i turizmit. “Nuk mund të arrihen standarde europiane dhe nuk mundet që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian me këtë nivel të mjeruar në të cilën ndodhet bujqësia aktualisht. Zhvillimi rural, siguria ushqimore, niveli i mbrojtjes së konsumatorëve, subvencionimi i fermerëve, janë problematika shumë të mëdha me të cilat përballet sot vendi”, - tha ai. Duke folur për aktualitetin politik, Meta shprehu edhe njëherë shqetësimin e LSI-së për situatën politike në vend. Ai denoncoi qëndrimin e dyfishtë të kreut të PS-së Edi Rama, i cili dha miratimin në parim të ligjit për Prokurorinë. "Pas 21 prillit, natës së errët të ndryshimeve Kushtetuese, institucionet në vend janë gjithmonë edhe më të pasigurta, sepse është rrëzuar themeli i shtetit shqiptar. Shikoni se si PS-PD-ja gjetën konsensusin tani në një mënyrë të çuditshme për ligjin “Për Prokurorinë". Projektligji i Berishës për Prokurorinë, i kontestuar nga vetë Prokuroria dhe Shoqata e Prokurorëve, nuk është gjë tjetër, por një këmbim i turpshëm për miratimin nga ana e Berishës e Kodit Zgjedhor, pa përmirësuar standardet e administrimit". Vetëm nga frika se mos LSI-ja, me të drejtë, do të merrte anëtarin e KQZ-së, PS-ja dha konsensus për këtë ligj, kur jo më vonë se pak ditë më parë lidershipi i saj deklaroi që nuk do e mbështeste këtë draft”, - theksoi Meta.

28 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›