Arrestohet gardiani, furnizonte të dënuarit me drogë
LEZHË – Një gardian në Burgun e Shënkollit është prangosur në flagrancë pasi dyshohet se u shpërndante të dënuarve lëndë narkotike. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se ditën e enjte, rreth orës 01.40, është bërë arrestimi i shtetasit Marjan Gjoni, lindur dhe banues në Tale, me detyrë polic në Burgun e Shënkollit. Sipas tyre, 36-vjeçarit i janë vënë prangat pasi “gjatë kontrollit të ushtruar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në këtë institucion i është gjetur një sasi lënde narkotike në një qese plasmasi. Gjoni e kishte në xhepat e pantallonave lëndën narkotike dhe e mbante në mjediset e burgut. Burimet policore shprehen se lënda narkotike dyshohet se u shpërndahej të dënuarve nëpër qeli. Ajo është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Në lidhje me këtë ngjarje, policia e Lezhës kreu veprimet procedurale dhe ia kaloi prokurorisë së rrethit. Sipas zëdhënëses së policisë së Lezhës, gardiani Marjan Gjoni pritet të përballet me akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Gjatë kontrolleve që ka bërë policia nëpër burgje të ndryshme, në vendin tonë, janë gjetur materiale të ndaluara, si celularë, thika, por edhe lëndë narkotike.
12 Dhjetor 2008