Projektligji i plotë për Prokurorinë
Duke marrë shkas nga mospublikimi i projektligjit nga qeveria dy ditë më parë, gazeta “Albania” publikon të plotë draftin që u miratua nga Këshilli i Ministrave. Redaksia e ndërmori këtë veprim në mënyrë që vetë prokurorët, ekspertët e çështjeve ligjore, por edhe publiku i gjerë, të njihen në mënyrë integrale me paketën e propozimeve të bëra nga qeveria për ndryshimin e kuadrit ligjor për Prokurorinë. Duke u ballafaquar me këtë projektligj, grupet e interesit, sidomos Shoqata Kombëtare e Prokurorëve, apo edhe institucione të tjera, të përfshira në hartimin e tij, kanë rastin të ballafaqohen me pikat e propozuara prej tyre dhe pikat që janë marrë në konsideratë nga Ministria e Drejtësisë. Ashtu siç ishte paralajmëruar, ky draft i hap rrugën në mënyrë të qartë ndëshkimit të kreut të Prokurorisë së Përgjithshme nga Ministria e Drejtësisë përmes miratimit të tij në Kuvend. Po ashtu, projektligji shmang rolin e institucionit të Presidentit në procedimin disiplinor që merret nga kryeprokurori.
Ndryshimi që i bëhet kuadrit ligjor për Prokurorinë vjen në kohën kur organi i akuzës po heton shumë çështje, ku ka dyshime për afera politike. Mes tyre janë dosjet e rrugës “Durrës-Kukës”, ngjarja e Gërdecit apo edhe dosja “Fazlliç”. Ky ka qenë edhe shkaku që nisma ligjore e ndërmarrë nga maxhoranca ka ngjallur dyshime, mosbesim, por edhe kritika të ashpra nga partitë opozitare. Më poshtë sjellim për lexuesit relacionin e dërguar nga ministri i Drejtësisë në Këshillin e Ministrave si dhe projektligjin e plotë.
RELACION PËR PROJEKTLIGJIN
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8737, DATË 12.02.2001 “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E PROKURORISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRIS˔, TË NDRYSHUAR ME LIGJIN NR. 9102, DATË 10.07.2003
Projektligji që po paraqitet për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë përbën një nga nismat më të rëndësishme të Këshillit të Ministrave dhe pas miratimit të ligjit të ri organik “Për pushtetin gjyqësor” është një nga elementët më të rëndësishëm legjislativw që ndërmerret në kuadër të reformës në Drejtësi. Praktika e deritanishme e organizimit dhe funksionimit të organit tw rëndësishëm të Prokurorisë, njohja në thellësi e eksperiencave dhe modeleve të tjera të organizimit dhe funksionimit të prokurorive, si dhe rekomandimet e misioneve të huaja që asistojnë sistemin e drejtësisë bën të mundur konsolidimin e idesë dhe ndërmarrjen e veprimit për paraqitjen e këtyre ndryshimeve që konsiderohen si të rëndësishme dhe të domosdoshme për reformën e sistemit të drejtësisë.
Pas nenit 3 të ligjit bazë propozohen të shtohen disa dispozita të tjera ligjore, të cilat në mënyrë të plotë rregullojnë disa aspekte të rëndësishme të pozicionit dhe punës së Prokurorisë, në funksion të misionit të saj kushtetues dhe si organ i centralizuar. Më konkretisht, rregullohen në mënyrë normative këto çështje: përcaktimi i organeve të Prokurorisë dhe përfaqësimi i saj; hierarkia e brendshme brenda strukturës së centralizuar në Prokurori, kufizimet e pushtetit më të lartë dhe drejtimi i Prokurorisë. Elementët e sipërcituar jo vetëm plotësojnë boshllëkun e krijuar në aspektin e përgjithshëm të punës dhe përcaktimit të organizimit të Prokurorisë, por janë edhe përcaktime të cilat gjenden në disa ligje të tjera të vendeve europiane për Prokurorinë dhe organizimin ose funksionimin e saj.
Konkretisht, organet e Prokurorisë propozohet të jenë Prokuroria e Përgjithshme e Republikës, Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Prokuroritë pranë gjykatave të apelit, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, si dhe Prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë. Në funksion dhe si derivat i drejtpërdrejtë i këtij përcaktimi në rend zbritës edhe përfaqësimi i Prokurorisë, i cili bëhet nga prokurori i Përgjithshëm; drejtuesit e prokurorive pranë gjykatave të apelit dhe drejtuesit e prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë.
Hierarkia, brenda institucionit të Prokurorisë, si një organ i centralizuar, propozohet të jetë sipas niveleve të organizimit dhe funksionimit të saj në drejtimin e centralizuar, nga prokurori më i lartë tek prokurori më i ulët, dhe që është si më poshtë:
- Prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme janë prokurorw më të lartë se prokurorët e prokurorive të apeleve dhe të prokurorive të shkallës së parë.
- Prokurorët e prokurorive të apelit, në gjykimet e çështjeve të apeluara që kanë në juridiksion, janë prokurorw më të lartë se prokurorët e prokurorive të shkallës së parë, të cilët i përkasin atij juridiksioni.
- Prokurorët e Shkallës së Parë, sipas kompetencës lëndore dhe tokësore, janë prokurorw të nivelit të parë në Prokurori.
- Prokurorët, drejtues të drejtorive në Prokurorinë e Përgjithshme, drejtues të prokurorive të apeleve dhe drejtues të prokurorive të Shkallës së Parë, janë prokurorw më të lartë se prokurorët në strukturat përkatëse që ata ushtrojnë funksionet.
Një përcaktim i tillë i hierarkisë jo vetëm është në përputhje me përcaktimet e bëra në Kodin e Procedurës Penale, por sjell një element të munguar në bazën ligjore të deritanishme për Prokurorinë. Nuk mund të mendohet përcaktimi i një organi të centralizuar pa përcaktuar në mënyrë të qartë edhe rolin dhe pushtetin e kujtdo që bën pjesë në këtë strukturë të rëndësishme. Lista e hierarkisë e paraqitur ezauron shkallën e hierarkisë në mënyrë të plotë sipas renditjes dhe ndërtimit vertikal të organit të Prokurorisë.
Element i mëtejshëm që propozohet të shtohet janë kufizimet e pushtetit të prokurorit më të lartë. Është e kuptueshme dhe e rekomandueshme që pushtetet dhe raportet e prokurorit më të lartë me atë më të ulët, të paraqiten në një akt ligjor dhe të mos u lihen akteve nënligjore. Kjo për arsyen se jo vetëm marrëdhënia e punës që synohet të rregullohet është e tillë dhe e rëndësishme që meriton për t’u rregulluar me ligj, por edhe se nëpërmjet një normimi të tillë ligjor varet në një masë të madhe edhe suksesi i punës së Prokurorisë në luftën e saj ndaj krimit dhe përfaqësimit të akuzës penale në gjyq në emër të shtetit. Prokurori refuzon përmbushjen e urdhrit ose udhëzimit kur është haptazi në kundërshtim me ligjin, në çdo rast të mbështetur në ligj dhe në prova. Refuzimi bëhet gjithmonë me akt të shkruar. Në rast refuzimi, drejtuesi i Prokurorisë ose prokurori më i lartë që ka dhënë urdhrin ose udhëzimin, ka të drejtë të zëvendësojë prokurorin që refuzon, duke proceduar personalisht ose duke ia ngarkuar ushtrimin e ndjekjes penale një prokurori tjetër.
