E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangoset vjedhësi i fiksuar pas makinave Punto



DURRËS – Pronarët e të gjitha makinave punto në Durrës duket se kanë shpëtuar pasi policia më në fund arriti të arrestojë dy hajdutët që kishin kryer vjedhjen e tri makinave të një marke brenda dy ditësh. Gjatë festave të nëntorit, dy adoleshentë nga Shkodra shkuan në Durrës dhe vodhën makinat italiane dhe më pas i çonin në qytetin verior. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se në orët e vona të së mërkurës kanë prangosur shtetasin Real Zefi, lindur dhe banues në lagjen “Ndoc Mazi” në Shkodër, si dhe kanë shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij, Armando Ndreun. Pas denoncimeve të mbërritura nga tre persona për zhdukjen e mjeteve të tyre tip Fiat Punto, në kohë të ndryshme, rreth orës 23.30 të dy ditëve më parë, forcat e rendit arritën të prangosin autorin e dyshuar. Sipas zëdhënëses së Policisë së Qarkut, 18-vjeçari Zefi ka vjedhur apo tentuar të vjedhë makinat me targa AP 474 HF; DR 0640 E dhe TR 6573, në pronësi të shtetasve të ndryshëm, vepra penale këto të kryera në bashkëpunim.
Brenda dy ditësh, më 27 dhe 28 nëntor të këtij viti, në policinë e Durrësit kanë mbërritur tre denoncime për vjedhjen e mjeteve tip Punto në rrethin e Durrësit. Në lidhje me këto raste ka nisur hetimi nga ekspertët e Seksionit të Luftës kundër Krimit ndaj Pronës në Drejtorinë e Qarkut të Durrësit. Gjurmët e kanë çuar policinë në rrethin e Shkodrës. Për arrestimin e autorëve të grabitjes së makinave është kërkuar ndihma e policisë së rrethit verior. Mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 23.30, është bërë ndalimi i Real Zefit, lindur dhe banues në lagjen ”Ndoc Mazi” të rrethit të Shkodrës. Burimet policore bëjnë të ditur se 18-vjeçari Zefi, në bashkëpunim me bashkëmoshatarin e tij, Armando Ndreu, edhe ky me banim në qytetin verior, më datën 27 nëntor kanë tentuar të vjedhin autoveturën tip “Fiat Punto”, me targa AP 474 HF, në pronësi të qytetarit A. Cecaj, në Lagjen Nr. 6 të qytetit bregdetar. Për këtë rast ishte regjistruar procedimi penal një ditë më pas pranë Prokurorisë së Durrësit. Po ashtu, më 28 Nëntor, dy të rinjtë kanë kryer edhe dy vjedhje të tjera. Në lagjen Nr. 5 të qytetit, të dy 18-vjeçarët shkodranë kanë vjedhur automjetin tip “Fiat Punto”, me targa DR 0640 E, në pronësi të shtetasit M. Nikocaj. Pas denoncimit, mjeti është gjetur në qytetin e Shkodrës, në afërsi të banesës së Real Zefit. Më pas, automjeti është sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale. Tri ditë pas ngjarjes, organi i akuzës nisi hetimet. Të pasionuarit pas markës italiane po të njëjtën ditë kanë tentuar të vjedhin autoveturën tip “Fiat Punto”, me targa TR 6573 D, në pronësi të shtetasit A. Selimaj, në Lagjen Nr. 6 të qytetit të Durrësit. Pas verifikimeve të para dhe dëshmive të të dëmtuarve, policia identifikoi autorët dhe i shpalli persona në kërkim më 6 dhjetor. “Ndalimi i shtetasit Real Zefi u bë i mundur mbrëmjen e së mërkurës, në qytetin e Shkodrës, ndërsa po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të tij”, - tha zëdhënësja e Policisë së Qarkut të Durrësit. Ndaj tyre ishte lëshuar urdhërndalimi nga Prokuroria e Durrësit, pasi akuzohen për veprën penale “vjedhje e kryer në bashkëpunim”.
Gjatë sezonit të verës, por edhe më pas, janë rritur ndjeshëm rastet e vjedhjeve në rrethin e Durrësit të cilat bëhen kryesisht nga mosha të mitura.

RASTET
Më 27 nëntor, Real Zefi dhe Armando Ndreu tentuan të vjedhin makinën “Fiat Punto”, me targa AP 474 HF, në pronësi të shtetasit A. Cecaj, banor në Lagjen Nr. 6, në Durrës.

Më 28 Nëntor, dy adoleshentët nga Shkodra vodhën në Lagjen Nr. 5 në Durrës makinën tip “Fiat Punto”, me targa DR 0640 E, në pronësi të shtetasit M. Nikocaj.

Më 28 Nëntor, Zefi dhe Ndreu erdhën nga Shkodra në Durrës dhe tentuan të vidhnin makinën tip “Fiat Punto”, me targa TR 6573 D, në pronësi të shtetasit A. Selimaj, në Lagjen Nr. 6

12 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›