E Diel, 1 Nëntor 2026

Monopoli i karburanteve, Autoriteti i Konkurrencës vonon rezultatet e kontrollit



Ervin Koçi

Abuzimet me çmimin e karburanteve nga ana e grosistëve dhe tregtarëve të pakicës nuk është ndalur, duke përfituar edhe nga mungesa e kontrolleve të organeve shtetërore. Nga këto të fundit tregu i karburanteve dhe çmimet, megjithëse janë mbajtur nën vëzhgim, nuk është ndërmarrë asnjë masë për të ushtruar presionin e nevojshëm ndaj çmimeve monopol të tregut. Madje edhe Autoriteti i Konkurrencës, megjithëse ka përgatitur prej kohësh një raport ku ka vëzhguar të gjitha shkeljet dhe abuzimet e ndryshme me cilësinë e karburanteve, përsëri ka ngurruar që ta bëjë publik. Zvarritja e publikimit të rezultateve të hetimit të ndërmarrë nga Autoriteti i Konkurrencës mbi tregun e karburanteve në vend, që prej pranverës, është shfrytëzuar më së miri nga grosistët për t’i mbajtur çmimet në stratosferë. Këta të fundit vazhdojnë të tregohen indiferentë në raport me ecurinë e arit të zi në bursë, ku një fuçi vazhdon të tregtohet në kuotat e 44 dollarëve. Sipas burimeve nga Autoriteti i Konkurrencës, ky institucion ka ndërmarrë prej muajsh një hetim të thelluar në tregun e karburanteve, pas sinjaleve se ky treg është i deformuar, duke hedhur dyshime për krijime kartelesh. Megjithatë rezultatet e kësaj pune disamujore nuk dihet ende me saktësi se kur do të bëhen publike. Tri ditë më parë Konfindustria deklaroi se “abuzimi në këtë treg u kushton shqiptarëve 150 milionë euro në vit”. Por ndërsa qëllimi i tregtarëve është maksimizimi i fitimit, Autoritetit të Konkurrencës i mbetet detyrë për të parë nëse çmimet janë reflektim i lojës së ndershme në treg, apo i marrëveshjeve të fshehta.

Kostoja e abuzimit

Janë të paktën 150 milionë euro që u vidhen çdo vit shqiptarëve si rezultat i abuzimit të tregtarëve të pakicës të karburanteve në vend. Në këtë përfundim ka dalë Konfindustria gjatë një analize të kostove shtesë, të cilat u faturohen konsumatorëve, bizneseve dhe ekonominë shqiptare në përgjithësi, nga cilësia, sasia dhe çmimi i karburanteve në vend. Konsumatorët janë edhe më të dëmtuarit, pasi mbi ta bie 3-fish pesha e abuzimit me karburantet. Konfindustria ka përllogaritur se mbi konsumatorin rëndojnë edhe kosto shtesë, të tilla si dëmtimi i shëndetit, i automjeteve, ndotja mjedisore etj. Kjo shoqatë vazhdon të këmbëngulë në idenë e ngritjes së një enti që do të vinte në binarët e duhur tregun e karburanteve. Por, sipas Konfindustrisë, “shteti vijon të tregohet indiferent, duke mos marrë asnjë masë”. Pritet që gjatë ditëve në vijim Autoriteti i Konkurrencës të bëjë publike rezultatet e hetimit të thelluar mbi tregun e karburanteve të ndërmarrë disa muaj më parë.