Nuk përbëjnë objekt refuzimi vendimet e marra në rrugë hierarkike në zbatim të ligjit procedural penal dhe urdhrat dhe udhëzimet e nxjerra nga prokurori i Përgjithshëm, përveç rastit kur ato janë haptazi në kundërshtim me ligjin.
Një nen i rëndësishëm për nga përmbajtja është edhe neni i parashikuar të shtohet: neni 3/ç. Synimi i tij është të shmangë situatën e konfliktit të interesit, i cili mund të jetë prezent në hetimin dhe përfaqësimin në gjyq të akuzës penale. Ai synon të plotësojë një element të munguar në legjislacionin shqiptar sepse deri sot një konflikt interesi i shtrirë te drejtuesit e prokurorive, përfshirë edhe shtrirjen deri te posti i prokurorit të Përgjithshëm nuk ka rregullim ligjor. Kodi i Procedurës Penale, sikundër u diskutua dhe u ra dakord në grupin e punës që u mor me përgatitjen e këtij ligji, nuk e rregullon një konflikt të tillë në këtë nivel, por vetëm për prokurorin e çështjes, dhe për pasojë, nuk jep asnjë zgjidhje ligjore. Kështu, tashmë drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit, prokurorit të Apelit, prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme apo prokurori i Përgjithshëm, kur gjendet në një çështje penale në rastet e parashikuara në nenet 16 dhe 17 pika 1 e Kodit të Procedurës Penale, i ndalohet të japë urdhra dhe udhëzime me shkrim prokurorit të çështjes apo të influencojë në çdo mënyrë tjetër. Drejtuesi në konflikt interesi njofton me shkrim prokurorin e Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm, kryesisht ose me kërkesë, vendos me shkrim mbi përjashtimin e drejtuesit nga procedura e dhënies së urdhrave dhe udhëzimeve drejtuesin në konflikt interesi.
Në rastin kur prokurorit të Përgjithshëm i kërkohet nxjerrja e një urdhri apo dhënia e një udhëzimi në një procedim në të cilin ai është në konflikt interesi, atëherë ai deklaron me shkrim gjendjen e konfliktit të interesit dhe njofton prokurorin që i ka kërkuar nxjerrjen e urdhrit apo dhënien e udhëzimit. Urdhri apo udhëzimi nxirret nga prokurori më i vjetër në detyrë, drejtor në strukturën e prokurorit të Përgjithshëm.
Në nenin 2 të projektligjit saktësohet, sikundër edhe në çdo praktikë tjetër, akti administrativ se urdhrat dhe udhëzimet e prokurorit më të lartë, që jepen me shkrim dhe të detyrueshme për zbatim nga prokurori më i ulët, duhet të jenë gjithashtu edhe të arsyetuara. Në po këtë nen, për shkak se shkalla e hierarkisë u përcaktua në nenet e mësipërme, shfuqizohet paragrafi i dytë i pikës 3 të tij.
Në nenin 3 të projektligjit mbi bazën edhe të përcaktimeve kushtetuese ose ligjore për organe të tjera të shtetit vendosen disa kritere zgjedhjeje për Prokurorin e Përgjithshëm, afatin e qëndrimit në detyrë, dhe garancitë që i ofron ligji pas mbarimit të mandatit. Është e kuptueshme që prokurori i Përgjithshëm duhet të gëzojë besimin e dy institucioneve të rëndësishme siç janë Kuvendi dhe Presidenti i Republikës; për pasojë është mbajtur parasysh krijimi i një hapësire të gjerë zgjedhje për këto dy institucione, të cilat si institucione kushtetuese i japin personit besimin publik për drejtimin e prokurorisë në Shqipëri. Si të tilla dhe në funksion të drejtimit të këtij organi vendosen disa kritere të përgjithshme të cilat të harmonizuara edhe me elementët e besimit nga këto dy institucione, sigurojë dhe arrijnë të japin një zgjedhje të plotë për drejtimin e institucionit.
Në nenin 4 të projektligjit, mbi bazën edhe të praktikës dhe problematikës së akumuluar deri tani, listohen kompetencat e prokurorit të Përgjithshëm. Disa kompetenca të cilat janë në ligjin aktual si p.sh. ato të shkronjës “a”, “c, “c” “d”, propozohen që të kenë saktësime të rëndësishme, edhe për pasojë të miratimit të këtyre ndryshimeve. Një pjesë tjetër kompetencash si p.sh ato të përcaktuara në shkronjat “a”, ”e”, ”i”, ’j”, ’k”, “l”, “m” parashikohen për herë të parë dhe janë hartuar në reflektim të praktikës dhe nevojës së deritanishme ose sipas modeleve të ligjeve për prokuroritë të disa vendeve europiane.
Ndryshimet e paraqitura në nenet 6 dhe 7 të projektligjit kanë të bëjnë me Këshillin e Prokurorisë. Së pari nëpërmjet këtyre amendimeve është riformatuar përbërja e tij. Më konkretisht Presidenti i Republikës, nëpërmjet përfaqësuesit të tij, synohet që të ketë vetëm rolin e anëtarit vëzhgues në Këshill, me të njëjtat të drejta me ato të anëtarëve të tjerë të Këshillit të Prokurorisë, por pa të drejtë vote. Ndryshimi i sipërcituar shton një vlerë të munguar ose më saktë të deformuar që ka konkretisht procesi i rregullt ligjor në kompetencat e emërimit dhe shkarkimit të prokurorëve. Presidenti i Republikës i emëron dhe shkarkon ata sipas ligjit, ndaj edhe në procesin e brendshëm të Prokurorisë ai, nëpërmjet përfaqësuesit të vet, duhet të qëndrojë në rolin e vëzhguesit. Pasja e një kompetence vendimmarrëse, d.m.th., votë nëpërmjet të deleguarit të tij në Këshill, në terma juridikë e komprometon procesin e rregullt ligjor, sepse në të ka elementë të paragjykimit dhe paanësisë në vendimmarrjen e rëndësishme kushtetuese dhe ligjore të emërimit dhe shkarkimit të prokurorit.
Po ashtu në ligj propozohet të jepet edhe një spektër i përbërjes së Këshillit të Prokurorisë nga radhët e prokurorëve, duke synuar përbërjen e saj të ketë përfaqësues nga të gjitha shkallët e hierarkisë në Prokurori.
Në të njëjtin modalitet dhe për t’iu përgjigjur problematikave të shtruara deri sot është listuar edhe një herë kompetencat e Këshillit të Prokurorisë duke i ndryshuar ato në kuadrin e përmirësimeve teknike dhe në funksion të përcaktimeve të reja ligjore që paraqet ky projektligj.
Në nenin 8 dhe 9 të projektligjit, mbi bazën edhe të frymës shumë pozitive të shprehur nga Kuvendi i Shqipërisë në ligjin e ri “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor”, sanksionohet pa mëdyshje se burimi kryesor i gjeneratës së re të prokurorëve tashmë do të jetë Shkolla e Magjistraturës, në të cilin, sikundër edhe në reformën e pushtetit gjyqësor, do të varet suksesi edhe në punën e prokurorisë. Nga kategoria e atyre që mund të punojnë si prokuror janë përjashtuar nëpërmjet shfuqizimit kategoria e nëpunësve dhe funksionarëve të listuar në nenin 18 shkronja “b” të ligjit bazë. Kjo jo vetëm sepse pranimi i personave me këto funksione nuk ka asnjë lidhje profesionale me detyrën e prokurorit, por edhe se futja e tyre në sistemin e drejtësisë me këtë background vë në rrezik profesionalizmin, eficencën, paanësinë politike, pavarësinë dhe në fund të fundit vetë suksesin në luftën e Prokurorisë ndaj krimit. Përjashtimet në këtë rast parashikohen të jenë të vogla, jo vetëm si konfigurime të pakta profesionesh por edhe në numër relativisht të vogël, në krahasim me kontigjentët që ofron dhe do të ofrojë në të ardhmen Shkolla e Magjistraturës.
