“Grabita kambistin me dy miq”
ELBASAN/ Aldi Kozarja
Katër ditë pas grabitjes me dhunë të kambistit në Elbasan, policia prangos organizatorin e këtij krimi. Albert Qafa, ndonëse u shoqërua dhe më pas u lirua pas ngjarjes së denoncuar nga kambisti Arben Kovaçi, nuk e kishte menduar se ditët e tij të lirisë do të ishin tërësisht nën survejimin e agjentëve të policisë.
Këta të fundit u organizuan për të mbajtur në vëzhgim të gjitha lëvizjet e Qafës. Grupi i hetimit, ndonëse kishte mjaft prova për implikimin e tij në grabitjen prej 2.5 milionë lekësh, nuk kishte mundur t’i gjente atij paratë që iu morën kambistit 44-vjeçar mbrëmjen e 18 shtatorit. Për të plotësuar dosjen me prova akoma e më të forta, policia vendosi ta lërë atë të lirë dhe ta ndjekë, derisa të takonte pjesëtarët e tjerë të grupit, me të cilët ai bashkëpunoi për krimin. Pikërisht, kur blutë arritën të identifikonin edhe autorin e dytë, i cili dyshohet se ka fshehur edhe shumën e parave të grabitura, policia e Elbasanit ndërhyri duke bërë së pari arrestimin e organizatorit Qafa. Ai mësohet se ka pranuar autorësinë e grabitjes. “E grabitëm bashkë me dy miq të tjerë”, mësohet të ketë perifrazuar gjithë pohimin e tij Albert Qafa. Sipas burimeve, blutë e Elbasanit janë duke bashkëpunuar me policinë e Durrësit, për të arrestuar të dytin e kësaj ngjarjeje, i cili është me banim në këtë qytet. Policia nuk bën të ditur identitetin e tij për efekt të ndonjë dekonspirimi të mundshëm, deri edhe në gjetjen e parave, të cilat dyshohet se i mban pikërisht ai. Gjithashtu, policia po punon për identifikimin e personit të tretë, pjesëmarrës në këtë grabitje që u realizua në lagjen “Kongresi i Elbasanit”. Kambisti Arben Kovaçi u plagos rëndë dhe tashmë ai ndodhet në Spitalin Ushtarak në Tiranë jashtë rrezikut për jetën. Pas ngjarjes, policia e Elbasanit shoqëroi më shumë se 50 persona. Gjithashtu, u bënë kontrolle në disa banesa të personave me precedentë, derisa grupi hetimor ra në gjurmët e organizatorit Albert Qafa.