Sillet nga Milano në Tiranë vrasësi i trefishtë nga Lezha
01/06/2005 TIRANË- Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana ekstradon nga Milano për në Shqipëri, Pashk Lleshin, 31-vjeçarin nga fshati Tale në Lezhë. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit thanë dje se ky shtetas ka qenë person i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda, më datë 23.03.2004, në ngarkim të tij ka regjistruar procedimin policor për veprat penale të “vrasjes me paramendim” dhe ”armëmbajtje pa leje”. Shtetasi Pashk Lleshi, i njohur gjithashtu dhe me mbiemrat Biba dhe Ndoj, në vitin 2003 në bashkëpunim dhe me një tjetër person, për motive hakmarrjeje, dyshohet të jetë autor i vrasjes së shtetasit Prekë Bici. Po në të njëjtin vit, ky shtetas është autori i dyshuar për vrasjen e shtetasve Nikolin e Vitore Ujka, ngjarje e ndodhur në afërsi të qytetit të Laçit. Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, në vazhdën e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Interpol Roma, është njoftuar disa ditë më parë për kapjen në Itali të tij. Sipas informacioneve, mësohet se me qëllim ekstradimi është bërë e mundur kapja e shtetasit Pashk Lleshi (Biba), 31 vjeç. Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Edlira Teferiçi, tha se Pashk Lleshi (Biba), i njohur gjithashtu dhe me një mbiemër të tretë (Ndoj), është shpallur në kërkim policor, pasi më datë 02.05.2003 në fshatin Tale të Lezhës, në bashkëpunim me të tjerë persona, dyshohet se është autor i vrasjes së shtetasit Prekë Bici. Sipas zëdhënëses së Policisë së Shtetit, menjëherë pas marrjes së informacionit nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, në bazë të Konventës Evropiane mbi ekstradimin, ka filluar puna për të mundësuar ekstradimin e tij për në Shqipëri, me qëllim vuajtjen e dënimit. Sakaq mësohet nga burime jozyrtare se Biba dyshohet si autor i vrasjes së çiftit Nikolin e Vitore Curri. Ndërkohë që, në Itali, Pashk Biba dyshohet edhe për shfrytëzim prostitucioni. Pasi u hetua për llogari të autoriteteve italiane, Pashk Biba u ekstradua më pas në Shqipëri.
M.Mullai
M.Mullai