Neni 10 i projektligjit rregullon përcakton procedurën e emërimit, dhe në masë të madhe edhe përcakton kushtet e karrierës në prokurorit. Emërimi dhe karriera në Prokurori janë bërë në mënyrë të ngjashme me përcaktimet që ka bërë Kuvendi i Shqipërisë në rastin e pushtetit gjyqësor. Vlerësojmë se të njëjtat argumente mund të sillen si për rëndësinë e karrierës dhe garancitë e qëndrimit në detyrë edhe në rastin e prokurorëve sepse janë pjesë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë, që në masën më të madhe të punës së saj udhëhiqet nga të njëjtat parime themelore. Për herë të parë propozohen kushte për emërime në shkallën hierarkike të prokurorisë duke bërë të mundur funksionimin më të plotë dhe profesional të saj.
Në nenin 13 të projektligjit parashikohet një institut i rëndësishëm, i cili deri tani ka pasur një rregullim fakultativ në dorën e prokurorit të Përgjithshëm. Pezullimi nga ushtrimi i detyrës së prokurorit nuk do të varet nga vullneti subjektiv i një individi, por siç parashikohet në projektligj, do të jetë një procedurë automatike ligjore. Së pari, procedura e pezullimit është e rëndësishme dhe nuk ndikon në pavarësinë e prokurorisë sepse ngelet brenda sistemit të Prokurorisë, pra parakushti është marrja e cilësisë së të pandehurit po nga vetë prokurorët sipas Kodit të Procedurës Penale, si të gjithë shtetasit e tjerë. Së dyti një prokuror që merret i pandehur për shkakun ligjor të parashikuar dhe rrezikshmërisë së kryerjes së veprës penale është e pamundur që të vazhdojë të këtë statusin që të marrë njëkohësisht të pandehur shtetas të tjerë.
Po ashtu, projektligji përcakton në një sërë dispozitash (neni 15 i projektligjit) edhe kushtet për emërimin e drejtuesit të prokurorisë, qëndrimin në detyrë, largimin e tij dhe një listë shteruese kompetencash të tij. Dispozita të tilla janë mëse të nevojshme për sa kohë pranohet dhe saktësohet ligjërisht shkalla e hierarkisë dhe përfaqësimi i institucionit të Prokurorisë.
Mbi bazën e rekomandimit të dhënë nga ana e misionit EURALIUS është bërë edhe riformulimi i nenit 34, paragrafi i dytë i ligjit bazë për shqyrtimin gjyqësor të masës disiplinore “shkarkim nga detyra”.
Nëpërmjet nenit 18 të projektligjit është bërë shfuqizimi i nenit 36 të ligjit ekzistues, i cili i siguron prokurorit mbrojtjen nga procesi penal (titulli i nenit). Së pari një formulim i tillë si në titull edhe në përmbajtje është në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese. Sipas një jurisprudence të konsoliduar tashmë nga Gjykatës Kushtetuese, imuniteti për një kategori zyrtarësh është i parashikuar në Kushtetutë dhe për pasojë ligji as nuk mund të heqë dhe as nuk mund të shtojë kategori të tjera me imunitet. Edhe në rastin kur në tekstin e kësaj dispozite gjenden disa elementë të veçantë mbrojtës, përsëri ato nuk janë në pajtim me Kushtetutën, për sa kohë për një gjë të tillë Kushtetuta nuk parashikon taksativisht, si për kategori të tjera organesh, instrumente mbrojtës për pozicionin e prokurorit. Edhe në një argument shumë të thjeshtë është e pamundur të flitet në Kushtetutë për imunitet të prokurorit, në kuptim e gjerë apo të ngushtë të kësaj fjale, për sa kohë prokurori do të duhet të mbrohet nga vetë prokurori.
Mbi bazën e praktikave më të mira dhe rekomandimit të dhënë nga ana e misionit EURALIUS është bërë riformulimi i dispozitës që ka të bëjë me vlerësimin e punës së prokurorëve, e cila në të vërtetë është një nga aspektet që ka çaluar në punën e prokurorisë. Deri sot ky vlerësim nuk është kryer dhe shkak, midis shkaqeve të tjera, janë edhe përcaktimet e ngurta që ka ligji aktual në këtë drejtim. Mbi bazën e këtyre rekomandimeve është riformuluar dispozita e vlerësimit të punës me qëllim që ajo të bwhet sa më e thjeshtë dhe e aplikueshme në mënyrë të shpejtë, sepse ka një rëndësi të dorës së parë në punën dhe suksesin e Prokurorisë.
Gjithashtu, mbi bazën e parimeve të mirënjohura dhe të përdorura edhe në rastin e karrierës gjyqësore, në nenin 21 dhe 22 të projektligjit, përcaktohet kushtet dhe kriteret e promovimit të prokurorit në një shkallë më të lartë të organizimit të Prokurorisë.
Në nenin 27 të projektligjit dhe me qëllimin e vetëm rritjes e një elementi të rëndësishëm të punës së prokurorisë dhe që ka të bëjë me ana tjetër të medaljes së pavarësisë është rritja e përgjegjshmërisë në kryerjen e detyrës shtetërore. Mbi bazën edhe të praktikës së akumuluar deri më sot është bërë një detajim i mëtejshëm i raportit mes Ministrisë së Drejtësisë dhe prokurorit të Përgjithshëm. Ministri i Drejtësisë paraqet në Kuvend, të paktën një herë në vit, raport me shkrim për inspektimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë, duke vënë në dijeni edhe prokurorin e Përgjithshëm. Raporti përmban të dhëna të përgjithshme dhe prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë të paraqesë në Kuvend mendimin e tij në lidhje me raportin. Mbi bazën e rezultateve të kontrollit ministri i Drejtësisë, kur është rasti, paraqet rekomandim për marrje mase disiplinore prokurorit të Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm shqyrton rekomandimin dhe vendos në lidhje me të. Rekomandimi për procedim disiplinor dhe përgjigja e prokurorit të Përgjithshëm i njoftohen Presidentit të Republikës.
Dispozitat e tjera ligjore kanë të bëjnë edhe më ndryshime të nevojshme në një sërë çështjesh të tjera sikundër janë paga dhe shpërblimet e prokurorit, nëpunësit civilë dhe ruajtjen e statusit të prokurorit. Në rrethin e marrëdhënieve të institucionit të Prokurorisë me institucionet e tjera është shtuar edhe marrëdhënia me Policinë Gjyqësore, e cila reflekton rekomandimin e Këshillit të Europës në këtë fushë. Ndryshohet gjithashtu edhe emërtesa nga “Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm” në “Prokurorinw e Përgjithshme”, e cila bën një rikthim në traditën e mëparshme të emërtesës së Prokurorisë që shpreh më mirë thelbin e funksionimit dhe punës së saj, por edhe se në një vështrim krahasues të modeleve të tjera të prokurorive në vende të ndryshme europiane emërtesa të tilla nuk gjenden.
