Arrestohet grabitësi, e spiunoi llamba me sy magjik
Dy grabitës, të dyshuar si shtetas shqiptarë janë arrestuar nga policia greke, teksa kishin hyrë të vidhnin në banesën e një shtetasi në Athinë. Ata nuk e pandehën se spiuni në këtë rast nuk do të ishin të zotët e shtëpisë, por një pajisje e montuar në llambën elektrike. Drita me syrin magjik spiunoi dy grabitës shqiptarë menjëherë sapo ata hynë në banesë në lagjen “Iliupoli” në kryeqytetin grek. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë dhe policia tha se pajisja i ka regjistruar grabitësit që në momentin që ata kanë kapërcyer murin për të hyrë në oborrin e shtëpisë. Ata e kanë marrë pa shumë problem ndezjen e llambës, teksa janë fshehur fillimisht për të kontrolluar situatën dhe më pas qetësisht kanë dashur të hyjnë brenda. Kaq ka mjaftuar për policinë, e cila mori një njoftim nga të zotët e shtëpisë që panë me syrin magjik dy grabitësit. Brenda disa sekondave policia mbërriti në banesën ku ndodheshin dy grabitësit, duke vënë në pranga një prej tyre dhe shpallur në kërkim bashkëpunëtorin. Sipas policisë në atë banesë, jetonin vetëm dy femra, nëna me vajzën. Vajza pa dritën me syrin magjik që ndizej e shuhej dhe doli në dritare. Kur pa njërin prej hajdutëve i tha të ëmës të njoftonte menjëherë policinë.
#