Rrëfimi i vrasësit të dy prindërve: S’më prekën lotët e babait
LAÇ/ ROLAND NIKOLLI
Me zë të qetë ka treguar të gjithë skenën e krimit të ndodhur të enjten.Çdo detaj është regjistruar nga policia e Kurbinit, në prani të grupit hetimor, duke akuzuar për vrasje të dyfishtë Shkëlzen Halilin, djalin 30-vjeçar të Ali e Gjyze Halilit.
“Më akuzonin se isha i paaftë për jetën time, më trajtonin sikur të isha i huaj”, e ka justifikuar masakrën e prindërve i arrestuari. Pas 3 ditësh nga krimi dhe disa orë pas zbulimit të trupave të pajetë në pusetë, autori i masakrës në Fushë-Milot e ka pranuar atë, duke treguar dhe mënyrën e ekzekutimit. Gjatë deponimit të tij ka tronditur hetuesit, duke i lënë ata me gojë hapur, ndërsa tregonte krimin me gjakftohtësi, pavarësisht tmerrit që kishte shkaktuar në banesën e tij.
Kur e keni kryer vrasjen e prindërve?
Ka qenë ora 16:00 e pasdites të së enjtes. Nëna ime po vendoste rrobat në tel, në afërsi të një fiku. E kam qëlluar pas koke me sëpatë, duke e lënë të shtrirë në tokë pa ndjenja. Kjo erdhi pasi ajo po më fliste vazhdimisht duke u bërë e padurueshme, së bashku me babanë tim që e mbështeste se unë nuk isha i aftë të punoja dhe nuk mund të krijoja as familje. Po kështu ata më trajtonin sikur unë nuk isha djali i tyre, por për ta isha i huaj. Pas rreth 20 minutash në shtëpi erdhi babai. Kur e pa nënën të vdekur, ai është ulur duke qarë pranë saj. E kam qëlluar edhe atë me sëpatë pas koke, duke e lënë të vdekur në vend. Pas goditjes me teh e kam qëlluar edhe me pjesën e pasme të sëpatës.
Përse morët këtë vendim?
Kisha tre vite që unë vetëm dëgjoja akuza nëpër shtëpi, më përçmonin, më poshtëronin vazhdimisht, duke më akuzuar se unë kisha grisur edhe dokumentet në Angli vetëm për të ardhur në Shqipëri. Më quanin një njeri që nuk vleja dhe isha tërësisht i paaftë për të marrë përgjegjësitë e jetës sime, në vend që të gjeja ngrohtësi, kam marrë përçmim. Ditët e fundit situata u bë e padurueshme, kur unë të mërkurën kam marrë makinën e vëllait dhe kam dalë me të. Kur u ktheva në shtëpi e kam përplasur makinën tek një shtyllë, duke i thyer vetëm një stop. Kjo ndezi akoma më shumë konfliktin. Jeta më ishte bërë ferr në shtëpi dhe unë nuk duhej të qëndroja më aty, isha bërë i huaj për të gjithë. Nuk kisha ku të ikja, vetëm prisja edhe vëllanë të vinte nga Italia dhe të niste sherri. Në këto kushte mora vendimin e ekzekutimit të nënës dhe më pas të babait tim.
Çfarë bëtë pas vrasjes?
Vrasjen e nënës e kam kryer rreth orës 16:00 dhe të babait vetëm 20 minuta më pas. Për t’i fshehur që të dy dhe mbuluar krimin gjeta edhe mënyrën më të shpejtë dhe më të sigurt për të fshehur gjurmët. Hapa kapakun e pusetës së ujërave të zeza dhe fillimisht kam futur babanë. Më pas tërhoqa nënën me një litar zvarrë dhe e futa edhe atë në pusetë.
Po më pas si vepruat?
Mora një perde të madhe në hyrje të derës kryesore të shtëpisë si dhe një pjesë të rrobave të nënës sime. Me to mblodha gjakun dhe çdo pjesë që ishte në tokë dhe i kam futur në një çantë të madhe. Po kështu kam hequr edhe pantallonat e mia dhe i kam futur në çantë. Në orën 12:00 të natës i nxora dhe i hodha së bashku me çantën tek një grumbull mbeturinash, duke iu hedhur dhe disa gurë sipër që të mos gjendeshin. Jam kthyer në shtëpi më pas dhe kam larë me klor sëpatën dhe një këmishë timen që e mbaja veshur. Po kështu kam përdorur atë solucion në oborrin e shtëpisë, duke e spërkatur dhe sipër pusetës, ku edhe kam kryer krimin që të mos vinte era e gjakut. E mbylla pusetën me kapak dhe spërkata me ujë vendin që të zhdukja çdo lloj gjurme.