Projektligji që po paraqitet për shqyrtim dhe miratim ka një rëndësi themelore dhe përbën një nga iniciativat më të rëndësishme në fushën e drejtësisë penale. Nëpërmjet tij synohet të forcohet dhe garantohet pozita dhe figura e prokurorit, plotësohet kuadri i përgjithshëm normativ me elementë kyç të organizimit institucional si drejtimi, hierarkia, kufizimi i pushtetit, transferimi, ngritja në detyrë, vlerësimi i punës etj. Këto janë aspekte të rëndësishme normative nga të cilat ky organ ka vuajtur në të kaluarën. Rregullimet e reja vlerësojmë se do të japin një shtysë dhe garantojnë sukses të punës dhe misionit të Prokurorisë dhe plotësojnë në një masë të mashe edhe rekomandimeve të Këshillit të Europës dhe organe të tjera ndërkombëtare që asistojnë sistemin shqiptar të drejtësisë.
Ndryshimet e propozuara janë hartuar nga një grup ekspertësh me përvojë në fushën penale, të ngritur me urdhër të përbashkët të prokurores së Përgjithshme dhe ministrit të Drejtësisë në fillimin e muajit mars 2008. Në grupin e punës kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, misionit EURALIUS, OPDAT dhe akademikë. Janë zhvilluar një sërë takimesh dhe konsultash të përbashkëta për të gjithë këtë periudhë kohore me qëllimin e vetëm për të arritur në një ligj të standardeve europiane që do të garantojë reformën e duhur në sistemin e prokurorisë. Gjithashtu është marrë edhe mendimi i Komisionit të Reformës Ligjore pranë ministrit të Drejtësisë. Ndryshimet e paraqitura po ashtu janë një proces reflektimi ligjor edhe i mendimit të prokurorëve në të gjithë Republikën, të cilët patën mundësinë që të shprehen nëpërmjet plotësimit të një formulari të posaçëm dhe ndryshimet e propozuara në një masë të madhe mbështeten edhe në identifikimin e problemeve dhe rrugëzgjidhjen e dhënë nga vetë këta prokurorë. Drafti përfundimtar i është dërguar për mendim prokurores së Përgjithshme dhe nëpërmjet saj i është shpërndarë edhe Shoqatës së Prokurorëve, të cilat kanë paraqitur mendimet e tyre në lidhje me të.
Ministri i Drejtësisë
Enkelejd Alibeaj
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
PROJEKTLIGJ
Nr._____ datë ___.___.2008
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8737, DATË 12.02.2001 “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E PROKURORISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRIS˔, TË NDRYSHUAR ME LIGJIN NR. 9102, DATË 10.07.2003
Në mbështetje të neneve 81, 83 pika 1, 148 dhe 149 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në Ligjin nr. 8737, datë 12.02.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar me Ligjin nr. 9102, datë 10.07.2003, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Pas nenit 3, shtohen nenet 3/a, 3/b, 3/c, 3/ç, 3/d, me këtë përmbajtje:
“Neni 3/a
Organet e prokurorisë dhe përfaqësimi i saj
1. Organet e Prokurorisë janë:
a) Prokuroria e Përgjithshme e Republikës;
b) Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda;
c) Prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit;
ç) Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda;
d) Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë.
2. Përfaqësimi i Prokurorisë bëhet nga:
a) Prokurori i Përgjithshëm;
b) Drejtuesit e prokurorive pranë gjykatave të apelit;
c) Drejtuesit e prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë.
Neni 3/b
Shkalla e hierarkisë në Prokurori
1. Shkalla e hierarkisë në Prokurori, sipas niveleve të organizimit dhe funksionimit të saj në drejtimin e centralizuar, nga prokurori më i lartë tek prokurori më i ulët, është si më poshtë:
a) Prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme janë prokurorë më të lartë se prokurorët e prokurorive pranë gjykatave të apelit dhe të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë.
b) Prokurorët e prokurorive pranë gjykatave të apelit, në gjykimet e çështjeve të apeluara që kanë në juridiksion, janë prokurorë më të lartë se prokurorët e prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë, të cilët i përkasin atij juridiksioni.
c) Prokurorët pranë gjykatave të shkallës së parë, sipas kompetencës lëndore dhe tokësore, janë prokurorë të nivelit të parë në Prokurori.
2. Prokurorët, drejtues të drejtorive në Prokurorinë e Përgjithshme, drejtues të prokurorive të pranë gjykatave të apelit dhe drejtues të Prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë, janë prokurorë më të lartë se prokurorët në strukturat përkatëse që ata ushtrojnë funksionet.
Neni 3/c
Kufizimet e pushtetit të prokurorit më të lartë
1. Prokurori refuzon përmbushjen e urdhrit ose udhëzimit që është haptazi në kundërshtim me ligjin, në çdo rast të mbështetur në ligj dhe në prova.
2. Refuzimi bëhet me akt të shkruar, në të cilin prokurori arsyeton shkaqet e refuzimit.
3. Në rast refuzimi, drejtuesi i prokurorisë ose prokurori më i lartë që ka dhënë urdhrin ose udhëzimin, ka të drejtë të zëvendësojë prokurorin që refuzon, duke proceduar personalisht ose duke ia ngarkuar ushtrimin e ndjekjes penale një prokurori tjetër.
4. Me përjashtim të rasteve haptazi në kundërshtim me ligjin, nuk përbëjnë objekt refuzimi:
a) vendimet e marra në rrugë hierarkike në zbatim të ligjit procedural penal;
b) urdhrat dhe udhëzimet e nxjerra nga prokurori i Përgjithshëm.
Neni 3/ç
Shmangia e konfliktit të interesit
1. Drejtuesit të prokurorisë së rrethit gjyqësor, drejtuesit të prokurorisë pranë gjykatës së apelit, prokurorit të apelit, prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme apo prokurorit të Përgjithshëm, kur gjendet në një çështje penale në rastet e parashikuara në nenet 16 dhe 17 pika 1 e Kodit të Procedurës Penale, i ndalohet të japë urdhra dhe udhëzime me shkrim prokurorit të çështjes apo të influencojë në çdo mënyrë tjetër.
2. Në këtë rast drejtuesi në konflikt interesi njofton me shkrim Prokurorin e Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm, kryesisht ose me kërkesë vendos me shkrim mbi përjashtimin e drejtuesit nga procedura e dhënies së urdhrave dhe udhëzimeve drejtuesin në konflikt interesi. Në këtë vendim, prokurori i Përgjithshëm cakton nëse dhe në ç’pjesë kanë vlerë veprimet e kryera mbi bazën e urdhrave dhe udhëzimeve të dhëna më parë nga drejtuesi në konflikt interesi.
3. Në rastin kur prokurorit të Përgjithshëm i kërkohet nxjerrja e një urdhri apo dhënia e një udhëzimi në një procedim në të cilin ai është në konflikt interesi, atëherë ai deklaron me shkrim gjendjen e konfliktit të interesit dhe njofton prokurorin që i ka kërkuar nxjerrjen e urdhrit apo dhënien e udhëzimit. Në këtë rast, urdhri apo udhëzimi nxirret nga prokurori më i vjetër në detyrë, drejtor në strukturën e prokurorit të Përgjithshëm.
Neni 3/d
Drejtimi në Prokurori
1. Prokurori i Përgjithshëm drejton organin e Prokurorisë dhe ndihmohet nga drejtuesit e strukturave në Prokurorinë e Përgjithshme.
2. Prokuroritë pranë gjykatave të apeleve, drejtohen nga drejtuesi i Prokurorisë së Apelit, i ndihmuar nga zëvendësi i tij.
3. Prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë drejtohen nga drejtuesi i Prokurorisë, i ndihmuar nga zëvendësit dhe përgjegjësit e sektorëve, aty ku ka të tillë.”
Neni 2
Në nenin 4 bëhen këto ndryshime:
- në pikën 3 pas fjalës “me shkrim“ shtohet fjala “, të arsyetuara”.
- paragrafi i dytë i pikës 3 shfuqizohet.
Neni 3
Në nenin 7, pas pikës 1, shtohen tre paragrafë me këtë përmbajtje:
“1/1. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve me përvojë pune jo më pak se 10 vjet në sistemin e drejtësisë, dhe shquhet për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale.
1/2. Prokurori i Përgjithshëm qëndron në detyrë për 5 vjet, me të drejtë riemërimi.
1/3. Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm ose në një vend të barasvlershëm me vendin e mëparshëm. Ai nuk përfiton nga kjo e drejtë, në rastet kur shkarkohet për shkelje të Kushtetutës, për shkelje të rëndë të ligjit ose akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit të Përgjithshëm.”
Neni 4
Në nenin 8, pika 2 ndryshohet si vijon:
“2. Prokurori i Përgjithshëm ka këto detyra kryesore:
a) Të përfaqësojë Prokurorinë në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese;
b) I propozon Presidentit të Republikës numrin e përgjithshëm të prokurorëve, pasi të ketë marrë mendimin e Ministrit të Drejtësisë, si dhe përcakton numrin e prokurorëve për çdo prokurori, përfshirë edhe Prokurorinë e Përgjithshme;
c) I propozon Presidentit të Republikës emërimin, transferimin, ngritjen në detyrë, largimin nga detyra dhe shkarkimin e prokurorëve;
ç) Cakton drejtuesit e prokurorive dhe zëvendësit e tyre në prokuroritë pranë gjykatave, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj.
d) Miraton strukturën, organikën dhe rregulloret e funksionimit të prokurorive pranë gjykatave dhe të Prokurorisë së Përgjithshme.
dh) Urdhëron komandimin e prokurorëve, sipas kritereve të përcaktuara në këtë ligj.
e) Emëron dhe shkarkon Sekretarin e Përgjithshëm në Prokurorinë e Përgjithshme dhe kancelarët e prokurorive.
ë) Përfaqëson prokurorinë në marrëdhëniet me të tretët në nivel qendror.
f) Kujdeset për ushtrimin e kompetencave ligjore dhe kushtetuese të prokurorisë;
g) Drejton, koordinon dhe mbikëqyr aktivitetin e Prokurorisë dhe të policisë gjyqësore.
gj) Nxjerr akte normative (rregullore, urdhra dhe udhëzime), për ushtrimin e detyrave të përcaktuara nga ky ligj ose nga ligje të veçanta, të cilat janë të detyrueshme për prokurorët dhe policinë gjyqësore;
h) Urdhëron kryerjen e inspektimeve, fillon procedimin disiplinor dhe vendos për marrjen e masave disiplinore, si dhe urdhëron fillimin e procedimit penal kundër prokurorëve;
i) Fillon procedimin disiplinor dhe urdhëron procedimin penal të policisë gjyqësore në përputhje me ligjin e veçantë;
j) Mbikëqyr drejtpërdrejt shërbimin e inspektimit të prokurorisë dhe miraton planin vjetor të inspektimeve të përgjithshme në prokurori;
k) Thërret mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë dhe mund të drejtojë mbledhjet e tij;
l) I delegon me shkrim kompetenca drejtorëve, përgjegjësve të sektorëve ose prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas parashikimeve në këtë ligj ose në ligje të veçanta, me përjashtim të atyre që parashikojnë shkronjat “b”, “c”, “ç”, “d”, “e”, “h”, “i” të këtij neni;
ll) I dërgon Ministrisë së Drejtësisë të dhënat statistikore të ndjekjes penale për hartimin e statistikës së njësuar në fushën e drejtësisë;
m) Kryen detyra të tjera të parashikuara në ligj.
- Në po këtë nen pikat 3 dhe 4 shfuqizohen.
Neni 5
Në nenin 9, në pikën 1 pas shkronjës “c” shtohet shkronja “d” me këtë përmbajtje:
“d) zyra e ndihmësve ligjorë”
Neni 6
Neni 10 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 10
Kompetencat
1. Këshilli i Prokurorisë kryen funksione këshillimore në ndihmë të Prokurorit të Përgjithshëm.
2. Mendimet e Këshillit të Prokurorisë paraqiten në formë të shkruar, të arsyetuara dhe nënshkruhen nga kryetari. Aktit i bashkëlidhet detyrimisht edhe mendimi i anëtarëve në pakicë.
3. Këshilli i Prokurorisë ushtron këto kompetenca:
a) Organizon konkursin për emërimin e kandidatëve për prokuror dhe i jep mendim Prokurorit të Përgjithshëm për emërimin e prokurorëve në detyrë, shkarkimin e tyre, si dhe çdo nismë tjetër në natyrë disiplinore.
b) Shqyrton vlerësimin e punës së prokurorëve dhe i paraqet për miratim Prokurorit të Përgjithshëm raportin e vlerësimit përfundimtar të aftësive profesionale të prokurorëve;
c) I jep mendim Prokurorit të Përgjithshëm për ngritjen në detyrë të prokurorëve, transferimin (lëvizje paralele ose ndryshime të ngjashme), si dhe kandidaturat e drejtuesve të prokurorive dhe zëvendësit e tyre, duke paraqitur mendimin e tij për kandidatët pas procedurës së konkurrimit të tyre;
ç) Jep mendim për miratimin nga Prokurori i Përgjithshëm të Rregullores së Këshillit të Prokurorisë;
d) Jep mendim për planin vjetor të inspektimeve dhe tematikën e tyre;
dh) Merr në shqyrtim dhe jep mendim për vlerësimet e Ministrit të Drejtësisë lidhur me inspektimet e kryera në organe të prokurorisë;
e) Jep mendim për projekt-aktet normative të Prokurorit të Përgjithshëm, për unifikimin e politikës së ndjekjes penale në hetim dhe në gjykim, si dhe propozon masa për organizimin e brendshëm dhe miradministrimin e prokurorisë apo përmirësimin e legjislacionit në fushën penale;
ë) Kryen çdo detyrë tjetër të caktuar me ligj.
4. Këshilli i Prokurorisë shqyrton ankesat për vlerësimin e prokurorëve dhe mund të refuzojë ose ka të drejtë të fillojë rishikim të vlerësimit që nuk është pranuar nga prokurori përkatës, sipas rregullave të përcaktuara nga Prokurori i Përgjithshëm.
5. Në rastet kur Prokurori i Përgjithshëm nuk është dakord me mendimet e sugjeruara nga Këshilli, vendimmarrjen e tij ndryshe e parashtron të arsyetuar.”
Neni 7
Në nenin 11, bëhen këto ndryshime:
- Pika 1 ndryshohet si më poshtë:
“1. Këshilli i Prokurorisë përbëhet nga shtatë anëtarë. Në këshillin e Prokurorisë bëjnë pjesë gjashtë prokurorë dhe një përfaqësues i Ministrit të Drejtësisë. Në mbledhjen e Këshillit mund të marrë pjesë një përfaqësues i Presidentit të Republikës..”
- Në fund të pikës 2, shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:
“Përbërja e anëtarëve prokurorë të Këshillit duhet të jetë:
a) tre prokurorë që ushtrojnë funksionet në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë;
b) dy prokurorë që ushtrojnë funksionet në prokuroritë pranë gjykatave të apeleve;
c) një prokuror që ushtron funksionet në Prokurorinë e Përgjithshme.”
