E Diel, 1 Nëntor 2026

Sëmundjet që kanë rimbursimin më të lartë nga ISKSH-ja



Emanuela Sako

ISKSH-ja publikon sëmundjet që kanë pasur rimbursimin më të lartë për 9-mujorin e parë të këtij viti. Janë 11 sëmundje, të cilat kanë pasur rimbursim të lartë nga ISKSH-ja nëpërmjet të cilave kanë përfituar mjaft pacientë. Edhe pse kërkesat e pacientëve kanë qenë të mëdha për shtimin e barnave të rimbursueshme, ISKSH-ja ka bërë të mundur që pjesë e përfitimit të jenë të gjithë ata pacientë që vuajnë nga sëmundjet kronike dhe nga sëmundje që cilësohen si të rënda. Sipas ISKSH-së, duke parë domosdoshmërinë e kurimit dhe barnat e domosdoshme që nevojiten, rimbursimi i tyre është bërë në masën 70 për qind. Këtë vit u futën në listën e barnave të rimbursueshme 21 barna të reja.
Sëmundjet
Sëmundjet që kanë rimbursimin më të lartë dhe që regjistrojnë një numër të madh të pacientëve deri tani janë 11. Por nuk ngelen pas edhe mjaft diagnoza të tjera me të cilat qytetarët mund të preken. Diagnozat që kanë rimbursimin më të lartë janë: Hipertensioni esencial, Diabeti mellitus, Talasemia Major, Astma bronkiale, Insuficienca kardiake, Insuficienca kronike e veshkave, Psikoza skizofrenike, Tumori malinj i gjirit te femrat, Epilepsia dhe Hipoplazia e prostatës. Përfituesit më të mëdhenj të barnave me rimbursim janë të sëmurët kronikë, të cilët janë të detyruar të blejnë vazhdimisht barna. Me pak fjalë, në këto kategori përfshihen të sëmurët me zemër, veshka, astmë etj. Ndërsa pjesa tjetër e përfituesve janë fëmijët që vuajnë nga sëmundje të rënda. Për këtë arsye, barnat janë vendosur sipas prioriteteve, duke nisur nga fëmijët hemofilikë, të sëmurët me kancer etj. Nevojat për shtimin e listës së barnave të rimbursueshme për këtë vit kanë qenë të domosdoshme, por buxheti i akorduar për shtimin e barnave ka qenë i pamjaftueshëm.
Masa
Pak kohë më parë, ISKSH-ja sqaroi se është bërë mbulimi i të gjitha grup-sëmundjeve dhe një shpërndarje e drejtë e fondeve, duke marrë në konsideratë shpenzimet për rimbursimin e barnave në vitin 2007. Lista e Barnave të Rimbursueshme 2008 mbulon rreth 94% të sëmundjeve kronike dhe në masën 70 % të sëmundjeve kardiovaskulare. Për futjen e më shumë barnave në skemë, ISKSH-ja kërkon hartimin e dy listave alternative të barnave, një listë të plotë të barnave të rimbursueshme dhe listën me bashkëpagesë me pacientin. Për barnat e rimbursueshme, ISKSH-ja vuri në dispozicion fondin prej 4.2 miliardë lekë, ndërsa efekti financiar vjetor për alternativat e barnave të shtuara është 135 milionë lekë.

box
Diagnozat me rimbursim më të lartë për 9-mujorin e vitit 2008
Diagnoza Pacientë (Numri)
Hipertension esencial 158,022
Diabetis melitus 38,263
Thalasemia Major 287
Astma bronkiale 15,417
Insuficienca kardiake 20,489
Insuficienca kronike e veshkave 1,558
Psikoza skizofrenike 7,251
Tumori malinj i gjirit te femrat 2,146
Epilepsia 8,707
Hipoplazia e prostatës 8,781
Total 260,921

Mjekët shpërblehen me bonus çdo 3 muaj për cilësinë e punës

Bluzat e bardha do të shpërblehen çdo tre muaj me bonus për cilësinë e punës së kryer. Madje, bonusi ka filluar të shpërndahet, ndryshe nga viti i kaluar. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, lidhur me ecurinë e treguesve të punës së mjekëve në shërbimin shëndetësor parësor, u shpreh se treguesit janë në rritje. Pra, 10% shtesë mbi pagën që bazohet te numri i vizitave të kryera nga qendrat shëndetësore për 9-mujorin e vitit 2008 u arrit në masën 75%. Ndërsa bonusi prej 5% shtesë për cilësinë e shërbimit, i cili shpërndahet çdo 3 muaj, është arritur në masën 60 %. Tashmë bonusi ka filluar të shpërndahet për herë të parë në vitin 2008, megjithëse hartimi i kritereve nisi vitin e kaluar dhe për këtë arsye shpërndarja e bonusit nuk u krye. Njëkohësisht, Hana u shpreh se spitalet duhet të paguajnë borxhet e mëdha që kanë nga moszhvillimi në kohë i tenderave para se të nisë reforma e re spitalore më 1 janar të 2009-s. “Borxhet e spitaleve, për shkak të tenderave, janë të mëdha dhe të trashëguara ndër vite”, - u shpreh drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Këto borxhe duhet të paguhen përpara se spitalet të kthehen në institucione vendimmarrëse, ku fondet do të menaxhohen nga vetë ato. Reforma spitalore vitin e parë të saj do të ketë probleme në zbatim, pasi do të jetë në fillimet e praktikimit të kësaj metode. Ajo synon llogaritjen e kostos së shërbimeve, rritjen e të ardhurave dytësore, të cilat do të shkojnë për spitalin. Sipas Hanës, pritet vendimi i Këshillit të Ministrave që të vendosë se si do të trajtohen borxhet e spitaleve për vitin 2009.

Bashkia mbjell pemë në bulevardet kryesore të kryeqytetit

Bashkia e Tiranës mbjell pemë përgjatë bulevardeve të kryeqytetit në kuadër të nismës “Një qytetar, një pemë”. Gjithçka bëhet në kuadër të përmbushjes së objektivave për përmirësimin e cilësisë së mjedisit në Tiranë dhe shtimin e hapësirave të gjelbra. Pas mbjelljes së 50 pemëve të llojit rrap në bulevardin “Zhan D’Ark, vijoi mbjellja e 100 pemëve përgjatë bulevardit “Bajram Curri”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka qenë i pranishëm në ceremoninë e mbjelljes së pemëve për dekorimin dhe gjelbërimin e Tiranës. E veçanta ishte se mbjellja e pemëve u shoqërua nga fëmijët e Kopshtit 24, të cilët së bashku me edukatoret e tyre morën pjesë në procesin e veçantë dhe të rëndësishëm të gjelbërimit përgjatë këtij aksi. “Sot ne duam t’u themi të gjithë prindërve se duhet të bëjmë shumë më tepër, të gjithë së bashku, për të pasur në Tiranën tonë të përbashkët më shumë pemë dhe duam t’u bëjmë thirrje të gjithë sipërmarrësve të Tiranës që t’i bashkohen iniciativës sonë për të mbjellë nga një pemë për çdo njeri”, - u shpreh Rama. Sipas tij, kjo do t’i japë mundësi të vegjëlve të kuptojnë dhe të ndërgjegjësohen mbi rëndësinë e mbjelljes së pemëve. Janë rreth 3000 pemë dekorative të llojeve të ndryshme që do të mbillen në bulevardet kryesore të qytetit gjatë periudhës dhjetor 2008 – janar 2009.

12 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›