SIDA, zbulohen 39 raste të reja për shtatë muaj
Zirina Llambro
Shtohet frikshëm numri i personave të infektuar me virusin HIV. Për 7 muaj janë zbuluar plot 39 raste të reja me sëmundjen vdekjeprurëse.Të dhënat i bën më dije Instituti i Shëndetit Publik. Aktualisht, numri i të prekurve në vendin tonë me SIDA ka arritur në 342. Por specialistët pranojnë se të infektuarit e pazbuluar ende, që virusin e kanë në inkubacion mund të jenë disa herë më shumë. Mes rasteve të reja është edhe një fëmijë 1 vjeç, të cilit sëmundja i është transmetuar nga nëna si dhe një 65 vjeçar i infektuar në rrugë seksuale. Tirana mbetet e para në listën e qyteteve me numrin më të lartë të personave të infektuar. Deri në fund të korrikut vetëm nga kryeqyteti janë evidentuar 17 persona të prekur. Më pas vjen Durrësi me 7 raste të reja e Shkodra me 4 të tilla. “Edhe në qytetet e tjera kemi zbuluar raste, por numri është më i ulët. Gjithsesi, gjeografikisht sëmundja ekziston në të gjithë territorin e vendit”, sqarojnë specialistët e ISHP. Edhe grupmoshat janë të ndryshme, por mbizotëron ajo nga 30-39 vjeç. “Megjithatë, për shtatë muajt e parë të vitit kemi pasur edhe 5 raste të reja që i përkasin grupmoshës 25-29 vjeç çka tregon se kemi një ulje të moshës mesatare të së infektuarve”, theksojnë specialistët. Ata pohojnë se mes rrugëve të transmetimit thuajse të gjithë personat e kanë marrë sëmundjen me rrugë seksuale. “Për fat të mirë nuk kemi asnjë të sëmurë që është infektuar nga gjaku”, shtojnë specialistët. Nga 39 të prekurit e rinj dy kanë qenë në stadin AIDS (stadi më i rëndë i sëmundjes) e për rrjedhojë kanë humbur jetën. “Megjithëse SIDA haset te grupet e riskut që janë homoseksualët ose përdoruesit intravenozë të drogës, mbi 70% e personave të infektuar i përkasin popullatës heteroseksuale”, sqarojnë specialistët e ISHP. Nga ana tjetër ata bëjnë apel për kryerjen e marrëdhënieve seksuale të mbrojtura, pasi kjo është mënyra e vetme për të shmangur kalimin e virusit te një person i shëndoshë. Sa i përket raportit femra-meshkuj mbizotërojnë këta të fundit. Kjo jo vetëm për rastet e reja prej të cilave 28 i përkasin kësaj gjinie, por edhe në grafikun e numrit total të së prekurve. “Nga 342 të sëmurë, 238 prej tyre janë meshkuj ndërsa 104 janë femra. Kjo tregon se meshkujt janë më të prirur të kryejnë marrëdhënie me shumë partnere e mbi të gjithaq marrëdhënie të pambrojtur. Sakaq, ISHP raporton se është rritur sensibilizimi i popullatës për të kryer analizat. “Krahasuar me disa vjet më parë kemi një numër më të lartë individësh, të cilët vijnë më dëshirën e tyre të bëjnë analizat. Por gjithsesi një pjesë e mirë e rasteve të reja na vijnë edhe nga spitalet, kryesisht infektivi apo spitali i mushkërive”, theksojnë specialistët. Virusi HIV shfaqet ndryshe nga një person te tjetri. Ai përmban brenda 24 sëmundje, të cilat prekin zonën më delikate të trupit. Shenjat e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse mund të jenë edhe të dallueshme. Në mbi 40 për qind të rasteve, ajo mund të shfaqet me kollë, infeksion të gojës, ku mund të dalin puçrra të mëdha e të kuqe, në brendësi të saj.
Virusi, 87% nga seksi i pambrojtur
Pjesa më e madhe e personave të infektuar e kanë marrë sëmundjen për shkak të marrëdhënieve seksuale të pambrojtura me shumë partnerë. Kjo është edhe arsyeja që mjekët specialistë bëjnë apel për përdorimin e prezervativit. Marrëdhëniet e pasigurta seksuale janë përgjegjëse në 87% të rasteve të transmetimit të virusit. Në 77 për qind, të prekurit janë heteroseksuale dhe biseksualet përbëjnë 10% të së infektuarve. Në strategjinë e luftës kundër HIV/AIDS është parashikuar paketa mjekësore për trajtimin e tyre falas, shërbim psikologjik, por asgjë s’është parashikuar për strehimin dhe punësimin e tyre.
Analizat për sëmundjen janë falas
Analizat për sëmundjen e shekullit kryhen në Institutin e Shëndetit Publik dhe në spitalin infektiv të kryeqytetit. Sipas specialistëve të ISHP, vitet e fundit është rritur me 35% numri i të rinjve, që kryejnë vullnetarisht analizat e SIDA-s. Shkak për këtë rritje është bërë ndërgjegjësimi i qytetarëve për sëmundjet seksualisht të transmetueshme, por edhe frika nga infektimi. Gjithashtu, analizat për të zbuluar sëmundjen ofrohen falas edhe në 9 qendra në rrethe, të cilat janë hapur me financim të organizatave të huaja. Por numri i personave që paraqiten në këto qendra mbetet i ulët për shkak të mentalitetit si dhe frikës nga diskriminimi që ekziston në këto rrethe.
Rastet me SIDA
Gjithsej 342 raste
Prej tyre 238 meshkuj, 104 femra
Për shtatë muaj 39 raste të reja
Prej tyre 28 meshkuj, 11 femra
2 persona kanë humbur jetën
1 fëmijë i infektuar
1 65 vjeçar i infektuar
7 raste të moshës 30-34 vjeç
6 raste të moshës 35-39 vjeç
5 raste 20-24 vjeç
4 raste 50-54 vjeç
Tirana 17 raste
Durrësi 7 raste
Shkodra 4 raste
Qytetet e tjera nga 1 rast