E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Eagle Mobile”, shqiponja tashmë me Roaming kudo në botë

Flet z. Arben Margilaj, drejtor i Çështjeve Rregullatore, Interkoneksion dhe Roaming. Margilaj: “Eagle Mobile”, shtëpia e parapëlqyer e komunikimit për shqiptarët

Luan Kondi

Në zyrat qendrore të kompanisë prestigjioze të telefonisë celulare “Eagle Mobile” të presin aq këndshëm, sa dëshiron menjëherë të jesh pjesë e tyre. Fakt është se gjithçka lidhet me stafin profesional. Pse jo, dhe me ofertat që ata shpalosin gjithnjë përpara klientëve. Zyrat kryesore të kompanisë ndodhen thuajse në qendër të Tiranës, pak metra larg nga sheshi “Skënderbej”, në tre kate të një ndërtese moderne. Këto nuk janë të vetmet zyra në kryeqytet, pasi ka edhe të tjera. Duke parë interesin e madh të lexuesve tanë për të marrë një informacion lidhur me të rejat më të fundit të shërbimeve të kësaj kompanie, zyra e marrëdhënieve me publikun na drejtoi në njërën nga drejtoritë më të rëndësishme të “Eagle Mobile”, në atë të Çështjeve Rregullatore, Interkoneksionit dhe Roaming. Në një zyrë modeste, por ku nuk mungonin aksesorët më moderne të kohës për një punë profesionale, gjetëm një nga specialistët e njohur të telekomunikacioneve, z. Arben Margilaj, i cili shpjegon për lexuesit tanë sfidat e kompanisë “Eagle Mobile”, e cila vjen duke i shtuar gjithnjë e më shumë abonentët e vet. Drejtori Margilaj shprehet edhe për surprizat që kompania afron në Roaming falë marrëveshjeve me 553 operatorët në 200 vende të botës. “Për shqiptarët që përdorin “Eagle Mobile” tani s’ka më pengesa komunikimi, kudo që të shkojnë e kudo ku ata janë”, - u shpreh Margilaj në intervistën e tij ekskluzive për gazetën “Albania”. Sipas tij, ambiciet e kompanisë janë për aplikimin e Mobile Number Portability, e thënë ndryshe Mbartja e Numrit Celular, një shërbim i ri që tashmë është prezent në Europë e në botë. Margilaj thotë se ky shërbim së shpejti do të jetë edhe në Shqipëri.

ǒpërfaqëson sot për shqiptarët “Eagle Mobile”?

Nëse do ta përmblidhja me një shprehje: “Shtëpia e parapëlqyer e komunikimit për shqiptarët“. “Eagle Mobile” është tashmë një realitet i prekshëm në tregun e telekomunikacionit në Shqipëri, një realitet që tregon vlerat reale të konkurrencës së ndershme. Me implementimin e teknologjisë më të fundit GSM, me shërbimet e ofruara për 185 000 abonentët e vet e deri në fund të vitit më shumë se 200 000, me çmimet më të ulëta në treg e të pranueshme për realitetin shqiptar, e me surprizat që nuk do të reshtin edhe gjatë vitit 2009, kompania “Eagle Mobile” synon të bëhet një strehë e parapëlqyer komunikimi për shqiptarët. Kjo është motoja e punës së këtij stafi tepër profesional e të përkushtuar. Kjo është sfida jonë...

Si mendoni ta përmbushni këtë sfidë?

Sigurisht përmes ofrimit të shërbimeve cilësore e konkurruese në treg. Disa prej të cilave janë edhe Shërbimi Roaming i ofruar nga “Eagle Mobile” dhe Mobile Number Portability ose Mbartja e Numrit celular që shumë shpejt do të jetë prezent në tregun shqiptar të telekomunikacioneve.

Por çfarë ofron shërbimi juaj Roaming dhe çfarë e bën atë të dallueshëm nga të tjerët?

