E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, shpërblimi që u kthye në “borxh” për 3 vjet



Tiranë - Shpërblimi i fundvitit 2006 për të gjithë punonjësit e QSUT-së u kthye në një borxh 3-vjeçar, që paguhet me këste. Dy vjet më parë punonjësit e QSUT-së morën nga Drejtoria e këtij institucioni një pagë shtesë si shpërblim për festat e fundvitit, por që entuziazmi për këtë dhuratë gjatë festive nuk zgjati shumë. Por nga kontrollet e disa muajve më vonë, të kryera nga KLSH—ja, ky shpërblim u kthye në një borxh që punonjësit vazhdojnë ende ta shlyejnë. Sipas burimeve nga Drejtoria e QSUT-së, KLSH-ja e cilësoi shpërndarjen e pagës shtesë si abuzim me fondet e Drejtorisë së QSUT-së dhe për këtë arsye gjithçka duhet të rikthehet. Duke u gjendur në këto kushte Drejtoria vendosi që të gjithë punonjësit të rikthejnë paratë e marra. Mënyra e kthimit në vendin e vet të pagës shtesë u bë në mënyrë që të gjithëve duhet t’u mbahet nga paga 1 mijë lekë në muaj. Ndërkohë që bluzat e bardha e paguajnë këtë borxh prej dy vitesh dhe do të vazhdojnë të shlyejnë pagën e marrë edhe gjatë këtij viti. Ndërsa ata që duhet të paguajnë këtë shumë shprehen se kjo është një situatë mediokre dhe që nuk duhej zgjidhur në këtë mënyrë. Madje ata ndihen të frikësuar për shpërblimin që do të marrin gjatë këtij viti, se mos ripërsëritet e njëjta situatë. Ky ka qenë rasti i parë që ka ndodhur në QSUT me shpërblimet e fundvitit, të cilat punonjësit e Shëndetësisë vazhdojnë ta paguajnë. Bluzat e bardha për këtë vit do të marrin shpërblimin prej 10 mijë lekësh të akorduar nga qeveria për festat e fundvitit. Ndërsa vlerësimi në bazë të punës së kryer do të jepet nga fondi i QSUT-së për mjekët që kanë dhënë kontribut gjatë këtij viti. Aktualisht nuk është përcaktuar numri i mjekëve që do të përfitojnë nga Drejtoria e Spitalit.

Alibeaj emëron Kosta Barkën nëndrejtor të Hipotekës

Tiranë - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, firmosi dje emërimin e Kosta Barkës në detyrën e nëndrejtorit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP). Lajmi u pohua nga burime zyrtare pranë kësaj ministrie. Ish-ministri i Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, do të ulet në postin që mbante Bashkim Gazidede, i cili ndërroi jetë pak kohë më parë nga një sëmundje e rëndë. Kosta Barka u shkarkua nga funksioni i ministrit të Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta me dekret të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili pranoi propozimin e kryeministrit për largimin dhe zëvendësimin e tij me Anastas Duron. Propozimi për largimin e Barkës nga funksioni i ministrit iu bë kryeministrit Sali Berisha nga Kryesia e Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut.

12 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›