Çmimet e hidrokarbureve

Në bursë çmimi i naftës ka prekur nivelet më të ulëta në 4 vitet e fundit, apo e krahasuar me rekordin e regjistruar, korrikun e këtij viti, ari i zi është ulur me rreth 3,5 herë. Por në Shqipëri tregtarët e karburanteve vazhdojnë të injorojnë këtë realitet, duke u fiksuar në nivele të larta, madje më të lartat në rajon. Ata vazhdojnë ta tregtojnë mallin e tyre me të njëjtin çmim si gjatë kohës së kulmit të krizës. Sipas Shoqatës Kombëtare të Hidrokarbureve, çmimi i tyre nuk varet vetëm nga bursat. “Bursa e ul çmimin, por edhe kompania që ka blerë naftën dhe benzinën me të njëjtën vlerë në një ekonomi tregu kapitaliste nuk mund të humbasë duke e shitur më pak”, - ka deklaruar përfaqësuesi i kësaj shoqate, Viktor Nushi. Përveç këtyre, kreu i Shoqatës së Hidrokarbureve, Nushi, shprehet se gjatë sezonit të verës vlera e dollarit ka qenë më e vogël, ndërsa tani është rritur. Sipas tij, “në një standard të tillë dihet që krahasimisht me çmimin që ka pasur nafta në muajt korrik dhe gusht (kur një fuçi shitej me 147 dollarë), Shqipëria nuk do të pësojë ndonjë ndryshim të madh te kjo pikë. Kryesorja që ndikon te çmimi i karburantit janë taksat dhe akcizat, si dhe vlera me të cilën blihet ajo”. Por, në shumë vende të tjera të rajonit, të cilat pak a shumë janë të ngjashme me ekonominë e Shqipërisë, shitet karburant më çmim më të lirë se në vendin tonë.

Çmimi i hidrokarbureve nuk ulet, vijon të mbetet në të njëjtat kuota

Çmimet e karburanteve në pikat e tregtimit në Tiranë gjatë ditëve të para të kësaj jave kanë qenë në të njëjtat kuota pas uljes së pësuar të hënën, më 8 dhjetor, me 5 lekë për litër, duke pasuar uljen e dy javëve më parë, po me 5 lekë për litër. Pothuajse në shumicën e pikave të tregtimit të karburanteve në Tiranë, çmimet sot ishin: 1 litër naftë 115 lekë, 1 litër benzinë 120-125 lekë dhe 1 litër euro Diezel po me 120-127 lekë. Përsa u përket tregjeve ndërkombëtare, çmimi i një fuçie nafte vazhdon të jetë në kuota të ulëta, duke qenë dje, më 11 dhjetor, në 43,7 dollarë për fuçi, ndërsa para dy javësh ishte 53 dollarë për fuçi. Në pikat e tregtimit të karburanteve, deri të dielën, më 7 dhjetor, 1 litër naftë u shit mesatarisht me 120 lekë, 1 litër benzinë me 125 lekë, ndërsa 1 litër Euro Diezel me 127 lekë.

Ndryshimet e çmimit të hidrokarbureve në dy muajt e fundit

Data Produkti Çmimi për litër
4 nëntor 2008 1 litër naftë 130 lekë
1 litër benzinë 135 lekë
1 litër Euro Diezel 135 lekë

15 nëntor 2008 1 litër naftë 125 lekë
1 litër benzinë 130 lekë
1 litër Euro Diezel 130 lekë

27 nëntor 2008 1 litër naftë 120 lekë
1 litër benzinë 125 lekë
1 litër Euro Diezel 125 lekë

8 dhjetor 2008 1 litër naftë 115 lekë
1 litër benzinë 120 lekë
1 litër Euro Diezel 120 lekë

11 dhjetor 2008 1 litër naftë 115 lekë
1 litër benzinë 120 lekë
1 litër Euro Diezel 120 lekë

Tregu i Karburanteve, Malaj akuzon qeverinë për monopol

Ish-ministri socialist i Financave, deputeti Arben Malaj, akuzoi qeverinë se po favorizon monopolin në tregun e karburanteve duke e argumentuar këtë me ecurinë e çmimeve në tregun vendas, të cilat, sipas tij, nuk e kanë reflektuar uljen në bursa. "Duket që jeni të kapur dhe jeni të kapur te pjesa më kriminale. Nuk dihet nëse është monopol, korrupsion, kontrabandë apo thesi i hapur i fushatës elektorale",- u shpreh Malaj. Por ministri aktual i Financave, Ridvan Bode, duke hedhur poshtë akuzat, deklaroi se qeveria nuk ka ndër mend të ndërhyjë në treg. Bode ka mbrojtur filozofinë e djathtë, sipas së cilës “është vetë tregu ai që i përcakton çmimet”, ndërsa detyra e qeverisë është vetëm të mbledhë taksat. "Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një qeveri e djathtë liberale të merret me përcaktimin e çmimeve në treg. Meqë kujtoni se ka fitime të mëdha, mund të futeni në treg dhe t'i merrni ju ato që i quani fitime të padrejta të biznesit",- u shpreh Bode. Tregu i karburanteve në Shqipëri ka qenë në qendër të dyshimeve, jo vetëm nga media, për spekulime me çmimet.

12 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›