Me shërbimin ROAMING ofruar nga “Eagle Mobile”, shqiptarët mund të flasin kudo që shkojnë e kudo që ndodhen.
Roaming është përcaktuar si një mundësi për një abonent celular të bëjë e të marrë thirrje telefonike, të dërgojë e të marrë të dhëna ose të ketë akses në shërbime të tjera kur është duke udhëtuar ose ndodhet jashtë zonës së mbulimit gjeografik të rrjetit të vet. Ose, e thënë ndryshe, përfitimi i të gjitha llojeve të shërbimeve celulare kur ndodhesh në një rrjet tjetër jashtë Shqipërisë. Si një kompani e orientuar drejt cilësisë së shërbimeve që ofron, shërbimi Roaming është një nga prioritetet tona. “Eagle Mobile” e filloi ofrimin e shërbimit Roaming që nga lançimi i parë i shërbimit në mars 2008 fillimisht me vendet fqinje e vendet e rajonit: Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Turqia, Italia, Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Bosnje Hercegovina e tashmë, ashtu sikurse e premtuam, si një prioritet e një vlerë në cilësinë e shërbimeve tona, jemi prezent në të gjithë botën. Kështu, çdo abonent 067 mund ta përdorë celularin e vet në çdo vend të botës, pa asnjë kufizim. Shërbimi ynë ROAMING është funksional me 553 operatorë në mbi 200 vende në çdo cep të globit nga Lindja e largët e Oqeanit, nga Australia në Polin e Veriut, madje, për kuriozitetin tuaj mund t’ju them se “Eagle Mobile” komunikon edhe në anijet lundruese që e ofrojnë këtë shërbim (GSM on the ship). Pra, për shqiptarët që përdorin “Eagle Mobile” tani s’ka më pengesa komunikimi, kudo që të shkojnë e kudo ku ata janë.

Po lidhur me Portabilitetin ose Mbartjen e Numrit celular ç’mund të na thoni, pasi është një term i ri e natyrisht një shërbim i panjohur në Shqipëri?

Mobile Number Portability është nxitësi real i konkurrencës në tregun e telekomunikacioneve.
Mobile Number Portability, e thënë ndryshe Mbartja e Numrit Celular, është shërbimi më i ri që tashmë është prezent në Europë e në botë dhe së shpejti edhe në Shqipëri.
Nëpërmjet këtij shërbimi, çdo abonent i shërbimit celular mund të ruajë numrin e tij celular, pa ndryshuar asgjë (as prefiksin), por mund të ndryshojë operatorin, pra mund ta mbartë numrin nga njëri operator në tjetrin pa asnjë problem.
Pra, abonenti celular përfiton shërbimet e një operatori tjetër që ai dëshiron e që i ofron atij shërbime e tarifa konkurruese. E për më tepër ky ndryshim, apo mbartje, mund të bëhet në një kohë të shkurtër, madje edhe brenda një dite.
Ky shërbim ka filluar për kompanitë mobile që nga viti 1997 në Singapor, më 1999 në Europë me UK dhe Holandën, për të vazhduar më tej me shumicën e vendeve të EU, përfshi edhe rajonin tonë, Italia në 2002-shin, Greqia në 2003-shin, Hungaria në 2004-n, Kroacia e Sllovenia në 2005-n, Rumania në 2007-n etj. e së fundmi edhe Turqia prej 1 nëntorit 2008.
Mundësia që qytetarët të mbartin numrin nga një kompani celulare në tjetrën është një mundësi konkrete konkurrence në treg, ku shërbimet e ofruara, cilësia e tyre dhe natyrisht çmimi do të ballafaqohen me njëri-tjetrin, duke bërë që qytetarët të zgjedhin më të mirën për ta, duke i dhënë fund një herë e mirë periudhës monopoliste e jotransparente të shërbimeve e tarifave.
“Eagle Mobile” është një kompani që ka si moto të saj transparencën ndaj qytetarit në shërbime e çmime të ofruara dhe që i është përkushtuar cilësisë së shërbimit ndaj klientit, kujdesit maksimal për të dhe ballafaqimit të përditshëm me atë që shqiptarët kërkojnë:
Shërbime moderne, transparencë në çdo gjë dhe çmime të pranishme për të gjithë.
Kjo e bën një domosdoshmëri aplikimin e Portabilitetit të Numrit si një detyrim për kompanitë celulare dhe një e drejtë e padiskutueshme për klientët e shërbimeve celulare, si një e drejtë e njeriut të lirë që të zgjedhë atë që i shërben më mirë e më lirë.
Statistikat e këtij shërbimi në Europë tregojnë shkallë të lartë në përdorimin e tij.
Numrat e mbartur, pra që kanë lëvizur nga një operator në tjetrin, e dëshmojnë këtë. Në Finlandë 70 % e totalit të numrave celularë, në Danimarkë 46 %, në Austri 25 %,
në Belgjikë 22 %, në Itali 19 %, në Spanjë kanë ndryshuar operator mbi 13 milionë abonentë ose 300 000 në çdo muaj.
Pra, qytetarët europianë janë të lirë të zgjedhin operatorin, atë që ofron më të mirën për ta.
Në Shqipëri, në përputhje me Ligjin Nr.9918, datë 19.05.2008, të Komunikimeve Elektronike në Republikën e Shqipërisë, Portabiliteti i Numrit ose Mbartja e Numrit duhet të jetë efektive brenda datës 26.06.2009.
Nisur nga ky detyrim ligjor, AKEP ka publikuar procedurën e konsultimit publik midis operatorëve mobilë dhe palëve të interesuara. Në këtë proces, palët do të japin komentet dhe sugjerimet përkatëse dhe pastaj besoj se do të kalohet në tryeza pune me operatorët celularë dhe AKEP.
Rezultatet e këtij konsultimi reciprok besojmë se do të çojnë në konkluzionet e duhura në vendosjen e Kuadrit Rregullator për Portabilitetin e numrave (Mbartjen e tyre), në mënyrë që në mesin e vitit 2009 ky shërbim aq i domosdoshëm të bëhet i vlefshëm edhe për shqiptarët.
Natyrisht që në këtë proces vendimmarrjeje e rregullimi, roli i AKEP-së është vendimtar.
“Eagle Mobile” e vlerëson maksimalisht përpjekjen e ekipit të AKEP-së për implementimin e Number Portability në Shqipëri si një përpjekje për të nxitur konkurrencën reale dhe për t’u ofruar shqiptarëve mundësinë e zgjedhjes së lirë, vetëm mbi bazat e shërbimeve dhe çmimeve më të mira në treg.
“Eagle Mobile” do të përfshihet plotësisht në këtë proces dhe do të mbështesë fort realizimin dhe ecurinë e tij me bindjen se kështu u shërben konsumatorëve shqiptarë dhe krijimit të një tregu të lirë e pa barriera.