Neni 8
Në nenin 17, shtohet shkronja “ë” me këtë përmbajtje:
“ë) ka cilësi të larta morale dhe profesionale.”
Neni 9
Në nenin 18, shkronja “b” ndryshohet si vijon:
“b) ka punuar jo më pak se 5 vjet oficer i policisë gjyqësore.”
- Në po këtë nen pas shkronjës “b” shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:
“Me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm, Presidenti i Republikës mund të emërojë në prokuroritë e shkallës parë, deri në 10 për qind të numrit të përgjithshëm të prokurorëve, shtetas, të cilët kanë punuar më parë prokurorë, gjyqtarë apo oficerë të policisë gjyqësore, që përmbushin kriteret e shkronjave “a, b, c, d, dh, e, ë” të nenit 17 dhe shkronjës “b” të këtij neni.”
Neni 10
Neni 21 ndryshohet, si më poshtë:
Neni 21
“Emërimi
1. Prokurori në prokurorinë pranë gjykatës së shkallës së parë, emërohet nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm, pasi ky i fundit të ketë marrë mendimin e Këshillit të Prokurorisë.
2. Prokurori në prokurorinë pranë gjykatës për Krime të Rënda emërohet nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm, në bazë të konkurrimit me jetëshkrime, pasi:
a) të ketë punuar jo më pak se 5 vjet në Prokurorinë pranë gjykatës së shkallës së parë;
b) të jetë dalluar për aftësi profesionale dhe cilësi të larta etiko-morale;
c) të jetë vlerësuar “Shumë mirë” për aftësi profesionale dy herët e fundit;
ç) të mos ketë masë disiplinore në fuqi.
3. Ndërmjet prokurorëve që kandidojnë për në prokurorinë pranë gjykatës për Krime të Rënda dhe që plotësojnë kushtet e pikës 1 të këtij neni, Këshilli i Prokurorisë dhe Prokurori i Përgjithshëm përzgjedhin me pikëzim, kandidatin sipas kritereve të përcaktuara në nenin 43, pika 3 të këtij ligji.
4. Presidenti, brenda 30 ditëve, dekreton emërimin në detyrën e prokurorit të kandidatit të propozuar nga Prokurori i Përgjithshëm. Pas këtij afati, propozimi konsiderohet i rrëzuar.”
Neni 11
Neni 24 ndryshohet, si më poshtë:
Neni 24
“Transferimi dhe ngritja në detyrë
1. Transferimi i prokurorit nuk mund të bëhet pa pëlqimin e tij, përveç kur këtë e diktojnë nevojat e riorganizimit të prokurorisë. Transferimi i prokurorit mund të bëhet vetëm në të njëjtin nivel prokurorie. Kur për nevoja të riorganizimit të prokurorisë transferimi i prokurorit shoqërohet me ulje në nivel prokurorie, ai trajtohet me pagën që kishte.
2. Përjashtim nga pika 1 e këtij neni përbën rasti kur jepet masë disiplinore “kalim në një detyrë tjetër më të ulët brenda sistemit të prokurorisë”, parashikuar në nenin 33, pika 1, shkronja “c” e këtij ligji.
3. Ngritja në detyrë e prokurorit bëhet bazuar në kritere të njohura dhe objektive, si meritat dhe eksperienca, të parashikuara në nenet 21, pika 2 dhe 3, si dhe nenin 43 të këtij ligji”.
Neni 12
Në nenin 25, shkronja “a”, shtohet një fjali me këtë përmbajtje:
“Ky afat mund të zgjatet deri në tetë muaj nëse prokurori i komanduar jep pëlqimin.”
Neni 13
Në nenin 26 bëhen pas pikës 1 shtohet pika 1/1 me këtë përmbajtje:
“1/1. Prokurori pezullohet nga ushtrimi i detyrës kur ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim me dashje, të kryer ose të mbetur në tentativë, për të cilin ligji cakton dënimin me burgim jo më të ulët në maksimum se pesë vjet.”
Neni 14
Në nenin 27, pika 3 shkronja “b”, ndryshohet si vijon:
“b) Kur merret masë disiplinore sipas shkronjave “c”, “d,” dhe “dh ” të nenit 32 të këtij ligji.”
Neni 15
Pas nenit 27, shtohen nenet 27/a, 27/b, 27/c dhe 27/ç, me këtë përmbajtje:
“Neni 27/a
Kushtet dhe emërimi i drejtuesit
1. Drejtuesi i Prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë, drejtuesi i Prokurorisë pranë gjykatës së apelit dhe drejtuesi i hallkave të strukturës në Prokurorinë e Përgjithshme emërohen nga Prokurori i Përgjithshëm, në bazë të konkurrimit me dokumente.
2. Kandidatët për drejtues sipas niveleve të Prokurorisë duhet të plotësojnë këto kritere:
a) të kenë punuar, si rregull, jo më pak se pesë vjet si prokurorë në prokurori të njëjtit nivel ose të niveleve më të larta;
b) të jenë vlerësuar “shumë mirë” dy herët e fundit;
c) të mos kenë masë disiplinore në fuqi;
ç) të kenë aftësi organizuese dhe administruese;
Neni 27/b
Largimi dhe shkarkimi nga detyra i drejtuesit
1. Drejtuesit, sipas niveleve të prokurorisë, shkarkohen nga detyra e drejtuesit:
a) kur nuk përmbushin detyrat e parashikuara nga neni 27/c i këtij ligji;
b) në rastet e shkarkimit të prokurorit të parashikuara në nenin 27 të këtij ligji.
2. Drejtuesit sipas niveleve të Prokurorisë, largohen nga detyra e drejtuesit:
a) kur jep dorëheqjen nga detyra e drejtuesit;
b) kur janë rastet e largimit të prokurorit të parashikuara në nenin 27 të këtij ligji;
c) kur është në pamundësi fizike të ushtrimit të detyrës për më shumë se 3 muaj;
2. Largimi apo shkarkimi i drejtuesit nga detyra, sipas niveleve të Prokurorisë, bëhet me urdhër të arsyetuar të Prokurorit të Përgjithshëm.
Neni 27/c
Kompetencat e drejtuesit
1. Drejtuesit, sipas niveleve të prokurorisë, përveç ushtrimit të funksioneve si prokuror më i lartë, kryejnë edhe këto detyra:
a) përfaqësojnë prokurorinë në marrëdhëniet me të tretët në njësinë administrative që ushtron funksionet prokuroria;
b) bëjnë organizimin e punës në prokurori dhe ndarjen e prokurorëve sipas njësive administrative ose drejtimeve me grup veprash penale;
c) në fillim të çdo muaji, caktojnë listën e shërbimit të radhës në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, si dhe planifikojnë shpërndarjen e kallëzimeve/referimeve të ardhura në prokurori, sipas kritereve të përcaktuara me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm bazuar në parimet e specializimit të prokurorëve dhe të ndarjes së barabartë të punës;
ç) organizojnë diskutime për çështje të natyrës juridike, bazuar në përgjithësimin e përvojës së ushtrimit të ndjekjes penale dhe praktikës gjyqësore, vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë, vendimet e Gjykatës Kushtetues dhe vendime të tjera gjyqësore në fushën penale, urdhrat, udhëzimet dhe qarkoret/porositë e Prokurorit të Përgjithshëm, aktet e kontrollit dhe inspektimet e ushtruara nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë;
d) mbikëqyrin respektimin e etikës së prokurorit dhe planifikimin e punës së tyre, si dhe përmbushin angazhimet ligjore për vlerësimin profesional të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore;
dh) marrin kontakt me ekipet e inspektimit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë, njihen me qëllimin dhe objektin e inspektimit dhe u krijojnë atyre mundësi në ushtrimin e detyrës;
e) mbikëqyrin disiplinën në punë të prokurorëve;
ë) bashkërendojnë punën me drejtoritë përkatëse në Prokurorinë e Përgjithshme dhe me Shkollën e Magjistraturës për çështje të ngritjes profesionale të prokurorëve dhe policisë gjyqësore;
f) kujdesen për çështjet e ruajtjes dhe të sigurisë në prokurori;
g) kryejnë detyra të tjera në funksion të drejtimit administrativ të prokurorisë, të parashikuara në aktet ligjore ose nënligjore në fuqi.
