Arrestohet furnitori i heroinës te “Çajupi”
TIRANE - Një përdorues heroine në Tiranë ka zbuluar personin që i shiste dozat e drogës, sa herë që kishte nevojë. Pasi kanë siguruar të gjitha të dhënat operative dhe kanë marrë një leje për kontroll banese, oficerët e Antidrogës së kryeqytetit kanë arrestuar një 38-vjeçar, të cilit i janë gjetur edhe dozat me lëndë narkotike të dyshuar si heroinë. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës mësohet se është arrestuar në flagrancë Bledar Biba. Ai është ndaluar në banesën e tij përballë gjimnazit “Anton Zako Çajupi”, ku gjatë kontrollit të banesës i është gjetur edhe një sasi prej 57.5 gramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë. Hetimet në lidhje me veprimtarinë e 38-vjeçarit kishin nisur prej disa javësh, por arrestimi i tij ka ardhur vetëm dy ditë më parë, pasi janë siguruar provat e mjaftueshme nga oficerët e Sektorit Kundër Lëndëve Narkotike të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Gjithashtu Binës i është gjetur në shtëpinë e tij te rruga “Kongresi i manastirit”, edhe një peshore elektronike e markës “Divizion”, e cila dyshohet se përdorej nga ai për të ndarë dozat e heroinës. Por veç akuzës së prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, 38-vjeçari me origjinë nga Elbasani, akuzohet edhe për falsifikim dokumentesh. Policia sqaroi se gjatë kontrollit në banesë iu gjet edhe një pasaportë franceze, e cila dyshohet të jetë false, si dhe disa karta, certifikata dhe dokumente të tjera gjithashtu të dyshuar si të falsifikuara. Bledar Biba, i cili tashmë ndodhet në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, në pritje të masës së sigurisë, nuk ka pranuar të japë asnjë deklarim në lidhje me veprimtarinë e tij, pa praninë e avokatit. Mësohet se policia po mbledh të dhëna dhe dëshmi edhe në gjimnazin “Çajupi” të Tiranës, ku dyshohet se ai mund të ketë shitur lëndë narkotike. Sipas policisë, Bledar Biba është person me precedentë të mëparshëm penalë, kryesisht në shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor. Dy vjet më parë ai është arrestuar në Elbasan, për t’u lënë i lirë vetëm disa ditë më pas, pasi kishte shkaktuar një aksident, gjatë të cilit është rrezikuar jeta e dy bashkëshortëve. e.d