Po armën e krimit?
Sëpatën e kam marrë më pas dhe e kam vënë poshtë krevatit. Ka ardhur të enjten xhaxhai im dhe më ka gjetur sëpatën poshtë dyshekut dhe e ka marrë dhe vendosur poshtë frigoriferit. Unë sërish e mora dhe e mbaja poshtë dyshekut. Jam munduar të ruaj vazhdimisht qetësinë për të mos rënë pre e dyshimeve. Pas dy ditëve ka filluar të më vrasë ndërgjegjja dhe ka filluar të më prishej gjumi dhe unë të ndjej edhe përgjegjësinë se më vinte keq për vrasjen që kreva si dhe për opinionin që do më dënojë. Por, e përsëris, më kanë trajtuar sikur unë të mos isha djali i tyre.
Ndjeheni i penduar?
Pendesa nuk ka vlerë për mua kur kam kryer një krim të tillë, pasi ata ishin prindërit e mi. Ndjehem i penduar, por tashmë ka mbaruar gjithçka.
Gjenden provat e krimit
Burime të policisë së Kurbinit bëjnë të ditur se ka qenë ora 02:00 e mëngjesit të djeshëm, kur sërish ata kanë zbarkuar në shtëpinë e Shkëlzen Halilit, në Fushë-Milot. I arrestuari ishte në prani të një avokati të zgjedhur nga shteti, kur ka mbërritur në vendin ku ai kishte hedhur çantën me rroba, duke vërtetuar ato që kishte thënë në polici. Brenda saj janë gjetur perdja, rrobat e Gjyze Halilit si dhe pantallonat e Shkëlzenit, të cilat ishin të mbuluara nga gjaku. Pas 30 minutash qëndrimi, Shkëlzen Halili është rikthyer sërish në qelitë e paraburgimit në Laç. Policia e Kurbinit ka mundur që të gjejë në orët e vona të së dielës dhe njolla gjaku në këmishën që mbante veshur Shkëlzen Halili. Edhe pse e larë, aty janë dalluar mbetje njollash. Të gjitha provat janë bllokuar nga policia.
Dje, ceremonia mortore
Ditën e djeshme janë përcjellë për në banesën e fundit burrë e gruas, 62 dhe 57 vjeçe. Dy vajzat e viktimave vazhdimisht kanë marrë ndihmën mjekësore, pasi nuk qëndronin dot nga dhimbja. Sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore, goditjet e Ali dhe Gjyze Halilit prej të birit, ishin bërë në pjesën e pasme të kokës. Goditjet janë marrë me pjesën e mprehtë të sëpatës e më pas dhe me pjesën e fortë të saj. Pas mbledhjes së të gjitha provave dhe dëshmisë së autorit të krimit të dyfishtë, burime zyrtare të policisë së Kurbinit pohojnë se kanë dërguar dosjen voluminoze në organin e akuzës së rrethit. Aty pritet të merret vendimi për të paraqitur në gjykatë kërkesën e masës së arrestit për 30-vjeçarin Shkëlzen Halili me akuzat e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “fshehje ose asgjësim të kufomës”.
Vëllai kishte dyshime për Shkëlzenin
Të shtunën Shkëlzeni ishte shoqëruar për t’u marrë në pyetje nga policia për fatin e prindërve, por ai kishte mohuar gjithçka. “Nëse ju keni vrarë nënën e babanë tuaj, atëherë dhe unë mund të bëja ndonjë krim. Si mundet që një fëmijë të vrasë të atin dhe nënën që e kanë rritur?! Unë dua të di se ku janë dhe të më gjenden”, u është drejtuar ai punonjësve të rendit. Me t’u kthyer në shtëpi, Shkëlzen Halili u është drejtuar të afërmve të tij: “Unë jam më hetues se ata hetues që donin të më provokonin”. Policia është përpjekur fillimisht të zbërthejë të dyshuarin kryesor nëpërmjet vëllait të ardhur nga Italia, Rolandit. Gjatë ballafaqimit të tyre, autori 30-vjeçar është përpjekur t’ia hedhë fajin xhaxhait të tij, duke e bërë atë të dyshuar. Ndërsa pas disa orë hetimesh ka pranuar që të bashkëpunojë vetë me policinë, kur në vendin e ngjarjes nuk u gjet asnjë gjurmë krimi dhe ngjarja dukej se po shkonte drejt një misteri.