2. Kur drejtuesi mungon, detyrat e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni kryhen nga zëvendësdrejtuesi i autorizuar prej tij.
Neni 27/ç
Regjistri i prokurorëve
Në Drejtorinë e Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore në Prokurorinë e Përgjithshme krijohet regjistri i prokurorëve të Prokurorive pranë gjykatës së shkallës së parë, të Prokurorive pranë gjykatave të apelit dhe të Prokurorisë së Përgjithshme, i cili përmban të paktën:
a) gjeneralitetet e çdo prokurori;
b) të dhënat e edukimit të tij akademik;
c) datën e emërimit;
ç) pjesëmarrjen në kualifikime dhe trajnime;
d) masat disiplinore, nëse ka;
dh) vlerësimin e tij si prokuror;
e) të dhëna për karrierën;
ë) të dhëna në fushën e publikimeve.”
Neni 16
Në nenin 30, pika 1, pas togfjalëshit “duke u paraqitur vetë”, shtohet “dhe/ose mbrojtësi i zgjedhur prej tij”.
Neni 17
Neni 34 paragrafi 2 riformulohet si më poshtë:
“Kundër masës disiplinore ‘shkarkim nga detyra’, prokurori mund të bëjë ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë, ndërsa prokurori pranë kësaj gjykate në Gjykatën e Apelit më të afërt. Kur gjykata çmon se shkarkimi nga detyra është i pabazuar në ligj, ajo vendos t’i japë prokurorit, nëse është e nevojshme, një shpërblim të drejtë.”
Neni 18
Neni 36 shfuqizohet.
Neni 19
Në neni 39, në pikën 2, pas fjalës “mësimdhënies” shtohet togfjalëshi “, e cila rregullohet me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm”.
Neni 20
Neni 42 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 42
Vlerësimi i punës
1. Vlerësimi i punës së prokurorit bëhet mbi aftësitë profesionale dhe personale, aftësitë dhe qëndrimin shoqëror, aftësitë administruese, si dhe mbi respektimin e disiplinës në punë dhe masat disiplinore.
2. Vlerësimi paraprak i punës së prokurorit bëhet nga drejtuesi i prokurorisë. Ky vlerësim shërben si propozim për vlerësimin final të bërë nga Prokurori i Përgjithshëm, që mund të zëvendësojë vlerësimin paraprak për shkak të një krahasimi të drejtë në shkallë vendi të vlerësimeve.
3. Për vlerësimin e punës të prokurorit, Drejtoria e Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore kryen inspektimin e planifikuar jo më pak se një herë në tre vjet.
4. Këshilli i Prokurorisë shqyrton vlerësimin paraprak të punës dhe mendimin e vet ia paraqet Prokurorit të Përgjithshëm, i cili duhet te shprehet brenda 15 ditësh.
5. Në rastet kur një prokuror bën kërkesë për ngritje në detyrë, transferim, ose në një pozicion tjetër, duhet të bëhet një vlerësim i ri, përveç kur vlerësimi i fundit është bërë brenda gjashtë muajve të fundit. Prokurori duhet të njihet me vlerësimin që i është bërë.
6. Vlerësimi i punës së prokurorit është:
“Shumë mirë”;
“Mirë”;
“Mjaftueshëm”;
“I paaftë”.
7. Vlerësimi “I paaftë” përbën shkak për fillimin e procedurës për shkarkimin nga detyra të prokurorit.
8. Në rastet kur prokurori është vlerësuar “Mjaftueshëm” brenda një viti bëhet rivlerësimi i tij.
9. Për efekt të karrierës profesionale, Drejtoria e Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore në Prokurorinë e Përgjithshme mban një listë të përhershme të renditjes së prokurorëve për rezultatet e punës, e cila përditësohet në vijimësi.
10. Rregullat për vlerësimin e punës së prokurorit dhe për kriteret e renditjes së prokurorëve në listën e përhershme përcaktohen nga Prokurori i Përgjithshëm, pasi të ketë marrë mendimin e Këshillit të Prokurorisë.”
Neni 21
Neni 43 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 43
Ngritja në detyrë
1. Prokurori i Prokurorisë pranë gjykatës së apelit emërohet nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm, në bazë të konkurrimit me dokumente, pasi:
a) të ketë punuar jo më pak se 7 vjet në Prokurorinë pranë gjykatave të shkallës së parë;
b) të jetë dalluar për aftësi profesionale dhe cilësi të larta etiko-morale;
c) të jetë vlerësuar “Shumë mirë” për vlerësimin e punës dy herët e fundit;
ç) të mos ketë masë disiplinore në fuqi.
2. Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme emërohet nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm, në bazë të konkurrimit me dokumente, pasi:
a) të ketë punuar jo më pak se 5 vjet në Prokurorinë pranë gjykatave të apelit ose 12 vjet në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë;
b) të jetë dalluar për aftësi profesionale dhe cilësi të larta etiko-morale;
c) të jetë vlerësuar “Shumë mirë” për vlerësimin e punës dy herët e fundit;
ç) të mos ketë masë disiplinore në fuqi.
3. Kur konkurrojnë dy ose më shumë kandidatë për në Prokurorinë pranë gjykatës së apelit ose në Prokurorinë e Përgjithshme, që plotësojnë kushtet e pikave 1 dhe 2 të këtij neni, Këshilli i Prokurorisë dhe Prokurori i Përgjithshëm përzgjedhin me pikëzim, kandidatin me më tepër përvojë/vjetërsi në profesion, me më tepër merita/rezultate në punë në vijimësi, si dhe me më tepër veprimtari shkencore/akademike. Rregulla më të hollësishme për pikëzimin përcaktohen me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm.
4. Presidenti, brenda 30 ditëve, dekreton emërimin në detyrën e prokurorit të kandidatit të propozuar nga Prokurori i Përgjithshëm. Me kalimin e këtij afati, propozimi konsiderohet i rrëzuar.”
Neni 22
Neni 44 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 44
Ruajtja e statusit të prokurorit
1. Prokurorët, me kërkesën e institucioneve dhe me pëlqimin e tyre, mund të shërbejnë për një afat deri në katër vjet në strukturat juridiko-profesionale të Prokurorisë së Përgjithshme, të Ministrisë së Drejtësisë, pedagog ose drejtor në Shkollën e Magjistraturës. Në mbarim të këtij afati, me kërkesën e tyre, ata riemërohen prokurorë pa konkurs në vendin që kanë pasur.
2. Trajtimi financiar i prokurorit bëhet nga institucionet përkatëse, duke i dhënë pagën më të lartë ndërmjet dy pagave.
3. Periudha e shërbimit njihet si periudhë vjetërsie në profesion si prokuror, për efekt të pagës dhe të karrierës profesionale.”