Së fundmi, do të desha të pyes lidhur me marrëdhëniet që keni me Institucionet Rregullatore të fushës së Telekomunikacioneve e cili është ndikimi i tyre në këtë proces?

Në fokusin e punës sonë mbetet primar krijimi dhe mbarëvajtja e një klime korrekte reciprociteti në marrëdhëniet me Agjencinë Rregullatore të Komunikimeve Elektronike (AKEP), por edhe me të gjitha institucionet me të cilat kemi raporte direkte pune.
Kjo për faktin se këto institucione përfaqësojnë mekanizmin tepër të domosdoshëm të iniciuesit dhe ruajtësit korrekt të rregullave të lojës në këtë treg dhe kjo e bën pa dyshim rolin e tyre tepër të rëndësishëm e përcaktues.
“Eagle Mobile” ka hyrë në treg si një kompani serioze dhe tepër korrekte në zbatimin dhe mbarëvajtjen e kuadrit rregullator brenda vendit, por edhe në raport me institucionet ndërkombëtare të telekomunikacionit ku ne aderojmë.
“Eagle Mobile” tashmë e ka treguar me prezencën e saj në treg shembullin e korrektesës me shërbimet dhe çmimet e ofruara për shqiptarët dhe kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Kjo i shërben më së miri marrëdhënieve që kemi tashmë me Agjencinë Rregullatore të Telekomunikacioneve në Shqipëri, por edhe me institucionet e tjera.
Ne i vlerësojmë këto marrëdhënie si të shkëlqyera dhe mbështesim pa rezerva të gjitha përpjekjet që ka bërë dhe është duke bërë kjo agjenci në dobi të krijimit dhe zbatimit të rregullave në mënyrë të barabartë për të gjithë operatorët celularë, në funksion të shërbimeve më të mira për të gjithë shqiptarët.

12 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›