E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arrestohet falsifikatori i rreth 300 dokumenteve

01/06/2005  Antikrimi ekonomik arreston Lirim Shinin. Dyshohet se ka punuar si teknik në Tiranë

TIRANË- Një tjetër "shtet" ka ekzistuar në Tiranë deri në orët e vona të ditës së djeshme, kur Antikrimi Ekonomiko-Financiar i ka shkatërruar rrënjët e tij. Falë një aksioni të koordinuar të ekspertëve të këtij sektori, është mundur të vihet nën pranga 44-vjeçari Lirim Shini, lindur e banues në Tiranë. Faktet flasin për një aktivitet tepër të zgjeruar falsifikimi, i cili përgjithësisht zhvillohej në rrugën "Ferit Xhajko". Policia ka zbuluar se ai merrej me falsifikimin e taksave të regjistrimit të mjeteve, vërtetime, pasaporta etj. Burime të Policisë së Tiranës thanë dje për gazetën se pas informacioneve që mbërritën në rrugë operative, por edhe pas survejimit të Shinit, i cili ishte dënuar një herë më parë për falsifikim, u arrit të zbulohej qendra, ku ai e zhvillonte këtë aktivitet.

Zbulimi

Aksioni i uniformave blu është përqëndruar në rrugën "Ferit Xhajko", rreth orës 19.00 të ditës së djeshme, teksa vetë i arrestuari ka qenë duke falsifikuar disa dokumente të tjera. Në fakt, ekspertët kishin informacione të mëparshme rreth aktivitetit të tij, i cili ishte denoncuar nga disa individë, të cilët kishin përfituar nga këto falsifikime. Operacioni i suksesshëm u koordinua edhe nga Prokuroria. Tashmë është duke u sqaruar pozicioni i të arrestuarit, pasi dyshimet e para janë se ai mund të ketë pasur dijeni të të gjitha procedurave. Burimet policore thanë se në të shkuarën, 44-vjeçari mund të ketë shërbyer si kontrollor teknik, ndonëse kjo nuk është vërtetuar.

Materialet e sekuestruara

1 Certifikata të kontrollit teknik; taksa vjetore të qarkullimit rrugor;

2 116 copë taksa regjistrimi dhe taksë vjetore të vitit 2005;

3 131 copë taksa të kontrollit teknik të automjeteve të vitit 2004 e 2005;

4 6 copë taksa vjetore të qarkullimit rrugor për mjete të paplotësuara

5 12 copë taksa vjetore të qarkullimit rrugor për mjete të paplotësuara;

6 6 copë taksë regjistrimi për mjete;

7 90 certifikata të kontrollit teknik;

8 46 vërtetime hyrje për autobusë, mikrobusë;

9 4 pasaporta të falsifikuara; letër plastike;

10 10 pllaka druri; pajisje mekanike me unaza rrotulluese, makinë shkrimi, fleta plastike e tabakë letre kolt si dhe një skaner e kompjuter tip “Laptop”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›