Neni 23
Në nenin 50 pika 1 riformulohet:
“1. Prokurori gëzon të drejtën e një lejeje vjetore të pagueshme prej 30 ditësh kalendarike. Leja vjetore, si rregull, bëhet në muajin gusht.”
- Në pikën 2 fjalët “në periudhën korrik-“ zëvendësohen me “muajin”.
Neni 23
Në nenin 51 shtohet pika 3 me përmbajtjen si vijon:
“3. Për nevoja të kualifikimeve dhe specializimeve profesionale prokurori ka të drejtë të kërkojë leje të papagueshme dhe ruajtjen e vendit të punës deri në një vit.”
Neni 24
Neni 52 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 52
Paga, shpërblimet dhe trajtimet
1. Paga e Prokurorit të Përgjithshëm është e barabartë me pagën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë.
2. Paga e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme është e barabartë me pagën e anëtarit të Gjykatës së Lartë. Paga e drejtuesve të hallkave, që janë prokurorë, në strukturën e Prokurorisë së Përgjithshme është 5 për qind me e lartë se paga e prokurorëve të kësaj prokurorie.
3. Paga bazë e prokurorit ose drejtuesit të prokurorisë të shkallës së parë dhe të apelit, si dhe shtesa për vjetërsi apo vështirësi në shërbim e tyre është e barabartë me pagën dhe shtesën e vjetërsisë dhe vështirësisë të gjyqtarit ose kryetarit të gjykatës pranë së cilës funksionon prokuroria ku ai është emëruar.
4. Në ditët e pushimit javor ose të festave zyrtare, prokurori i gatshëm ose prokurori që kryen detyra të ngutshme, përfiton shtesë page në masën 50 për qind të pagës së tij ditore.
5. Prokurori mund të përfitojë shpërblime për merita profesionale në masën e caktuar me propozim të drejtuesit dhe me miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm.
6. Prokurori, me propozim të eprorit dhe me miratim të Prokurorit të Përgjithshëm, mund të përfitojë deri në “20 për qind” shtesë page për vështirësi pune.
7. Prokurorët dhe drejtuesit e tyre kanë të njëjtat trajtime dhe status protokollar si gjyqtarët dhe drejtuesit e gjykatave pranë të cilave ushtrojnë funksionet prokuroria, përveç se kur ligji parashikon ndryshe.
Neni 25
Në nenin 53, pika 1, fjala “informon Kuvendin” ndryshohet në “raporton në Kuvend”, dhe fjala ”Njoftimi” ndryshohet në “Raportimi”.
Neni 26
Në nenin 55 pika 1 shtohet një fjali me përmbajtjen si vijon:
“Prokurori i Përgjithshëm shqyrton rekomandimin dhe vendos në lidhje me të.”
Neni 27
Në nenin 56 bëhen këto ndryshime:
- pika 4 shtohet fjalia: ”Ministri i Drejtësisë paraqet në Kuvend, të paktën një herë në vit, raport me shkrim për inspektimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë, duke vënë në dijeni edhe Prokurorin e Përgjithshëm. Raporti përmban të dhëna të përgjithshme për çështjet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni. Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë të paraqesë në Kuvend mendimin e tij në lidhje me raportin e dërguar nga Ministri i Drejtësisë sipas kësaj pike.”.
- shtohet pika 5 me këtë përmbajtje:
“5. Mbi bazën e rezultateve të kontrollit Ministri i Drejtësisë, kur është rasti, paraqet rekomandim për marrje mase disiplinore Prokurorit të Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm shqyrton rekomandimin dhe vendos në lidhje me të. Rekomandimi për procedim disiplinor dhe përgjigja e Prokurorit të Përgjithshëm i njoftohen Presidentit të Republikës.”
Neni 28
Pas nenit 56, shtohet neni 56/a, me këtë përmbajtje:
“Neni 56/a
Marrëdhëniet me Policinë Gjyqësore
1. Prokurorët drejtojnë dhe kontrollojnë veprimtarinë hetimore të policisë gjyqësore duke garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.
2. Prokurori ka të drejtë:
a) t’i japë urdhra dhe udhëzimet e duhura policisë gjyqësore:
-për zbatimin efikas të prioriteteve të politikës penale;
- për përcaktimin e kategorive të çështjeve që kanë prioritet dhe mjeteve të përdorura për kërkimin e provës;
- për kohëzgjatjen e hetimeve, si dhe për t’u informuar në vazhdimësi për ecurinë e hetimeve;
b) t’i caktojë çështje të veçanta strukturave të policisë gjyqësore sipas juridiksionit dhe llojit të çështjes, si dhe mundësive që ata kanë në kryerjen e hetimeve;
c) të bëjë vlerësime dhe kontrolle, për aq kohë sa është e nevojshme, me qëllim për të mbikëqyrur zbatimin e ligjit dhe urdhrave e udhëzimeve të tij;
ç) të kërkojë fillimin e procedimit disiplinor dhe marrjen e masave disiplinore për shkelje të ligjit nga policia gjyqësore.”
Neni 29
Në nenin 57 pika 2 hiqen fjalët “Pranë prokurorive të shkallës së parë”.
Neni 30
Neni 58 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 58
Nëpunësit
1. Sekretari i Përgjithshëm është nëpunësi më i lartë civil në Prokurorinë e Përgjithshme.
2. Shërbimet e tjera tekniko-administrative në Prokurorinë e Përgjithshme dhe shërbimet ndihmëse në prokuroritë e niveleve të tjera pranë sistemit gjyqësore kryhen nga nëpunës dhe punonjës të tjerë.
3. Sekretari i Përgjithshëm drejton veprimtarinë administrative të Prokurorisë së Përgjithshëm dhe prokurorive të niveleve të tjera, nën autoritetin e Prokurorit të Përgjithshëm.
4. Punonjësit e administratës të Prokurorisë së Përgjithshme i nënshtrohen rregullave të shërbimit civil. Marrëdhëniet e punës të personelit administrativo-teknik rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.
5. Trajtimi financiar i administratës së prokurorive të niveleve të tjera pranë sistemit gjyqësor barazohet me punonjësit e administratës të sistemit gjyqësor pranë të cilës funksionon Prokuroria.
Neni 31
Pas nenit 58, shtohet nenet 58/a, dhe 58/b, me këtë përmbajtje:
“Neni 58/a
Në nenet 3, 9, 13 e vijues të ligjit emërtimi “Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm” zëvendësohet me emërtimin “Prokuroria e Përgjithshme”.
Neni 58/b
Dispozitë kalimtare
1. Deri në fillimin e funksionimit të sistemit të vlerësimit të punës së prokurorit dhe kryerjen e vlerësimit dy herë për efekt të ngritjes në detyrë dhe karrierës, Prokurori i Përgjithshëm cakton procedura dhe kritere specifike për vlerësimin e aftësive profesionale të prokurorëve.”
Neni 32
Në nenin 59, pika 1 riformulohet si vijon:
“1. Çështjet e parashikuara në nenet 9 pikat 2 dhe 3, 10 pika 4, 12, 13, 14, 15, 20 pika 4, 22 pika 3, 27/c pika 1 shkronja c), 39 pika 2, 40, 41, 42 pika 10, 43 pika 3, 45, 49, 50, 51 dhe 58/b të këtij ligji rregullohen me akte nënligjore të Prokurorit të Përgjithshëm.”.
Në pikën 3 numri “, 36” shfuqizohet.
Neni 33
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
KRYETARE
JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)
12 Dhjetor 2008